Dogana e Kosovës ka njoftuar se pasditen e djeshme ka sekuestruar rreth 300 kilogramë eksploziv në pikëkalimin kufitar në Vërmicë, në një operacion të përbashkët me policinë kufitare, e cila, sipas njoftimit, është duke vazhduar me veprimet e mëtejshme ligjore. Sipas informacioneve paraprake eksplozivi ishte nisur nga Shqipëria për të hyrë në territorin e Kosovës.

Në bazë të njoftimit, pavarërisht se drejtuesi i furgonit me inicialet F.D., kishte pretenduar se nuk posedon mallra për deklarim, kontrolli në vijën e dytë ka zbuluar eksploziv të ndarë në thasë, të fshehur në bagazhin e furgonit dhe të kamufluar me pajisje peshkimi.

Gjatë kontrollit janë sekuestruar 266.58 kg eksploziv të llojeve Poladin, Amunit dhe një lloj i paidentifikuar, detonatorë elektrikë me karakteristika të ndryshme,120 fitila Emulex me peshë 800 g secili,20 fitila me peshë 8.9 kg, 6 tuba me tela elektrikë.

Prokurori i Shtetit në Prizren, ka urdhëruar konfiskimin e të gjitha lëndëve shpërthyese dhe të automjetit, si dhe bastisjen e shtëpisë së të dyshuarit në fshatin Damjan të Gjakovës. 

Drejtuesi i automjetit është ndaluar për 48 orë pas dëshmisë së dhënë, ndërsa ndaj tij ka nisur hetimi për veprën penale,“Import, eksport, furnizim, transportim, prodhim, këmbim, ndërmjetësim dhe shitje e paautorizuar e armëve dhe materieve plasëse.

Policia vijon hetimet për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë dhe mundësisë së lidhjes së këtij rasti me rrjete të organizuara që merren me trafikimin e lëndëve të rrezikshme. Nuk përjashtohet që eksplozivi të ketë qenë i destinuar për përdorim në aktivitete të jashtëligjshme brenda territorit të Kosovës apo më gjerë.