TIRANE- Policia e Durrësit bën të ditur se shpërthimi i tritolit nuk ka shkaktuar dëme të mëdha në linjën hekurudhore Vorë- Shkodër. Ndërkohë që 10 persona u shoqëruan pasi dyshohet se kanë lidhje me ngjarjen.

Sasia e tritolit iu vendos linjës hekurudhore Vorë- Shkodër, pranë fshatit Gramëz, në Fushë Krujë mbrëmjen e djeshme, ndërkohë që Gjatë orëve të para të mëngjesit të ditës së sotme u konstatua dëmtimi. Dëmtimi shkaktoi ndërprerjen e lëvizjes së trenave.

SHPERTHIMI
"Struktura për hetimin e krimeve, ekspertë të Policisë Shkencore dhe specialistë të xhenios kryen veprimet e para hetimore lidhur me këtë ngjarje, nga të cilat rezultoi të jetë dëmtuar linja hekurudhore në rreth 30 cm; dëmtim i cili nuk ka penguar lëvizjen e trenave në këtë segment."- thuhet në deklaratën e policisë të publikuar mesditën e sotme. Struktura për Krimet e Rënda Durrës e Krujë ka organizuar punën për hetimin e kësaj ngjarje dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të autorëve të saj. Gjatë paradites së sotme janë shoqëruar në ambientet policore lidhur me këtë ngjarje 10 persona. Nga të dhënat e para mendohet se prapa shpërthimit është qëllimi I marrjes së hekurit për ta shitur për skrap, por nuk konfirmohet nga policia.

RIPARIMI
Një grup specialistësh hekurudhorë punuan për të riparuar dëmet e shkaktuara nga shpërthimi natën e kaluar. Drejtori i përgjithshem i hekurudhave shqiptare, Zamir Ramadani, deklaroi për  ATSH-në se puna për riparimin e linjës së dëmtuar nisi rreth orës 07.30, kur u konstatua dëmi i shkaktuar nga shpërthimi i eksplozivit.  Sipas tij, qarkullimi i trenave rifilloi rreth orës 13.00. Fillimisht në linjë udhëtoi treni i udhëtarëve që ishte nisur paradite nga Shkodra dhe ishte bllokuar në stacionin e Lezhës në pritje të normalizimit të situatës. Më pas lëvizja e trenave vazhdoi normalisht.

SEKUESTROHEN ARME
Policia ushtroi dhe disa kontrolle banesash, gjatë të cilave u gjetën dhe ue sekuestruan edhe këto armë e municione: 1 armë zjarri, pistoletë model 54, 1 armë gjahu, 150 copë fishekë pistolete model 54, 200 copë fishekë automatiku model 56. Për poseduesit e këtyre armatimeve vijon puna për procedimin penal të tyre.
(sg/shqiptarja.com)