Fushata si armike e së majtës

Fushata si armike e së majtës
Të dielën pasdite kundërthënie dhe skupet në kampin e majtë shënuan një koktel të pazakontë, aq sa një vëshgues i hollë i jetës politike në vend, bastvënës pa zemër i rrotacionit, u dëgjua t’u thoshte miqve të tij socialistë një frazë lapidare, ngjyer me humor të zi dhe dëshpërim. Fraza ishte: “I vetmi shans që keni për të shpresuar fitoren është të ndalni fushatën”.

Çfarë kishte ndodhur? Në një anë shija intelektuale dhe ajo popullore ishin bombarduar me konventën e prezantimeve histerike të kandidatëve dhe aleatëve të PS-së, ku njohja dhe merita mbyteshin pamëshirshëm në anonimatin numerikisht sundues të atij mjedisi dhe ku Edi Rama, në një akt tjetër të talljes krijuese, kishte rrëmbyer nga panteoni kombëtar portretet e korifenjve të kulturës për t’i përdorur si stoli në sfondin e paradës së tij mediokre, deri analfabete, të cilën kishte guximin dhe kënaqësinë ta paraqiste si skuadër kombëtare të rilindjes kombëtare!

Konventa e prezantimeve histerike ishte e shëmtuar jo vetëm për këtë shkak. Më kujtohet, vite më parë, Teatri i Tiranës, në fund të një festivali mëtoi të imitonte ceremoninë e ndarjes së çmimeve Oskar. Gjithçka dukej si estradë, estradë e dhimbshme, por duke parë se disa prej aktorëve e kishin marrë seriozisht këtë plagjiaturë, nuk mund të mos ndjeje keqardhjen e thellë dhe neverinë që shkakton imitimi në provincë i zakoneve metropolitane. Imitimi në provincë i zakoneve metropolitane konsiderohet në fakt kulmi i provincializmit.

Imagjinoni tani se sa e papërtypshme është, për çdo lloj stomaku që ka parë pak botë me sy imitimi i paradave të yjeve në konventën e një partie politike shqiptare. Vëzhguesit të sipërcituar, që mbështet pa zemër rrotacionin, ndoshta do t’i kishte mjaftuar kjo për të thënë frazën e tij të hidhur. Mirëpo hyneret majtiste paskeshin qenë në seri atë të dielë pasdite. Doli fjala se një politikan tashmë i vjetër, duke dashur të pikturojë larminë e kryeqytetit shqiptar, e paskësh krahasuar Tiranën me Jeruzalemin! Sa e rëndësishme është kultura për ata që kujtojnë se dinë!

Dhe fill pas kësaj thagme, të rekuperueshme gjithsesi, pasi injoranca ka kosto minimale në politikën tonë, ja ku mbërriti nga Skrapari deklarata patjetër e porositur e Nasip Naços se Ilir Meta do të jetë kryeministrit i së majtës së bashkuar pas 23 qershorit. Nëse kjo e majtë fiton zgjedhjet. Kjo ishte kryethagma që duhet t’u ketë rënë si bombë Edi Ramës dhe mbështetësve të tij. Ende pa filluar fushata zyrtarisht, e majta e bashkuar lajmëron me zërin e LSI-së se do të startojë dhe shkojë drejt ditës së zgjedhjeve si këmbët e dhisë.

Kjo do të thotë se hallvës që Rama dhe Meta kanë pjekur prej një viti dhe marrëveshjeve dypalëshe e shumëpalëshe që u nënshkruan me salltanet para pak ditësh u mungon një pikë thelbesore. Pika se kush është kryeministri hije, kush do të jetë kryeministrit i ardhshëm në rast fitoreje të së majtës. Nuk dihet a e kanë trajtuar këtë çështje Rama dhe Meta në takimet e tyre, ndoshta nuk e kanë zënë fare në gojë dhe gjasat janë të mos e kënë zënë fare në gojë, përndryshe nuk do të konkuronin të dy si kryeministra hije. Vetë shmangia e çështjes flet shumë për të çarat dhe pikpyetjet e paktit që kanë bërë. Publiku, gjithsesi, nuk do të kishte kuptuar gjë po të mos “ i fliste shpirti” Nasip Naços.

Në pamje të parë duket se kjo deklaratë është bërë për të shtuar votat për LSI-në, duke shkuar me mendimin se njerëzit votojnë me shumë ata që konkurojnë për të qënë në krye se sa ata që konkurojnë për të qenë pas tyre. Sidoqoftë, pasojat e një deklarate të tillë në rrafshin e marrëdhënieve brënda së majtës janë të mëdha. Ka ndodhur që një koalicion partish të indikojë njëzëri për kryeministër një aleat pa shumë peshë elektorale, siç ka qenë rasti i Romano Prodit në Itali.

Por në mungesë të një marrëveshjeje të tillë nuk kemi dëgjuar që aleatët më të vegjël të partisë së madhe të kënë pretendime për postin e kryeministrit. Pretendime të tilla gërryjnë parimet e respektit mbi të cilin ngrihet një koalicion partish dhe janë në kundërshtim me ligjin apo zakonet që indikojnë kurdoherë si kryeministër hije kryetarin e partisë më të madhe të opozitës. A është LSI partia më e madhe e së majtës në Shqipëri? Jo. A ka shanse LSI të bëhet partia më e madhe e së majtës në Shqipëri përgjatë tridhjetë ditëve të fushatës? Jo.

Sondazhet e çdo lloji e tregojnë atë rreth tetë herë më të vogël se PS, një diferencë që nuk mund të mbyllet kurrë në harkun e një fushate elektorale. Mekanizmi i vetëm i Metës pët të shërbyer ambicie si këto që artikulojnë zëdhënësit dhe bashkëpunëtoret e tij të ngushtë është pakica bllokuese. Në këtë kontekst , “Meta kryeministër” tradhëton në një plan më të gjerë mendimin “ Rama, jo kryeministër”. Ditë të vështira për kryetarin e PS-së. Dhe nuk mund të ndodhë ndrydhe për një politikan që heq dorë nga moraliteti si arma më e vyer e opozitës në betejat e saj. Rama nuk do të mund të pretendojë nga aleati i tij i ri atë që ka mohuar për t’u bashkuar me të. Do s’do, ai do të jetë deri në fund lodra dhe vegla e tij.

Pretendimi kryeministror i Metës pritet ta trazojë edhe më kuadrin tashmë të trazuar të së majtës. Deri dje, duke parë tërheqjen e Ramës pas 1 prillit nga shumë blloqe te programit elektoral, kemi thënë e argumentuar se armiku i tij më i madh janë tridhjetë ditët e fushatës. Tridhjetë ditë janë shumë për të mos thënë asgjë. Por të dielën u pa se ka më keq, se me fjalë e hartime edhe shtyhet deri në fushatë, ndërsa budallalleqet, provokimet dhe hilerat brënda llojit justifikojnë shprehjen sarkastike që cituam në krye të këtij shkrimi.

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 21.05.2013

Redaksia Online
(b.m/sqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Dosjet/ 'Me Bajrët je në burg, ose varr! Mos i ki besë policëve!’ Si e paralajmëroi Suel Çela ‘gjahtarin’ Prekë Kodra dhe çfarë i premtoi

Dosjet/ 'Me Bajrët je në burg, ose varr! Mos i ki besë policëve!’ Si e paralajmëroi Suel Çela ‘gjahtarin’ Prekë Kodra dhe çfarë i premtoi