DIVJAKE- Konsumimi i gaforres blu po shihet si një alternativë për të ulur përhapjen e kësaj specieje ne lagunen e Karavastase.

Në pyllin e Divjakës u organizua panairi i kulinarisë me moton: “Konsumo gaforren blu, mbro lagunën dhe ndihmo integrimin europian”.

Nisma u zhvillua nga Shoqata e Biologëve të Shqipërisë, në bashkëpunim me administratën e zonave të mbrojtura.

“Është specie invazive që shumohet shumë dhe ka pushtuar detin në Adriatik, sidomos në lagunë. Mënyra më e mirë është ta përfshijmë në menutë e gatimit sepse ka dhe vlera ushqyese. Kështu po veprojnë dhe vendet e rajonit”, tha Viktoria Naco, dietologe.

Në tavolinat e restoranteve të zonës, gaforrja blu tashmë është kthyer në një produkt të kërkuar, sidomos nga të huajt. Shefat e kuzhinës e vlerësojnë për shijen dhe vlerat ushqyese. Ndërsa çmimi konkurrues e ka bërë një alternativë të preferuar për konsumatorët.

“Ka kërkesa për gaforren sidomos nga turistët e huaj ndërsa shqiptarët nuk ia dinë shumë vlerat. Por them se ka vlera ushqyese njësoj si arragosta dhe kushton më lirë. Ne bëjmë gaforre me salcë, me jufka. Bëjmë dhe qofte me gaforre, etc.  Një racion me 600 gram kushton një mijë lek. Ne duhet ta konsumojmë sa më shumë që ta zbrasim kënetën nga kjo specie. Por është i rëndësishëm promovimi”, thanë Klodian Hila dhe Dejvi Malko, të cilët punojnë si shefa kuzhine në zonën e Divjakës.

Nga një kërcënim për lagunën, gaforrja blu po tentohet të kthehet në një burim të ri ekonomik për komunitetin e zonës. Sakaq, pedagoget e Fakultetit të Shkencave të Natyrës dhe Universitetit Bujqësor po analizojnë mënyrat për të kufizuar përhapjen e saj ne lagunë.