Me birra, këngë, duke kërcyer dhe improvizime është festuar trofeu i kampionëve të Europës në dhomën e zhveshjeve të Manchester City-t. Një festë e papërmbajtur shpërtheu në stadiumin Ataturk të Stambollit pasi Manchester City mposhti 1-0 Interin në finalen e Champions League, ndërsa në qendër të festimeve ishte autori i golit të vetëm Rodri.
Si asnjëherë më parë ka shpërthyer festa edhe në ‘fan zonen’ e Manchester City-t në Angli. Me mijëra tifozë kanë brohoritur si të çmendur në momentin e golit historik. Sakaq festa me autobusin e hapur është caktuar të zhvillohet të hënën në qytet.
Ndërkohë në momentet e para pas disfatës një trishtim i madh mbërtheu 43 mijë tifozët e Interit të cilët ishin mbledhur në stadiumin San Siro për të ndjekur sëbashku finale.
Megjithatë tifozët zikaltër treguan se janë të veçantë dhe vetëm pas pak çastesh duartrokitën ekipin, që këtë sezon bëri të papriturën duke shkuar deri në finale të Champions League. Jo vetëm kaq, por në orët e para të së dielës tifozët e Interit ishin të mbledhur në ‘Piazza Dumo’ për të kënduar edhe pse në Stamboll skuadra nuk kishte shumë minuta që humbi finale.
Një tifoz shqiptar i Interit e ka përjetuar shumë keq humbjen e finales së Champions League ndaj Manchester City-t. Përkundër kërkesës së miqëve të tij ai e ka marrë televizorin nga dhoma dhe e ka thyer në oborr. ‘Lene o G, s’ia vlen për Interin,’-i thotë një shok tifozit të Interit, por ai nuk e dëgjon.
Fillimisht tifozi e ka përplasur në tokë televizorin, ndërsa më pas e ka goditur me grushte dhe shqelma.