Një mjek nga Kalifornia, i cili i siguronte ketaminë aktorit të njohur të serialit “Friends”, Matthew Perry, u dënua të mërkurën me 30 muaj burg. Dr. Salvador Plasencia ishte një nga pesë personat e hetuar në kuadër të një hetimi federal mbi mënyrën se si Perry siguroi anestetikun përmes një rrjeti të paligjshëm të shpërndarjes së drogës në Hollywood.

Ai është i pari që dënohet me burg lidhur me vdekjen e aktorit nga mbidoza, më 28 tetor 2023, sipas BBC. Katër të pandehurit e tjerë, një mjek tjetër, asistenti i tij dhe dy furnizues të dozës fatale, kanë pranuar gjithashtu fajësinë dhe pritet të dënohen në muajt e ardhshëm.

Plasencia kishte pranuar verën e kaluar fajësinë për katër akuza të shpërndarjes së ketaminës, të cilat mund t’i sillnin deri në 40 vite burg, edhe pse prokuroria kishte kërkuar tre vite. Në një letër drejtuar gjykatës në nëntor, ai kërkoi falje dhe tha se merrte plotësisht përgjegjësinë për rolin e tij në vdekjen e Perry-t.

Familjarët e aktorit dhanë dëshmi të forta para dënimit, duke e akuzuar mjekun se kishte tradhtuar misionin e profesionit të tij. “Shërimi i Matthew varej nga fakti që ju t’i thoshit PO-së”, shkruanin babai dhe njerka e aktorit. “Motivet tuaja? Nuk mund t’i kuptojmë. Si mund një mjek që ka dhënë betim për të ndihmuar njerëzit të veprojë kështu?”

Ata kërkuan një dënim të rëndë, duke e cilësuar Plasencia-n “më të fajshëm se të gjithë”, madje duke e quajtur “çakall” për shkeljen e përsëritur të betimit të Hipokratit. Në dokumentet gjyqësore shfaqen mesazhe ku mjeku e quante Perry-n “budalla” dhe diskutonte sa para ishte aktori i gatshëm të paguante për ilaçet.

Matthew Perry, 54 vjeç, u gjet i vdekur në xhakuzi në Los Angeles pas një periudhe të gjatë përballjeje me depresionin dhe varësinë.

Megjithëse ketamina i ishte përshkruar për trajtim, dokumentet tregojnë se aktori filloi të kërkonte sasi më të mëdha, duke u drejtuar te disa mjekë dhe një grua të quajtur nga prokurorët “Mbretëresha e Ketaminës”, që shpërndante sasi të mëdha nga shtëpia e saj në LA. Plasencia ishte ai që i bënte injeksionet e ketaminës Perry-t dhe më pas i mësoi të njëjtën metodë asistentit të aktorit, i cili gjithashtu ka pranuar fajësinë.