TIRANE- Komisioneri për Zgjerimin, Fyle, u takua dje me ministren e Integrimit, Bregu. Ata diskutuan për procesin e integrimit të Shqipërisë në BE. Sërish Fyle ka vlerësuar miratimin nga qeveria të Planit të Veprimit që adreson rekomandimet e KE për Shqipërinë. Sipas njoftimit thuhet Shqipëria duhet të përdorë të gjithë kapacitetet në mënyrë që të ecë përpara me reformat sa i përket kritereve politike, zbatimit të ligjit dhe të drejtave të njeriut. Fyle vetë thotë se me përparësi duhen marrë reforma zgjedhore dhe ajo për rregulloren e Kuvendit. "Më kanë siguruar se Shqipëria nuk do humbasë kohë dhe do ecë përpara me të gjitha veprimet e nevojshme, në mënyrë që të arrihen rezultate të dukshme në të gjitha fushat. Këto arritje duhet të përfshijnë përfundimin e shpejtë të reformës zgjedhore dhe rishikimin e rregullores së Kuvendit, që do hapin rrugën për progres edhe në fusha të tjera. Më lejoni të nënvizoj rëndësinë e pronësisë së reformave nga të gjithë palët dhe vazhdimin e bashkëpunimit konstruktiv dhe dialogut mes qeverisë dhe opozitës. Komisioni është gati për të vazhduar mbështetjen dhe orientimin për këtë përpjekje të rëndësishme kombëtare, që bëhet dhe më e rëndësishme në një kohë kur i gjithë rajoni po ecën përpara," tha Fyle.