"Takimin e kërkova unë në të mirë të debatit. Kam përshkruar arsyet e kandidimit tim, sepse edhe për mua pranimi i propozimit nuk ka qenë i lehtë", tha Zaganjori për mediat jashtë selisë së PS.
Kreu i PS, Edi Rama nuk ka bërë asnjë koment pas takimit me kandidatin e propozuar nga mazhoranca për Presidentin e ri të vendit.
FYLE I SHKRUAN RAMES E BERISHES
Komisioneri për Zgjerim i Bashkimit Europian (BE), Stefan Fule, i ka dërguar një letër konfidenciale Kryeministrit Sali Berisha dhe kreut të opozitës, Edi Rama, bëri të ditur Top Channel. Lajmi nuk është konfirmuar nga dy selitë politike. Sipas burimeve të televizionit në fjalë, Fule në letrën e tij ka shprehur dëshirën e BE që zoti Sanino, që do të vizitojë Tiranën me datë 7 qershor, ta gjejë vendin me një president të ri.
“Dëshira e Brukselit ka qënë dhe mbetet zgjedhja sa më e shpejtë e Presidentit sipas gërmës dhe frymës së Kushtetutës. U takon partive politike shqiptare që të bëjnë të mundur që kjo situatë të kapërcehet, e të mos krijohen probleme shtesë. Ne do të dëshironim që zoti Sanino ta gjente Tiranën me kreun e ri të shtetit, në mënyrë që palët të angazhohen plotësisht në tryezë për të mbyllur reformën zgjedhore e gjithçka që ka të bëjë me zgjedhjet”, thuhet ndër të tjera në këtë lëtër, në mënyrë të përmbledhur, sipas burimeve të Top Channel.
Nëse përmbajtja e letrës në fjalë është e saktë, politika shqiptare do të duhet të gjejë një konsensus brenda raundit të dytë të votimit në Parlament, të programuar tashmë për të hënën 4 qershor.
TAKIMI RAMA-BERISHA TE DIELEN
Shqiptarja.com ka arritur të konfirmojë se Kryeministri Berisha dhe kryesocialisti Rama vërtetë do të takohen, por jo gjatë ditës së sotme siç thuhej në shtypin e ditës, por të djelën paradite. Ora e takimit mësohet se nuk është përcaktuar ende. Negociator i këtij takimi mes dy rivalëve politikë duket se është kreu i LSI-së, Ilir Meta.
PS ZBARDH TAKIMIN, RAMA: NUK VOTOJME KANDIDATE PA DIALOG
Kryetari i Partisë Socialiste takoi sot në selinë rozë zotin Xhezair Zaganjori me kërkesën e këtij të fundit.
Kryesocialisti dëgjoi me vëmendje gjithë çfarë dëshironte t’i shprehte zoti Zaganjori, lidhur me paraqitjen e emrit të tij nga ana e qeverisë si kandidat potencial për President i Republikës.
Nga ana e tij, Edi Rama i tha zotit Zaganjori se Partia Socialiste vazhdon të kërkojë një proces deri këtu të munguar, ku të gjitha palët parlamentare të përfshihen në një dialog konstruktiv.
Për Partinë Socialiste mbetet shumë e qartë se nga një proces dialogu konkret mes qeverisë e opozitës dhe konsultimesh intensive mes palëve parlamentare duhet të shkohet drejt emrit të Presidentit të ri të Republikës, jo anasjelltas. Prandaj edhe Partia Socialiste nuk do ta mbështesë në asnjë rast një kandidaturë të paraqitur pa proces dhe në rrugë krejt të njëanshme nga qeveria. Kjo, theksoi kryesocialisti gjatë takimit, vlen konkretisht qoftë për kandidaturën e zotit Xhezair Zaganjori, qoftë për çdo kandidaturë që do të paraqitej apo paraqitet nga qeveria nëse mungojnë dialogu konkret dhe konsultimet e domosdoshme për gjetjen e një kandidati apo kandidateje të dakordësuar mes qeverisë e opozitës.
Kryetari Edi Rama dhe Partia Socialiste mbeten plotësisht të angazhuar për një proces politik dobiprurës, në funksion të kalimit të provës shumëplanëshe ku e ka vënë Shqipërinë dhe politikën shqiptare si e tërë zgjedhja e Presidentit të ri të Republikës. Kohë për të humbur si deri më sot nuk ka dhe konsultimet duhet të nisin menjëherë, në një tryezë dialogu konkret të nivelit më të lartë mes palëve për t’i dhënë një shans real raundit të dytë dhe vetë Shqipërisë. Vetëm kështu mund të ndërtohet konsensusi i domosdoshëm që do të zgjidhte pozitivisht njërën nga katër pikat kyçe të paketës për të synuar statusin e vendit kandidat në BE, atë të zgjedhjes së Presidentit të ri, si edhe do të krijohej hapësira e nevojshme kohore për të ecur shpejt drejt zgjidhjes konsensuale të tre pikave të tjera.
ASNJE KOMENT ME IDRIZIN
Menjëherë pas takimit me kryesocialistin, kandidati Xhezair Zaganjori i është drejtuar lokalit "Princ Park" në Tiranë ku është takuar me kreun e PDIU, Shpëtim Idrizit. Pas takimit prej 45 minutash, asnjë prej tyre nuk ka dhënë komente për median.
TAKIMI ME BASHEN
Burime nga Shqiptarja.com bëjnë me dije se pak para se të zhvillonte takim me Edi Ramën, kandidati i mazhorancës për president ishte takuar me kreun e bashkisë së Tiranës Lulzim Basha te bar "Piaca".
(aq/ns/shqiptarja.com)