Komisioneri për Zgjerimin dhe Fqinjësinë e Mirë në Komisionin Europian, Stefan Fyle, i cili vizitoi për herë të fundit Tiranën në këtë cilësi, dha mesazhin e fortë ndaj opozitës se mënyra europiane e të bërit politikë nuk është në rrugë por në parlament.
Në një konferencë të posaçme me kryeministrin Rama, dy zyrtarët thanë publikisht zhvillimet e takimit me dyer të mbyllura me pjesmarrjen e opozitës, te perfaqesuar nga Kryetarja e Komisionit të Integrimit, Majlinda Bregu dhe dy deputetet e PD, Eduard Halimi dhe Arben Ristani.
Apeli i eurokomisionerit ndaj opozitës vijoi edhe për krijimin e Këshillit Kombëtar të Integrimit, për të cilin të djathtët nuk po japin dakordësi, ku theksoi se palët duhet të bashkëpunojnë si një nga pikat kyçe për synimin e vendit në integrimin evropian.
Për herë të parë nga kjo konferencë kryeministri Rama shprehu gadishmërinë e qeverisë për të dëgjuar çdo kërkesë të arsyeshme të opozitës, ndërsa deklaroi se mazhoranca është gati të votojë të enjten në parlamament komisionet hetimore për serverin e tatimeve dhe emërimet në administratë, dy kërkesa në vazhdimësi të opozitës.
Axhenda zyrtare e eurokomisionerit nisi rreth orës 09:15 me një takim me kryetarin e Kuvendit, Ilir Meta në mjediset e kryesisë së Kuvendit. Gjatë këtij takimi, eurokomisioneri Fyle, theksoi se marrja e statusit për Shqipërinë sjell përgjegjësi të reja për vendin, të cilat kërkojnë siç nënvizoi ai më tepër pjekuri të palëve politike në Parlament. Axhenda e Fyles vijoi më tej me takimin me kryetarin e Partisë Demokratike Lulzim Basha dhe kryeministrin Edi Rama.
Tryeza e Dialogut te Nivelit te Larte Shqiperi-BE është e para pas marrjes së statusit të vendit kandidat në Bashkimin Evropian nga Shqipëria në muajin Qershor, kur u mbajt edhe tryeza e tretë, si dhe para publikimit të raportit të progresit për Shqipërinë.
Dialogu nisi në nëntor 2013 me synim intensifikimin e punës së Shqipërisë për 5 prioritetet kyçe. Takimi mbahet para prezantimit të Progres-raportit të KE për Shqipërinë i cili do të bëhet publik në tetor. Ky Dialog nisi vitin e kaluar për të konfirmuar angazhimin e BE-së për ta ndihmuar Shqipërinë në procesin e integrimit të saj në BE, duke rritur shanset e saj për sukses. Raundi i mëparshëm u zhvillua në qershor në Tiranë.
Ora 14:10 Konferenca Rama-Fyle
Fyle: Vendi i opozitës jo në rrugë por në parlament, pengon integrimin
Komisioneri për Zgjerim Stefan Fyle, i bëri thirrje opozitës që të rikthehet në parlament, pasi sipas tij kjo mënyrë politikbërje, që ai e cilësoi në rrugë, pengon procesin e integrimit evropian të vendit në BE.
Duke folur në konferencën e përbashkët me Kryeministrin Rama pas takimit të kartët të Dialogut të Nivelit të Lartë “Shqipëri-BE”, eurokomisioneri i bëri apel palëve që të gjejnë kompromis për prioritetet kyçe të vendit, pasi siç theksoi fitues janë Shqipëria dhe shqiptarët.
Lidhur mesazhin e dërguar përmes Twitterit për opozitën që t’i japë fund bojkotit , Fyle u shpreh se përgjegjësia është e të dyjave palëve, duke shtuar se dritarja e hapur sot me ardhjen e tij në Tiranë, të vazhdojë.
“Natyrisht që unë kam shkruar në Tëitter për institucionet më të rëndësishme, dhe bëra një shkrim për forcat politike që të përfaqësohen në parlament që të arrijnë një kompromis. Në fakt unë kam dëgjuar shqetësimet e opozitës. Dhë në të njëjtën kohë e kam bërë të qartë, që të dalësh nga parlamenti dhe të sillet politika në rrugët e vendit, nuk është mënyra evropiane dhe kjo nuk e ndihmon vendin që ta sjellë Shqipërinë drejt integrimit. Gjatë diskutimeve të sotme kemi parë një arritje dypalëshe, unë kam bërë thrrje, sepse përgjegjësia është e të dyja palëve, që ta përdorin këtë dritare që është hapur sot, që të sigurohet që fitimtari nuk është kjo parti apo ajo parti politike por shqiptarët.” theksoi Fyle
Fyle: Bashkëpunoni për krijimin e Këshillit Kombëtar të Integrimit
Fyle vijoi apelin e tij edhe në lidhje me krijimin e Këshillit Kombëtar të Integrimit, ku u shpreh që palët duhet të bashkëpunojnë, si një nga pikat kyçe për synimin e vendit në integrimin evropian.
Duke marrë shembull nga vizita e Papa Françeskut, dhe kompromisit të treguar nga palët, Fyle nënvzioi se vizita provoi që mund të ketë bashkëpunim të frytshëm mes mazhorancës dhe opozitës.
“Tre janë pikat kryesore për Shqipërinë, e para, angazhimin tonë për të ardhmen tonë evropiane të Shqipërisë, e dyta, mënyrën për të vazhduar me reformat, dhe e treta rëndësinë e kompromisit. Unë po i përsëris edhe një herë gjatë vizitës sime të fundit, jo se nuk mendoj të them ndonjë gjë të re, por këto gjëra nuk duhet t’i harroni. Takimi i sotëm është edhe një herë angazhimi për të punuar me Shqipërinë që ritmi i reformave vazhdon për të çuar në çeljen e negociatave me BE. Dhënia e statusit ishte njohje e progresit të bërë nga vendi, dhe sot jemi të përqëndruar në planet e Shqipërisë për prioritetet kyçe për çeljen e negociatave. Kemi pasur vëmendje të veçantë me shtetin e së drejtës. Ju përgëzoj për ngritjen e grupeve të përbashkët të punës, dhe do ta ndihmojnë Shqipërinë të fokusohet në prioritetet kyçe dhe marrjen e masave. Në mënyrën që të ecni përpara, integrimi duhet të jetë gjithëpërfshirës, dhe unë e di se këtu ka konsensus, ndaj ju bëj thirrje qeverisë dhe opozitës që të bashkëpunojnë që të ngrenë Këshillin Kombëtar të Integrimit që të kanalizohen të gjitha palët e interesuara. Vizita e papës tregoi se ishin të bashkuar për tolerancën fetare, dhe ky duhet të jetë edhe shembulli që të shohin panoramnën më të gjerë për integrimin në BE. sepse në fund do të ketë vetëm një fitimtar, shqipëria dhe shqiptarët dhe unë jam krenar për shqipërinë dhe shqiptarët.” tha eurokomisioneri.
Rama : Të gatshëm t’i përgjigjemi cdo pretendimi të arsyeshëm të PD
“Ky sesion vlejti për t’u takuar me opozitën si dhe për të rishprehur vullnetin tonë për reformat. Mbetemi të vendosur për të bërë reformat që kanë munguar me vite dhe po ashtu jemi të vëmendshëm për të krijuar kushtet për gjithëpërfshirje. E theksoj gjithpërfshirjen sepse në kushtet kur vendi ynë ka nevojë për kontribute politike reale ne na takon si shumicë qeverisë të mos lejojmë përsëritjen e historisë. Kemi qenë dhe jemi të ndjeshëm ndaj këtij detyrimi që e ndjejmë si detyrim ndaj vetes dhe zgjedhësve të këtij vendi që u jemi zotuar se asgjë që e provuam në kurriz si pasojë e padrejtësive të pushtetit opozita nuk do ta provojë gjatë qeverisjes sonë. Opozita është në hall të madh dhe ka të drejtën e vet të përdorë ilaçin e gabuar. Ky takim ishte për të nënvizuar se jemi të gatshëm t’i përgjigjemi çdo pretendimi të arsyeshëm të PD për tu kthyer në Kuvend. Kemi dëgjuar të betohen se s’do kthehen pa marrëveshje. S’e di cdomethënë kjo marrëveshje, por ne jemi të hapur për çdo kërkesë, mjaft të mos na kërkojnë që të mos marrim vendime kur ata s’janë dakord me ne. Që të enjten jemi të gatshëm për të miratuar çdo komision hetimor të kërkuar nga PD. Në legjislacion ekziston dëshmia e penalitet, ne i jemi referuar dëshmisë së penalitetit kur kemi bërë zgjedhjen e deputetëve tanë, por nëse PD ka ndonjë vizion strategjik lidhur me si mund të pengohen njerëzit të marrin pjesë në jetën politike, administratë, ne jemi gati të ulemi dhe të shohim versionin e tyre, për më tepër që ata kanë njerëz që kanë bërë burg që marrin pjesë dhe në dialogun e nivelit të lartë dhe e dinë mirë se ç’është liria për t’u zgjedhur dhe dënimi për t’u kryer”. Incident në sy të Fyles/Rama-Ristanit: Ke bërë burg. Deputeti: Ti je rrugaç
Rama: Ndokën e dënoi kryesia. Po mendojmë sanksione deri në përjashtim nga grupi për rastet e dhunës
Duke iu referuar dhunës në parlament, të deputetit Arben Ndoka ndaj ligjvëniësit demokrat Gent Strazimiri, Rama tha Kuvendi e dënoi si veprim, ndërsa tregoi distancimin e qeverisë, në kushtet kur deputeti është marrë i pandehur dhe do të gjykohet. Ai tha se në dokumentin e rishikuar të rregullave të funksionimit të grupit parlamentar të PS do të ketë sanksione deri në përjashtim nga grupi, në rast të sjelljeve të ngjashme të dhunës.
“Opozita e braktisi parlamentin me pretekstin se u dhunua fizikisht. Si asnjëherë më parë dhe këtu të gjithë jemi dëshmitarë, jo vetëm që ne e dënuam moralisht aktin e dy deputetëve tanë, por ai u ndëshkua nga kryesia e Kuvendit dhe sot gjë e pandodhur ndonjëherë në historinë e parlamentin ata janë nën akuzë nga Prokuroria dhe do të dalin në gjyq dhe në gjyq do të mbrojnë veten. Ne jemi distancuar dhe distancohemi hapur ndaj çdo veprimi që bie ndesh me etikën e bashkëjetesës në kuvendin e Shqipërisë dhe në jetën politike shqiptare. Madje ne do të shkojmë edhe më tej dhe në dokumentin e rishikuar të rregullave të funksionimit të grupit tonë parlamentar që përfundon së shpejti: Do të ketë sanksione të panjohura më parë për çdo sjellje të kësaj natyre, deri në përjashtim nga grupi parlamentar i PS”, tha Rama.
Rama: Diskutojmë kërkesat e opozitës...por mos na kërkoni ti bëjmë babysitterin
“Nëse është larguar për ato që thotë ne jemi të gatshëm të votojmë komisionet hetimore që kërkon opozita, do të diskutojmë për çdo propozim në lidhje me gërmimin ligjor në të shkuarën e njerëzve kur janë kandidatë për në administratë, politikë...Por askush të mos na kërkojë të bëjmë babysitterin e opozitës. Këtë nuk e bëjmë dot, opozita duhet të rritet vete dhe të ecë vetë”, tha Rama.
Rama: Fyle duhet të jetë i kënaqur me ne...të dyja palët u ankuan në kohë të ndryshme
“Falënderoj komisionerin për gjithë këto vite marrëdhëniesh intensive shpesh herë të tendosura mes nesh, ku herë opozita herë qeveria jemi ankuar sepse Stefani ka anuar nga pala tjetër. Në fakt komisioneri duhet të jetë i kënaqur për punën e tij me ne, sepse të dyja palët janë ankuar për të në kohë të ndryshme...nuk ka qenë e lehtë për Shqipërinë koha e shërbimit të Stefan Fyles si komisioner, e cila ka nisur fill pas zgjedhjeve të kontestuara të 2009 e deri për të arritur në zgjedhje të lira në 2013 dhe kulmuar me marrjen e statusit. Përtej përjetimeve të këqija, me 21 janarin që mbetet i hapur sa drejtësia të bëjë drejtësi, bilanci i tij konsiderohet shumë pozitiv. Kjo konsideratë për bilancin s’do të ishte e tillë pa kontributin e përkushtimin me durim të Fyles ndaj Shqipërisë dhe ecurisë së vendit tonë drejt BE. Në emër të popullit dhe vendit tonë e falënderoj me mirënjohje për gjithçka bëri për të na ndihmuar. I uroj shëndet, fat, sukses në detyrat e reja”.
VIDEO- Fyle takon Ramen
Fyle takon Bashen Kreu i PD: Bashkepunojme per reformen ne drejtesi....Parakushti per paqen? Rama te dekriminalizoje parlamentin!
Ora 09:50 Pas kryeparlamentarit Meta, Fyle është takuar në zyrat e BE-së me kreun e Partisë Demokratike Lulzim Basha.
Fyle takon Meten: Tregoni pjekuri politike ne Parlament
Ora 09:15 Eurokomisioneri Stefan Fyle e nisi takimin e parë zyrtar në Tiranë me kreun e Kuvendit të Shqipërisë, Ilir Meta. Takimi u zhvillua në ambientet e kryesisë së Kuvendit. Në fjalën e tij Fyle, tha se marrja e statusit për Shqipërinë sjell përgjegjësi të reja për vendin, të cilat kërkojnë më tepër pjekuri të palëve politike në Parlament. Fyle, ripërsëriti mbështetjen e Komisionit Europian përkrah vendit tonë, në përshpejtimin e reformave të kërkuara nga ana e familjes evropiane.
Edhe kryeparlamentari Meta shprehu të njëjtin mendim, duke u shprehur se tashmë pas marrjes së statusit kandidat në qershor, Shqipëria ndjen më tepër përgjegjësi për avancimin e reformave kyçe për vendin.
Kreu i Kuvendit, shprehu mirënjohjen e tij edhe për punën dhe dedikimin e eurokomisionerit ndaj axhendës evropiane të Shqipërisë, duke qenë se kjo është vizita e fundit e Fyles në Tiranë në cilësinë Komisionerit për Zgjerim, pasi në bazë të vendimit të marrë nga kreu i KE, Juncker, duke filluar nga 1 tetori ky post do të shkrihet.
Fyle sot për herë të fundit në Tiranë, takon krerët...jo Nishanin
Komisioneri për Zgjerimin ne BE, Stefan Fyle viziton Tiranën në kuadër të Tryezës së Katërt të Dialogut të Nivelit të Lartë Shqipëri-BE. Televizioni A1 Report zbardhi axhendën e Fyles sipas së cilës, eurokomisioneri u takua fillimisht me kryetarin e Kuvendit Ilir Meta në orën 9:15 minuta dhe më pas në zyrat e BE takoi kryetarin e PD Lulzim Basha. Në orën 11.00 eurokomisioneri u takua kryeministrin Edi Rama dhe në 11:30 zhvilloi punimet dhe Tryeza e Dialogut të Lartë për prioritetet kyçe.
Lidhur me bilancin me të cilin shkon Shqipëria në takimin e Dialogut të Nivelit të Lartë kësaj here, Ministrja e Integrimit Evropian, Klajda Gjosha, theksoi disa ditë më parë në një prononcim për mediat disa ditë me parë se, “takimi do të jetë sërish me pjesëmarrjen e Komisionerit Fyle, i cili për fat të keq vjen në Shqipëri për herë të fundit si Komisioner për Zgjerimin."
"Do të diskutohen të gjitha arritjet, që ka pasur vendi. Do të diskutohet vazhdimësia e reformës në drejtësi që është një nga pikat kryesore, por edhe vendimmarrja deri në hapjen e negociatave”, ka thënë ajo.
Dhe pse vizita e tij e fundit si eurokomisioner, Fyle nuk ka parashikuar në axhendën e tij takim me Presidentin Bujar Nishani, për shkak se kreu i shtetit ndodhet në SHBA ku mori pjesë në Samitin e OKB-së.
Bregu: Reforma në Drejtësi, pika kyçe për hapjen e negociatave
Kryetarja e Komisionit të Integrimit, Majlinda Bregu ka bërë të ditur se bashkë me dy kolegët e saj demokrat, do të marrë pjesë në takimin e sotëm në Dialogun e Nivelit të Lartë me BE.
Ajo është shprehur se gjatë këtij takimi do të bëhen prezente problematikat dhe arsyet e qëndrimit jashtë parlamentit të opozitës. Ajo ka kërkuar që kjo reformë të jetë gjithëpërfshirëse, ndërsa ka përmendur se gjatë diskutimit të nesërm nuk do të lihet çështja e të drejtave të njeriut.
“Edhe për ne Parlamenti është vendi ku duhet të zhvillohet debati politik. Por pushteti ka dalë mbi shtetin.”-u shpreh Bregu.