Pas muaj bisedimesh, Rusia ka rënë dakord të rifillojë furnizimin me gaz në Ukrainë, pas një marrëveshje të ndërmjetësuar nga Bashkimi Europian.

Bazuar në këtë marrëveshje, edhe vendet e BE-së, do të sigurojnë gazin nëpërmejt Ukrainës. “Ky është një hap i rëndësishëm për sigurimin e përbashkët të energjisë në komunitetin europian. Tani nuk ka arsye pse njerëzit në Europë të qëndrojnë në të ftohtë”, tha presidenti i Komisionit Europian Jose Manuel Barroso menjëherë pas nënshkrimit të marrëveshjes.

Ndërsa shefi i energjisë së BE, Gunter Oettinger tha se kishte besim që Ukraina do të jetë në gjendje të përballuar pagesën e nevojshme për gazin, duke shtuar se marrëveshja mund të ndezë një ‘dritë të vogël shprese’ në zbutjen e tensioneve midis Rusisë e Ukrainës.

Rusia ofron 1/3 e gazit të Bashkimit Europian, gjysma e së cilës ka depërtuar nëpërmjet Ukrainës. Furnizimet me gaz u ndërprenë në muajin qershor pas pagesave të vonuara nga Ukraina. Megjithatë në sfond të kësaj marrëdhënie qëndron konflikti ruso-ukrainas dhe sanksionet perëndimore për Moskën.



Redaksia Online
(g.f/shqiptarja.com)