FUSHE-KRUJE - Palestra dhe shtangat i kanë kushtuar jetën një të dënuari në burgun e Fushë-Krujës. I burgosuri Agron Tahiri, 42 vjeç ishte dënuar për trafikimin e lëndëve narkotike me 7 vjet e gjysmë burg.

Tahiri ka shfaqur mëngjesin e të mërkurës probleme shëndetësore në ambientet e burgut dhe rrugës për në spitalin e Fushë Krujës ka ndërruar jetë. Mësohet se i burgosuri ka dalë normalisht për të marrë ajër si çdo mëngjes në ambiente të veçanta të burgut, por papritur ka rënë në tokë pa ndjenja.

Mjekët larg syrit të kamerave pohojnë se 42-vjeçari ka mbërritur në spital i pajetë dhe dyshohet se një atak kardiak ka qenë shkak i vdekjes së tij. “Asnjë shenjë jetë, asnjë gjë. I kena bërë një gjilpërë se mos jep shenjë... nuk ka dhënë asnjë lloj gjëje”, i tha njëri prej tyre korrespondentit të A1Report.

Menjëherë u ngrit një grup hetimor dhe nga ekspertiza paraprake rezultoi se 42-vjeçari ka ndërruar jetë si pasojë e një “ataku kardiak në kohën e ushtrimeve në palestër”. Si pasojë, është rrëzuar përtokë dhe ka vdekur gjatë rrugës për në spital, mësoi Shqiptarja.com nga burime pranë hetimeve.