Gaçe: Shtëpia e vërtetë e
Pavarësisë në arkivat e Stambollit

Gaçe: Shtëpia e vërtetë e <br />Pavarësisë në arkivat e Stambollit
“Ta shkruajnë mirë historinë. Sot ende kemi të shkruar një histori të cekët...” i thoshte Odise Paskali. Sot Bardhosh Gaçe, bisedën e paharruar me skulptorin e Popullit e konsideron si një amanet historik. Në këtë 100-vjetor të Pavarësisë së Shqipërisë biseda e bërë shumë vite më parë mes miqsh kthehet në një temë aktuale. Fjalët që Paskali i ka thënë dikur e kanë shtyrë studiuesin e dhjetëra librave me temë historike të shkojë deri në Stamboll për të kërkuar të gjitha gjurmët e Ismail Qemal bej Vlorës. Fotografia ku Ismail Qemali ka dalë në ndërtesën që në atë kohë ishte Selia e Qeverisë së Parë Shqiptare në Vlorë, me rastin e festimit të 1-vjetorit të Pavarësisë më 28 nëntor 1913 na është sevirur për 100-vjet me diçiturën: “Kjo është shtëpia ku u shpall Pavarësia”. Një fakt i tillë lëkund nga themelet shkencën historiografike shqiptare të krijuar gjatë viteve të komunizmit.

bardhosh gace
(Në foto, Bardhosh Gace)

Sipas Bardhosh Gaçes më 28 nëntor 1912 Ismail Qemali e shpalli vërtetë pavarësinë në Vlorë, por nuk është ajo shtëpia ku u themelua pavarësia. Ndodh shpesh që në atë Ballkon pasardhësit e firmëtarëve kërkojnë praninë e tyre në foton me të cilën na kanë gënjyer historianët. Pse nuk janë aty firmëtarët e asaj dite të shënuar. Cila është fotografia e vërtetë e shtëpisë ku u shpall Pavarësia. Ku dhe si u shpall? A mund të thuhet se Selia e Qeverisë me ballkonin e vogël përpara (foto 2) është shtëpia ku u shpall Pavarësia. Kjo foto në arkivat franceze është ruajtur vetëm si dëshmi e selisë qeveritare ku u festua 1-vjetori i shpalljes së pavarësisë më 1913-n dhe jo ku u bë shpallja e Pavarësisë. Këtë foto e solli prej arkivave franceze në një ekspozitë në Muzeun Kombëtar Valter Gjoni. Diçitura ishte: “Selia ku u festua 1-vjetori i Pavarësisë”. Ndërsa për Foton 1, marrë nga arkivat e Stambollit, Bardhosh Gaçe thotë se atje ruhej me shënimin: “Shtëpia ku u shpall Pavarësia e Shqipërisë” më 28 nëntor 1912. Në intervistën për “Shqiptarja.com” studiuesi Gaçe rrëfen të plotë historinë e shtëpisë së vërtetë ku u shpall Pavarësia e Shqipërisë 100 vjet më parë.

shtepia e pavaresise

Zoti Bardhosh, si nisi interesi juaj për të zbuluar shtëpinë e vërtetë të Pavarësisë?

-Unë kam nxjerrë nga arkivat gjithë procesverbalet e shpalljes së pavarësisë. Kam parë që të shkruhet për shembull që “Kryetari i parlamentit fton Azis Gjirokastrën e Fehim Mezhgoranin të ardhur nga lufta me grekët që kishin zaptuar Tepelenën dhe ata mbërritën në shpalljen e pavarësisë. Pavarësia shqiptare nuk mund të shihet jashtë kuadrit të marrëdhënieve me vendet ballkanike. Kam parë se frenimi nga pretendimet e fqinjëve ka nxitur 40 klube patriote që u bënë vatrat e para të kësaj lëvizjeje kombëtare që në 1908-n e më mbrapa, siç janë Kryengritja e Jugut 1911-1912, kuvendi i Fierit në 1911, që ishte shkalla e parë e lëvizjes kombëtare.

Si e gjykon faktin që fëmijët end enë shkolla i thonë shtëpia e Shpalljes së Pavarësisë asaj që nuk është?

-Këtu ka qenë një ushtri e tërë propagande. Në tekstet shkollore vendosej si Shtëpia e Pavarësisë godina ku qeveria e Vlorës kreu funksionet si administratë. Ndërsa shtëpia e Xhemil bej Vlorës duke qenë e bejlerëve nuk përmendet fare. Nuk përmendet as Xhemil bej Vlora, as familja e Hasan Sharrës ku qëndroi administrata, sepse edhe shtëpia e bejlerëve Sharra ka qenë seli qeveritare ku kanë kryer punë disa ministri. Të gjitha godinat e bejlerëve që kanë kryer funksione qeveritare nuk janë përmendur në histori. Ka pasur disa godina në Vlorë që kanë kryer funksione administrative shtetërore.

Kjo që po më tregon është? Çfarë janë këta njerëz në pozicion gatitu me rroba të bardha?

-Ata janë rojet. Në atë ditë shtëpia ishte e rrethuar me roje. Rojet ishin të veshura me kostume kombëtare, këtu shquhen vetëm rojet me fustanellat e jugut, por rrotull shtëpisë atë ditë ka pasur edhe roje me kostume të veriut të Shqipërisë.

Si re në gjurmë të kësaj fotoje?
-Unë i di të gjitha lidhjet familjare të parisë së Vlorës. Cilat kanë qenë martesat krushqitë, cilët janë pasardhësit. Pra kisha vite që e kërkoja foton e shtëpisë së pavarësisë, sepse shtëpia nuk është më. Këtë fotografi e gjeta në arkivat e Stambollit. Më ka ndihmuar Irfan Nastadinoglu, një nga historianët e mëdhenj që ka Turqia. I cili duke kërkuar në arkiva ku është është ngritur flamuri, gjeti këtë fotografi. Kjo është shtëpia ku ka lindur Ismail Qemali. E ka ndërtuar Ibrahim pashë Vlora dhe Mustafa pashë Vlora nënkryetar I Lidhjes së Prizrenit. Shtëpia ka pasur mjaft salla shumë të mëdha ku mblidheshin 100 veta, se bëheshin kuvende kombëtare, takime me miqtë dhe quhej dhoma e selamllëkut. Në votin 1929 ra tërmeti e plasariti këtë shtëpi. Ajo nuk rezistoi dot dhe u prish.

Kur u prish shtëpia çfarë ndodhi?
Aty Bashkia e Vlorës, duke marrë mendimin e familjes Vlora dhe të djemve të Ismail Qemalit sepse njëri ishte nënkryetar bashkie Ethem bej Vlora në atë kohë, e ktheu në një lulishte popullore dhe me propozimin e vlonjatëve u morrin eshtrat e Ismail Qemalit nga Kanina dhe u lëshuan në këtë lulishte, ku Odise Paskali gdhendi ushtarin e panjohur.

Si e ke njohur Odise Paskalin?

-Ai ka qenë një nga nxitësit për të kërkuar më shumë për historinë e Pavarësisë. Duke qenë se e kisha mik kishim bërë mjaft biseda për pavarësinë dhe për monumentin. Odise Paskali ka patur një ide tjetër. Kishte dëshirë të ndërtonte një obelisk me me firmat dhe fytyrat e firmëtarëve të pavarësisë. Më tha: në qoftë se unë nuk e bëra dot këtë duhet që ti dhe të tjerët ta bëni me letër. Duhet ta shkruajnë mirë historinë. Sot ende kemi të shkruar një histori të cekët dhe duhet dikush ta plotësojë atë që kemi mangut në mbarë kulturën historike. Unë në këtë drejtim kam kërkuar edhe ndihmën e Institutit të Historisë të cilët nuk e pëlqyen këtë bashkëpunim. Megjithatë kam shkuar në çdo vend ku kishin burimin e jetës këta protagonistë të shtetit shqiptar dhe i kam mbledhur.

Pra cila është më në fund shtëpia e vërtetë ku u themelua Pavarësia?
-Sarajet Vlora, shtëpia e Xhemil bej Vlorës. Mustafa pashë Vlora nënkryetari i Lidhjes së Prizrenit bashkë me nënkryetarin tjetër Abdyl Frashërin organizuan disa takime në këtë shtëpi, më 1878-1879, dhe këtu u bënë të gjitha planet dhe për kuvendin e Gjirokastrës dhe takimet në Çamëri. Çfarë aktivitetesh bënë në gjithë jugun ata. Kujtime janë shumë të mëdha në këtë shtëpi. Ishte shtëpia më e madhe që ekzistonte atëherë në Vlorë që kreu dhe këtë funksion të madh të Shpalljes së Pavarësisë. Këtu vinin mjaft konsuj të huaj, udhëtarë të huaj, këtu ka banuar edhe mis Edit Durham.

(Gre.M/Shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Dedikim për vajzën që do të vijë në jetë, Bardhi: Emrin do ta zbuloj te kënga

Dedikim për vajzën që do të vijë në jetë, Bardhi: Emrin do ta zbuloj te kënga