Në një moment të rëndësishëm për zgjerimin e BE-së, Komisioni mblodhi sërish në Bruksel liderët e rajonit në Forumin e Zgjerimit, një aktivitet që priti liderë të Ballkanit Perëndimor dhe më gjerë.
Komisionerja për Zgjerimin, Marta Kos, tha se BE-ja është rikthyer në temën e zgjerimit njësoj si në vitet '90 dhe në fillim të viteve 2000, kur Unioni ka njohur dy fazat e flukseve të mëdha të anëtarësimeve.
Komisionerja theksoi se Brukseli është i vendosur të mos lejojë që procesi të ndikohet nga aktorët e jashtëm, edhe pse, siç tha, rusët janë në lëvizje për të dëmtuar kandidatët.
“Kemi marrë rezultate për zgjerimin këtë vit, më shumë sesa 25 vitet e fundit së bashku. Por përballë kemi kundërshtarë që duan ta nxjerrin nga binarët procesin e zgjerimit dhe t’u shkaktojnë dëme vendeve kandidate, por objektivi kryesor jemi ne: Bashkimi Evropian. Para së gjithash, Rusia, e cila synon ta përmbysë procesin e bashkimit evropian”, tha mes të tjerash Marta Kos, Komisionerja për Zgjerimin e BE-së.
Presidentja e KE-së, von der Leyen, e cilësoi procesin aktual të zgjerimit si historik, kur tha se Evropa e Madhe po pret në shtëpi popuj të tjerë që janë në rrugën për të shtuar më shumë vlera në familjen e madhe evropiane.
Ajo përmendi rastet e Malit të Zi dhe Shqipërisë si dy vendet më të avancuara për t’u futur në Union.
“Mali i Zi po i afrohet vijës së finishit, ndërsa Shqipëria po shënon përparim mbresëlënës. Moldavia dhe Ukraina po avancojnë, pavarësisht presionit të jashtëzakonshëm. Po krijohet një dinamikë e re që na jep mundësinë të bashkojmë popujt e Evropës dhe për të ndërtuar një Bashkim ku më shumë evropianë të jetojnë në liri, ku fëmijët të rriten në paqe dhe mirëqenie, dhe ku ne të mund të vendosim për të ardhmen tonë. Duhet ta shfrytëzojmë këtë mundësi. Duhet të tregojmë të njëjtën ambicie si liderët 30 vjet më parë”, tha mes të tjerash von der Leyen.
Sipas von der Leyen, futja e vendeve të reja në BE do të përkthehet në më shumë prosperitet dhe do të sjellë përfitime për të dyja palët, si për anëtarët e rinj, por edhe për anëtarët ekzistues.
Shefja e KE-së u ndal te shteti i së drejtës, kur apeloi se parimet e tij duhet të respektohen çdo ditë. Për këtë arsye, tha ajo, BE-ja po propozon mekanizma më të fortë garancie pas anëtarësimit, që çdo shtet anëtar t’i përmbahet angazhimeve që ka marrë përsipër në momentin e anëtarësimit në BE.

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, reagoi përmes një postimi në rrjetet sociale mbi zhvillimet e fundit në Bruksel, në kuadër të Forumit të Zgjerimit 2026.
Hoxha citoi deklaratat e Presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, e cila në fjalën e hapjes vlerësoi se “Shqipëria po dëshmon progres mbresëlënës”.
Hoxha theksoi se ky vlerësim, i pasqyruar edhe në Raportin e Progresit 2026, konfirmon ecurinë e Shqipërisë në procesin e anëtarësimit dhe duhet të shërbejë njëkohësisht si burim krenarie dhe përgjegjësie për vijimin e reformave.
“Për dekada, anëtarësimi në BE ka qenë dëshira, aspirata dhe kërkesa jonë. Sot kësaj i është bashkuar edhe ftesa dhe dora e zgjatur e BE-së për të ecur përpara me përgjegjësi, vendosmëri dhe besim në të ardhmen tonë të përbashkët”, u shpreh mes të tjerash ministri Hoxha.
Postimi i plotë i Ministrit:
Bruksel -- Në fjalimin e hapjes së Forumit të #Zgjerimit 2026, Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, përmblodhi në një fjali thelbin, rëndësinë dhe perspektivën e procesit të zgjerimit:
“Zgjerimi i BE-së është një investim në të ardhmen tonë të përbashkët.”
Duke iu referuar vendeve kandidate, VDL theksoi se “Shqipëria po dëshmon progres mbresëlënës”.
Një vlerësim tashmë i njohur si në Bruksel, ashtu edhe në Tiranë, dhe i pasqyruar edhe në Raportin e Progresit 2026, si dhe në udhërrëfyesin e detajuar, me objektiva të qarta dhe afate të mirëpërcaktuara.
Nëse ekziston një institucion që i trajton proceset e vlerësimit me rigorozitet, në mënyrë kapilare, me profesionalizëm dhe paanshmëri, pa dhënë asgjë të mirëqenë, duke verifikuar çdo hap dhe çdo rezultat, ai është Komisioni Evropian. Prandaj, këto vlerësime duhet të na bëjnë të gjithëve krenarë por edhe më të përgjeshëm.
Siç theksoi VDL, "të gjithë – si vendet kandidate, ashtu edhe vendet anëtare – duhet ta shfrytëzojmë këtë mundësi dhe ta shndërrojmë progresin në rezultate konkrete. Është koha që zgjerimi i Bashkimit Evropian të bëhet një histori suksesi për të gjithë Evropën!"
Kurrë më parë ftesa që na bën Evropa dhe dera e saj e hapur nuk kanë qenë kaq pranë dhe kaq të përputhura me synimin tonë madhor kombëtar, me planet tona për të ardhmen.
Per dekada, antarësimi në BE ka qenë dëshira, aspirata dhe kërkesa jonë. Sot kësaj i është bashkuar edhe ftesa dhe dora e zgjatur e BE-së për të ecur përpara me përgjegjësi, vendosmëri dhe besim në të ardhmen tonë të përbashkët.
Komisionerja europiane për Zgjerimin, Marta Kos, deklaroi në Forumin e Zgjerimit të BE-së se Rusia po përpiqet të zhbëjë procesin e 'unifikimit' të bashkimit europian, duke synuar të pengojë zgjerimin e BE-së dhe të dëmtojë vendet kandidate.
Kos theksoi se objektivi kryesor i këtyre përpjekjeve është vetë Bashkimi Europian, ndërsa paralajmëroi se Europa nuk do ta lejojë Rusinë të pengojë procesin.
“Çfarë Europe duam të jetojmë dhe t’u lëmë brezave të ardhshëm? Europa nuk mund t’ia lejojë vetes të qëndrojë në vend, ndërkohë që bota gjeopolitike po ndryshon në mënyrë kaq dramatike. Nëse duam të formësojmë të ardhmen e Europës, a mund t’ia lejojmë vetes të mos e përfundojmë bashkimin e saj? Shikoni rreth kësaj salle. Sot kemi një pjesëmarrje të jashtëzakonshme: presidentë, kryeministra, ambasadorë, ministra, përfaqësues të medias dhe biznesit. Kjo i dërgon një mesazh botës: politika është rikthyer te zgjerimi. Dikur, zgjerimi ishte përgjigjja e Europës ndaj përfundimit të Luftës së Ftohtë dhe ne arritëm të pranonim me sukses 13 shtete të reja anëtare.
Sot, zgjerimi është sërish pjesë e një debati shumë më të gjerë për mënyrën se si do ta formësojmë të ardhmen e Europës, për të garantuar paqen, lirinë dhe mirëqenien për dekadat që vijnë. Këtë e shohim edhe te shpejtësia me të cilën disa vende kandidate po ecin përpara. Vetëm këtë vit kemi arritur më shumë rezultate se në çdo vit tjetër gjatë 25 viteve të fundit. Zgjerimi i sotëm po zhvillohet në një mjedis gjeopolitik shumë më konkurrues. Po përballemi me kundërshtarë që duan të pengojnë procesin dhe të dëmtojnë vendet kandidate, ndërsa objektivi i tyre kryesor jemi ne, Bashkimi Europian. Rusia kërkon të zhbëjë procesin e bashkimit europian dhe përgjigjja jonë është: Nuk do ta lejojmë të ndodhë!”, deklaroi Kos.
-
Kur e keni kuptuar qe Rusia po pengon futjen e Ballkanit perndimor ne BE,cfar prisni pse se fusni.
Përgjigju








Komente
Komento