Gaci, Qemali, Enveri... Tre mesues
të nderuar, tre krijues të rrallë

Gaci, Qemali, Enveri... Tre mesues<br />të nderuar, tre krijues të rrallë
“Dita e Mësuesit” po afron. Në kuadrin e veprimtarive që duhet e mund të zhvillohen, zënë vend dhe homazhet në nderim të mësuesve elitarë të shuar, nga radhët e të cilëve, për motivet që do të shtjellohen, kam zgjedhur tre emra të nderuar: Qemal Draçini(1922 – 1947), Gac Çuni (1925 – 1956)dhe Enver Draçini(1926-2003).

Janë vendosur së bashku për dy lloj arsyesh: subjektive, Qemali - qe profesori im, Enveri – i vëllai, shoku dhe miku im më i ngushtë, Gaci – kantautori i ëmbël e me shpirt të lirë ; ato objektive do të shtjellohen në vijim. Me 6 mars – 91 vjetori i lindjes së Qemalit; viti 2013 – 57 vjetori i vdekjes së Gacit dhe 10 vjetori i vdekjes së Enverit, një vdekje e përjetuar së afërmi.

Qasja e parë kryesore midis tyre : të tre qenë mësues, të tre mbajnë tituj tepër dinjitozë, atribuar pas rënies së komunizmit: dy të parët, “Martirë të Demokracisë”, Enveri, “Mësues i Popullit”. Qasje të tjera:dy të parët e patën të shkurtër jetën e mësuesisë, vetëm njëvjeçare; u arrestuan krye viti – Gaci më 1945, Qemali më 1946, që pas torturash çnjerëzore vdiq në duart e xhelatëve.

Gacit nuk ia ndërprenë trajtimin mizor, por të gjallë e lanë për t’ia nxirë jetën burgjeve e kampeve dhe për ta lënë ta vdiste në Burgun e Burrelit pa i dhënë mjekim. Kufomat e të dyve u hodhën në ndonjë gropë ordinere dhe sot ende ata s’kanë një varr, të paktën!

I vrau Dhuna, ata e sfiduan atë, nuk u tjetërsuan, nuk pranuan të jepnin dëshmi të sajuara! Fatmirësisht emri i tyre nuk u shua, ashtu si nuk shua as krijimtaria e tyre, e cila në vija të përgjithshme tani bën pjesë në fondin e vlerave të traditës kulturore të kombit, duke qenë njëheri dhe pronë e publikut artdashës.

Biografia e dy martirëve njihet me hollësi, janë shkruar kumtesa, monografi e vargje për jetën e veprën e tyre, por kjo s’do të thotë që u kemi dalë borxhit. Ai do të shlyhet vetëm atëherë kur atyre t’u gjinden eshtrat dhe t’u ngriten varret ku mund t’u vendosen lule e kurora!

 Në këtë atmosferë homazhesh do të hedh më shumë dritë mbi profilin e mësues Enverit, jo se për te është mjaftuar vetëm me nekrologjinë e rastit në median e shkruar, por kryesisht se kohët e fundit, rastësisht, më ra në dorë krijimi i tij letrar “Këngë e gjakosur”, frymëzuar nga stoicizmi dhe shpirti liridashës i martirit Gac Çuni, kompozitori i këngës aq popullore, pothuaj legjendare “Kaçurrellat e tu”, krijuar e kënduar së pari në burg.

Historia e këngës, ashtu si melodia, u bënë publike pas viteve ’90. Kompozitorin e ardhshëm të saj e kishte njohur që në gjimnaz, kur qenë studentë, ndoshta në klasë të njëjtë apo të afërt. Të dy qenë ish-nxënës të Arshi Pipës; kujtojmë se Arshiu, si ish-mik i Qemalit, ka pasur një takim të përzemërt me ish- studentin e tij, vëlla i shokut të martirizuar.

Hamendësohet se, pas kujtimeve mbi Qemalin, në bisedë e sipër, mund të jetë kujtuar dhe Gaci martir, shuarjes së të cilit profesori i kishte kushtuar një elegji që në burg, të nesërmën e vdekjes, duke e përjetësuar me vargje të tilla:

“Gac, o shok i vuejtjes, nxanës im i lashtë/ …Fshaj një kangë lirije që t’u mbyll n’krahnuer/ Fshaj një jetë artisti që pa fryt u buer!! “.
 
Këto vargje të përzemërta, plot pathos e evari të Arshiut të ngacmojnë kujtesën dhe ndër mend të sillet dhe spontaneiteti, ëmbëlsia dhe ngrohtësia e dy këngëve aq të njohura e në frymën e vargjeve popullore, ”Turtulleshë” e Qemalit dhe “Kaçurrelat e tu” e Gacit: një qasje tjetër në mes dy poetëve martirë, e vogël por me kuptim, ndaj ndjeshmërisë së tyre për të bukurën, ndaj dashurisë së tyre për jetën!
 
Krahas këtyre përceptimeve është e kuptueshme gjendja emocionale e Enverit pas rrëfimit real që i bëri dëshmitari, ish-mik i Qemalit dhe shok qelie i Gacit, që ka përjetuar çastet e fundme e tejet të dhimbshme të këngëtarit, mbi kokën e të cilit, për t’ia lehtësuar vdekjen, i pat belbëzuar tingujt e“Ave Maria”-s.

Shkrimi është me të vërtetë mbresëlënës, ka theksa hymnizimi e apologjie, sepse vetëpërmbajtja e qëndresa e protagonistit të kujton Feniksin e mitologjisë. Është dhënë me ngjyra të forta tablloja e zullumit të asaj nate Ferri ku ndjeshmëria dhe sinqeriteti ideo-emocional i autorit përçojnë me vërtetësi kontrastin e madh midis së Mirës e së Keqes.

Lexon këtë rrëfim-dëshmi të letrarizuar dhe ne duhet të na shkojë mendja se autorit i ka therë në shpirt dhe i është dridhur dora duke i dhënë jetë asaj atmosfere vrastare të një qelie të qelbur burgu, thuaj kasaphane; fjalë pas fjale ai ka përjetuar me imagjinatë të ndezur grahmat e fundit të të vëllait 25 vjeçar, kur dekada e dekada më parë, nën goditjet vdekjeprurëse e të pandërprera e të të njëjtëve xhelatë, në të njëjtat biruca mortore, ai nuk u pat dhënë, pat zgjedhur vdekjen në vend të dyzimit.
 
Kumti i këtij krijimi të mikut tim më jep një minimum ngushëllimi, sepse hap shtegun për t’i blatuar këto fjalë modeste homazhi në përvjetorin e dhjetë të shuarjes së tij; ndërkaq më pezmaton mendimi se ai do të na lumturonte me krijime të tjera, me vlera të qensishme: i kishte tërë të dhënat, ishte një kapacitet, me shumë erudicion, një profesionist i afirmuar, një mjeshtër në mësimdhënien e letërsisë, me ndjeshmëri e ekspresivitet sugjestionues. Qe vetëm censura dhe autocensura që ia ndrydhën energjitë krijuese; e ndiqte kudo e kurdo etiketimi “familje e përndjekur”.

Përmbysja e Diktaturës e aktivizoi, filloi me publicistikën dhe kryesisht me redaktimin e krijimtarisë së Qemalit, për ruajtjen e së cilës nga asgjësimi, u përkushtua për 50 vjet, jo “…pa drojën e befasisë tinzare e inkuizitore”.

Botimi i përmbledhjes “Era” qe një vlerë e vërtetë për letrat tona dhe ai projektonte një botim shterrues të shkrimeve të Qemalit. Që më 1993 u aksidentua dhe mbeti në shtrat duke iu rënduar së tepërmi parkinsoni që do t’i shkurtonte jetën para kohe, por duke mos ia kursyer goditjen më të rëndë për një prind, vdekjen e djalit burrë, letrar i ri i talentuar!

Do të rrjedhin motet por ata do të kujtohen kudo e kurdo: krijuesit i përkasin përjetësisë, mesazhet e tyre për njeriun, për jetën, për lirinë mbeten përherë të shtrenjta dhe udhërrëfyese.

CONFESSIONES

Këngë e gjakosur

Enver Draçini
Qyteti u tulat nën kamxhikun e shtrëngatës, i verbuar nga vetëtimat dhe i trembur nga bubullimat. Shiu me rrshekë përplasej valë-valë në dritaret; brenda nje dhome tipike shkodrane isha ulur karshi një ish-të burgosuri me krye të zbardhur. Ja rrëfimi i tij rënqethës:“Kështu ishte atë natë!...Rrebesh i tërbuar si sonte !...

Shkreptimat në njerën anë, thirrjet e egra të gardianëve në anën tjetër dhe ulurimat si të bishave të plagosura të të burgosurve të torturuar, në intervale!

Herë-herë ato ulurima ktheheshin në ankime të këputura që dilnin kushedi nga ç’thellësi e panjohur e shpirtit, apo ato angullima që s’i përkisnin më kësaj bote e që mbushnin ajrinë e përdhunuar të asaj ndërtese të zhytur, natën, në mister të frikshëm.

Ne dëgjonim e veshtonim të dërmuar.Vetëm kush ka kaluar nepër ato qeli të ndyra e të errta dhe ka njohur atje kryqin e vuajtjes, peshën e të gjitha mallkimeve, e kupton dhe e kujton atë ankth , atë zor, atë tmerr që të zapton shpirtin e të paralizon trupin, kur dëgjon atë tingull që e bën të panjohshëm zërin tonë prej njeriu në teprinë e vuajtjes trupore, atë tingull që barazon njeriun që vuan me kafshën që vuan: rënkimin instinktiv të çdo mishi të përdhunuar, njerëzor apo shtazor.

Ne që prisnim radhën – (a e merrni me mend ç’do të thotë të presësh radhën në një vend të atillë?!) – atë natë ishim njëherësh edhe protagonistë edhe spektatorë,- ( veç spektatorë dhëmbshurisht të lebetitur) – në atë tragjedi të përgjakur që luhej në atë ndërtesë ogurzezë, së cilës , edhe ditën, qytetarët i qëndronin larg; ndërtesë- varr i gjallë për të vdekurit ende në jetë.

Ishte një natë! Ç’natë ! Pafundësisht të vegjël, pikla jete ishim nën trysninë e furtunës që tërbohej jashtë, nën mëshirën e llahtarit që përgjakte e mbyste brenda. Ishim skeletër të thuash pa jetë: jeta ishte përqendruar vetëm në sytë tanë; sy të mbushur me angushti e alarm, me jetë tmerrësisht të turbulluar në atë pritje që s’mbaronte kurrë!

 Pastaj,… diçka ndryshoi! Ajo atmosferë apokaliptike, mbushur klithma ferri e heshtje rënqethëse, u transformua papritur: në korridor u dëgjuan hapa të shpejtë e të rëndë, përzierë me rënkime të molisura e fëshfëritje rrobash e trupash të tërhequr zhargas. U çelën, u përplasën dyer. U çel edhe dera karshi nesh. Pastaj një farë qetësie, një qetësi aty afër, në atë batërdi zullumi të përgjithshëm.

 Nga vrima vërejtëm andej nga mund të ishte përplasur viktima, dikush nga tanët. Pritëm shkreptimën e vetëtimave: nën dritën kuqebardheblu diktuam një grumbull, një lëmsh njerëzor.- Ç’keqardhje ta ndrydh shpirtin, kur s’mund ta ndihmosh vëllanë e fatkeqësisë aty afër, të thuash një hap nga ti, mu në korridorin e errët ku e kishin plandosur! Aty ku jeta qëndron në kapërcyell, ndihma solidare është kuptim jete.

 Pritëm një të shkrepur të radhës e, në atë zhurmë, për t’i dhënë zemër, i pëshpëritëm fort: “-A dëgjon? Qëndro!”...Prej andej asnjë zë, asnjë përgjigje.- S’vinte shenjë jete nga errësira .- Dihatnim ne nga zori e nga e papritura: Kushedi?!...Vdekja aty bridhte kudo e kurdo! Ai lëmsh njerëzor aty,i frikshëm!...Koha kalonte.

Po edhe koncepti kohë atje ndryshon; koha e brendshme është krejt e ndryshme nga koha e jashtme, ajo kalendarike; edhe një segment minute, edhe një sekondë, e ngjeshur me ngarkesë të madhe tensioni nervor, me parandjenja të frikshme, me drithërima pasigurie, zgjat aq shumë sa të duket një orë, një shekull.

 Por papritur, prej andej zëri i tij: “ - A të këndoj?”...-Të këndojë?! Gjallë ishte ai trup i shkallmuar?! Të befasuar, mbetëm memecë! Çuditërisht, njeriu është sa i dobët, aq edhe i fortë..Ky dualizëm ishte fuqimisht i pranishëm në burg.

Ç’ishte , pra, ajo forcë e brendshme që drejtonte e urdhëronte materien, fizikun,trupin, qenien; ajo energji jetësore që e bënte njeriun, në mes të acarit të dimrit, të qëndronte gjallë, madje pa u çmendur, i varur, gjysmë lakuriq, i ngrirë kallkan, në hekurat e dritares pa xhama; si arrinte të mos vdiste dhe të mposhtëte asgjësimin edhe kur mbi trupin e uritur e të drobitur hidheshin, herëpashere, për javë të tëra, kova me ujë të akullt?!

Shprehje e potencialit shpirtëror të spiritualizmit apo dëshmi e volontarizmit? Kushedi! Një e vërtetë e madhe ishte e dukshme: njashtu si lënda inerte që, në kushte të veçanta , është në gjendje të çlirojë energji kolosale, gati diellore, njashtu dhe organizmi njerëzor, sado i brishtë, në kushte të veçanta përqendron energji kolosale shpirtërore e trupore.

Psikologjia mund të argumentojë, teologjia mund të predikojë, por për ne që ishim vetë subjekte të një realiteti të jashtëzakonshëm, kjo epërsi, prej perëndish të kryqëzuar, ishte një mrekulli, një mrekulli jo hyjnore por thjeshtë njerëzore: mrekullia ishim ne vetë, ishte Njeriu, ky i Panjohur i madh.

 Kështu, andej matanë, zëri i tij këndonte.Të gjithë të burgosurit e njihnin zërin e tij të ëmbël e të butë. Ai zë tani ishte i këputur, ankues e i pafuqi, por prap kishte mbetur i ëmbël në trishtim. Herë ndihej më i fortë, herë humbiste, por shqisat tona , të tensionuara, e kapnin përtej zhurmave, e amplifikonin edhe me mend.

Arrinte kënga në qelitë e flliqta që dihatnin dhimbje, duke përhapur jehonën e jetës në atë mjedis përdhunimi e krimi, duke larguar frymën e vdekjes, frymën e mohimit. Në bebëzat e syve të shokëve të mi pashë ndriçim shprese: po, po edhe një farë krenarie, do të guxoja ta quaja.

 Vetëtimat verbonin jashtë e brenda, era hungëronte ndër vrima e qoshe të shkreta, shkreptimat shkrepnin potershëm, rojet çirreshin me britma e kanosje të egra: “Pusho, kriminel!”. Ai vazhdonte të këndonte këngën e tij” Kaçurrelat e tu”, ndërsa ne qanim, ashtu të shutitur, siç mund të qajë burri në heshtje, me supet që e tradhëtojnë.

Po shfrynim ngarkesën nervore dhe jeta, apo “ jetëza”, po hynte prap ndër ne… ngadalë. Ishte një fërshtizë drite në atë errësirë të madhe, një ndërgjegjësim i të qenunit.”
 Bashkëbiseduesi, me shumë mallëngjim, e mbylli kështu rrëfimin:

 “ Dhe ashtu vdiq më vonë,në burg, ajo Jehonë hareje në atë Luginë mjerimi: me këngën e ëmbël e të butë në gojë , me trup të shumtën ndër hekura, veç me shpirtin të papranguar, të lirë!”

 Ndërsa, pas heshtjes, ai shikonte i përmalluar errësirën jashtë që t’i shmangte shikimit tim sytë e tij të mërtisur, unë po përgjoja veten brenda - çfarë më thonin zemra e mendja pas këtij rrëfimi:

 Sa dhunë vrastare, sa harbutëri fodulle e sa shtazëri e pangopur në njerën anë! Sa dashuri për jetën dhe lirinë, sa thellësi e fisnikëri ndjenjash, sa humanizëm e solidaritet vëllazëror në anën tjetër!

Shkrimi u botua sot në suplementin Rilindasi të gazetës Shqiptarja.com (print) 03.02.2013

Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    28 Nëntor, 09:20

    A e keni të qartë pse opozita organizon mosbindje civile?



×

Lajmi i fundit

Aksident në Korçë/ Makina përplas biçikletën, 1 plagosur

Aksident në Korçë/ Makina përplas biçikletën, 1 plagosur