Një aksident rrugor me pasojë plagosjen e 6 personave është shënuar orët e para të mëngjesit të sotëm në aksin Lushnje - Berat ku një furgon pasagjerësh është përplasur me një kamionçine.
 
Përplasja ka ndodhur rreth orës 05:45 të mëngjesit në afërsi të fshatit Kashtabrëdhë, ndërsa të plagosurit janë nga të dy automjetet.
 
Mësohet se përplasja ka qenë e fortë ndërsa për të nxjerrë drejtuesin e furgonit taksi është dashur ndërhyrja e zjarrfikësve dhe prerja e një pjesë të furgonit.
 
Të plagosurit janë dërguar në spitalin e Lushnjës ku ndodhen nën kujdesin intensiv të mjekëve.
 
Shkak i aksidentit dyshohet se është humbja e kontrollit të mjetit nga drejtuesi i kamionçinës, që ka dalë në korsinë e kundërt.
 
Policia po punon për zbardhjen e rrethanave të plota të këtij aksidenti.
 
Ndërkohë një tjetër aksident rrugor është regjistruar mesditën e sotme në Korçë, ku në afërsi të fshatit Rabonik një furgon mallrash ka dalë nga rruga dhe ka përfunduar në një kanal të ujërave te zeza.
 
Për pasojë kanë mbetur të plagosur rëndë drejtuesi i mjetit Kasëm Çoçi 50 vjeç, Dedem Mecollari 50 vjec dhe Genti Meçollari 30 vjeç. Tre të plagosurit janë dërguar në spitalin e Korçës.


Redaksia Online
( b.h/Shqiptarja.com )