Kryebashkiaku Erion Veliaj njoftoi sot se do të normalizohet situata me furnizimin me ujë të pijshëm brenda ditës së sotme. Sipas Veliaj situata në liqenin e Bovillës po përmirësohet ndjeshëm dhe po punohet për filtrimin e ujit, ndërsa një pjesë e qytetit tashmë është stabilizuar.

Sot balta po dekandon, po i afrohemi parametrave ku mund të bëjmë filtrim normal të ujit dhe brenda ditës së sotme, Tirana do të kthehet në normalitet. Një pjesë e qytetit tashmë është stabilizuar.

Na kanë ngelur dhe 4-5 lagje të tjera dhe besoj se përpara se të mbyllet dita sot, do të kemi stabilizuar gjithë situatën e ujit në Tiranë. Dua t’ju shpjegoj që filtrat e Bovillës filtrojnë ujin dhe në momentin që uji është i gjithë me llucë, ato bllokohen. Bllokimi i një filtri të Bovillës shkakton një muaj ndërprerje me ujë të Tiranës. Kemi vendosur diçka të vështirë, por diçka të drejtë”, tha Veliaj.

Duke u ndalur edhe tek akuzat e PD-së në lidhje me hapjen e portave të digës së Bovillës, Veliaj deklaroi se ato vijojnë të qëndrojnë të mbyllura dhe se niveli i liqenit është nën kuotën maksimale.

Sipas Veliaj vendimin për hapjen e digës e merr administratori i shoqërisë, i cili paraprakisht ka detyrimin ligjor të njoftojë zyrtarisht edhe kryetarin e Bashkisë së Tiranës, si dhe kryetarin e Bashkisë së Kamzës.

Një qytetar që nuk e kupton si funksionon ujësjellësi ka të drejtë të mërzitet, por nuk u lejohet kjo atyre që deri dje kanë menaxhuar qytetin. Ne të gjithë e kuptojmë që Bovilla nuk është hapur, se që të hapet, së pari duhet të kapë nivelin maksimal, që ende s’e ka kapur.

Së dyti, ka një protokoll ku i pari që njoftohet është kryetari i Bashkisë së Tiranës dhe i Kamzës, kështu që nuk mund të jetë hapur pa kaluar protokolli në këto dy bashki. Së treti, edhe nëse hapet, nuk kalon fare në anën tjetër të Tiranës, sepse kemi një lum që na ndan në mes.

Le të mos hapim panik. Ata që menaxhuan shtetin shqiptar dhe dështuan në mënyrë mizerabël vitet që ndodhi kjo katrahurë në Shqipëri me ndërtimet dhe me shërbimet publike, s’kanë të drejtë të flasin tani”
, përfundoi Veliaj.

Redaksia Online
J.Sh Shqiptarja.com