Zhvilluesi amerikan i projekteve të gazit natyror të lëngshëm, me seli në Luiziana, Argent LNG, njoftoi të mërkurën se e ka nënshkruar një memorandum mirëkuptimi me Qeverinë e Shqipërisë për ta vlerësuar zhvillimin e një terminali të rigazifikimit në shkallë të gjerë në bregdetin shqiptar, me kapacitet deri në 5 milionë tonë në vit.

Terminali mund të lidhet me Gazsjellësin Trans-Adriatik (TAP), Gazsjellësin e propozuar Jon-Adriatik (IAP) dhe korridorin e gazit Fier-Vlorë.

Argent LNG tha se financimi mund të përfshijë Agjencinë Amerikane për Tregti dhe Zhvillim (USTDA), Korporatën Amerikane të Financimit Ndërkombëtar për Zhvillim (DFC) dhe Bankën Amerikane të Eksport-Importit (EXIM Bank).

Në korrik të vitit 2026, Departamenti amerikan i Energjisë autorizoi Argent LNG-në të eksportojë LNG nga terminali i saj i propozuar në Port Fourchon, Luiziana, drejt vendeve që kanë marrëveshje të tregtisë së lirë me Shtetet e Bashkuara.

Mësohet se projekti parashikohet të jetë pjesë e një arkitekture më të gjerë rajonale, për të forcuar qëndrueshmërinë energjetike të Evropës dhe Ukrainës.