Një lajm i trishtë ka ardhur për futbollin në vendin tonë veçanërisht për dashamirësit e skuadrës së Tiranës.
Koronavirusi i ka marrë jetën në moshën 76-vjeçare ish-presidentit të klubit, Metush Seferit.
Prej ditësh ai po kurohej ndaj koronavirusit por nuk arriti t’i mbijetonte.
Metush Seferi ka qenë presidenti i Tiranës gjatë viteve 1993-1998.
Në epokën e tij, Tirana, arriti që të fitonte tri tituj radhazi kampion, dy Kupa të Shqipërisë dhe një Superkupë.
Lajmi kryesor:
1152 raste të reja me COVID, humbin jetën 12 persona! Situata e rënduar edhe në spitale! Ndërron jetë mjeku në Durrës
Për ndarjen nga jeta të ish-Presidentit të klubit të Tiranës, Metush Seferit ka reaguar Presidenti i FSHF-së, Armand Duka.
Përmes një postimi në Facebook, Duka shkruan se Metushi ka dhënë një kontribut të vyer në radhët e skuadrës kryeqytetase gjatë viteve 90.
Postimi i plotë i Dukës:
Një tjetër humbje në botën e futbollit na trishton sërish. Virusi i mori jetën Metush Seferit, ish-Presidentit të Tiranës, që fatkeqësisht nuk ia doli të fitojë betejën me virusin COVID-19.
Metushi dha një kontribut të vyer në radhët e skuadrës kryeqytetase në vitet '90 duke fituar disa tituj kampion, e duke mbetur në mendjet e tifozëve të Tiranës.
I shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes, të afërmve dhe miqve të tij. Familja e futbollit do ta kujtojë si nja nga kontribuesit e çmuar të futbollit kryeqytetas dhe atij shqiptar. I paharruar qoftë kujtimi i tij!