TIRANE - Në Gjykatën e Lartë u zhvillua sot seanca ndaj ish-ministrit të Mbrojtjes, aktualisht ministër i Mjedisit, Fatmir Mediu, i akuzuar për plagosje lidhur me ngjarjen e Gërdecit.

Mediu është paditur në këtë Gjykatë për "plagosje të rënda nga pakujdesia" nga shtetasit Roxhers Durdaj dhe Alketa Hazizaj, të cilët mbetën të dëmtuar në Gërdec. Ata kërkojnë rigjykimin e Mediut, tani që është i pambrojtur nga imuniteti.

Avokatët mbrojtës të Mediut kërkuan pushimin e çështjes, me pretendimin se akuzat janë të pabaza pasi sipas tyre, ndaj ish-ministrit nuk janë vërtetuar akuzat “për vrasje”, prandaj nuk mund të akuzohet edhe “për plagosje të rëndë” me të njëjtat akuza.

Trupi gjykues në Gjykatën e Lartë pasi ka dëgjuar palët në seancë, kërkoi nga pala paditëse të paraqesë provat për rigjykimin e Mediut. Gjykata ka vendosur datën 19 nëntor për seancën e rradhës.

Ndërsa në Gjykatën e Apelit është shtyrë seanca e dytë e çështjes së Gërdecit. Nga 28 të pandehurit e kësaj çështje në sallë ishin vetëm 6, ku pjesa tjetër u përfaqësua nga avokatët mbrojtës.
Kjo seancë u shty, pasi nuk ishte njoftuar Luan Hoxha, ish-shef i shtabit të përgjithshëm të ushtrisë i cili tashmë ndodhet në SHBA.

Hoxha nuk ka marrë njoftim nga oficeri i policisë gjyqësore dhe për këtë fakt gjykata vendosi shtyrjen e seancës.

Gjyqtari kërkoi njoftimin e të pandehurit Hoxha dhe nëse ai nuk paraqitet në seancën e radhës gjykimi do të vazhdojë në mungesë. Ndërkohë seanca tjetër do të mbahet në datën 9 nëntor në orën 09:00.

(eç/shqiptarja.com)