Për këdo që thotë se futbolli është vetëm një lojë gabohet. Dhe rasti i Jonit të vogël e vërteton këtë. Në 2025 familja e tij i shkroi FSHF-së, duke iu drejtuar me një kërkesë të veçantë. Joni po përgatitej të hynte në një operacion të vështirë në kuadër të trajtimit të tij për kancerin dhe familja kërkonte një video inkurajuese nga Kristjan Asllani, një prej futbollistëve të tij të preferuar.
FSHF-ja iu përgjigj kërkesës dhe Joni mori mesazhin e Asllanit në një moment të vështirë të jetës së tij.
Rreth një vit më vonë, familja e Jonit na kontaktoi sërish federatën: Joni kishte kaluar një periudhë të vështirë trajtimi, përfshirë kimioterapinë, dhe ishte në rrugën e rikuperimit. Sipas familjes, mesazhet dhe mbështetja e Kombëtares kishin qenë një motivim i veçantë për të gjatë kësaj periudhe.
Kësaj here, FSHF-ja vendosi ta surprizonte Jonin me më shumë mesazhe nga futbollistët e Kombëtares. Asllani, Hysaj, Mitaj, Strakosha, Hoxha dhe Shehu i dërguan fjalët e tyre të mbështetjes dhe urimet për të.
Por historia nuk u ndal aty.
Për ndeshjen Shqipëri–Bjellorusi, Joni u ftua të ishte i pranishëm në stadium. Ai pati mundësinë të takonte nga afër futbollistët e Kombëtares në hotelin e ekipit dhe më pas përjetoi një tjetër moment të veçantë: zbriti në fushë si shoqërues i Kristjan Asllanit para fillimit të ndeshjes.
Nga një mesazh i dërguar në një moment të vështirë, te takimi me lojtarët dhe prania në fushë me Kombëtaren, historia e Jonit u kthye në një lidhje të veçantë mes një tifozi dhe ekipit që ai ka mbështetur gjatë gjithë kësaj periudhe.








Komente
Komento