TIRANË- Tashmë është zyrtare dhe më datë 5 dhjetor 2014, do të marr jetë përballja e "legjendave", skuadra e Kanavaros kundër skuadrës së Figos.
Miqësorja, fondet e të cilës do të shkojnë për bamirësi do të zhvillohet në Bankok, në orën 20:00' (ora lokale), në stadiumin kombëtar të Tailandës, "Rajamangala", 49,722 vendësh.
Kjo përballje, pjesë e ligës së Legjendës, ka në thelb të saj mbledhjen e disa prej legjendave të futbollit botëror në një ndeshje miqësore për të grumbulluar sa më shumë para, të cilat do të shërbejnë për të ndërtuar shkolla, kopshte, spitale në Afrikë dhe në vendet ku ka më shumë nevojë.
"Ne duhet të ndihemi krenar për këtë mundësi që na jepet. Është një ëndërr që përmes futbollit të mbledhim fonde për t'ja dërguar vendeve më në nevojë", është shprehur Fabi Canavaro, futbollisti italian që ka fituar Topin e Artë në 2006-ën, pas shpalljes kampion bote me Italinë. Kanavaro më tej shton se Liga e Legjendave kudo që ka shkuar, Japoni, Kinë..etj, ka korrur një sukses të jashtëzakonshëm. "Bileta për ndeshjen e 5 dhjetorit arrin deri në vlerën 15 dollarë dhe të gjithë duhet të jenë të pranishëm, pasi veç spektaklit që legjendat e futbollit botëror do të dhurojnë, parat e grumbulluara nga shitja e biletave do të shkojnë për bamirësi, çka duhet t'i bëjë të gjithë njerëzit të ndjeshëm karshi kësaj çështje humane", vijoi Kanavaro.
Organizatorët e Ligës së Legjendës mbledhin çdo vit disa prej legjendave të futbollit botëror dhe zgjedhin një lokalitet të caktuar për të zhvilluar këtë miqësore./ATSH/