Surprizat e Galasë/ ‘Kthim në shtëpi’! Adela e Anxhelo Muçollari, në 'Opera' për tri net: Arritjet ia dedikojmë nënës

“Në majë të gishtërinjve”, si në të parin recital të tyre, dy solistët e parë të baletit, janë duke bërë prova në Teatrin e Operas. E ideuar prej një viti prej Adela e Anxhelo Muçollari, një mbrëmje gala shënon prej kësaj të premteje “Kthimin në shtëpi” (“Gala Back Home”) ...

“Ky është një hap shumë i rëndësishëm në karrierën tonë, një sfidë! Do të jetë një gala shumë e veçantë, duke filluar që nga datat që kemi përzgjedhur që përkojnë me Festat e Fundvitit, janë netët më magjike ku të gjithë njerëzit mundohen të festojnë me familjet e tyre dhe të kenë kohën më të bukur të vitit”, rrëfen Anxhelo Muçollari, solist i parë i Baletit në Teatrin e Operas.

Për tri ditë radhazi skena e “Operas” do të flasë përmes gjuhës së trupit, muzikës e spektaklit.

“Do të jenë tri mbrëmje me shumë emocione. Tabloja e parë do të jetë një musical nga filmi i famshëm “The greatest showman”. Do të jetë plot dinamizëm, energji, duke sjellë atmosferën e festave. Tabloja e dyë, përmban një krijim timin dhe të Anxhelos, një pjesë bashkëkohore që do të jetë rreth 20 minuta dhe është kushtuar krijimit të një fëmije të cilin unë e kam lidhur pak edhe me lindjen e Lukasit. Është diçka realisht shumë e veçantë. Ndërsa tabloja e tretë i kushtohet kryeveprave të fundit siç është  “Liqeni i Mjellmave”. Do të jetë një marsh i gjeneratës së re duke e lidhur me fillimin e rrugëtimit tonë në Shkollën e Baletit dhe deri tek e tashmja që jemi primobalerinë në trupën e Teatrit. Dhe mendoj se është tamam një rrugëtim i një marshi të gjeneratës së re deri në pikën që do të jemi këtu dhe ëndrra e gjithsecilit që është skena e Teatrit të Operas dhe Baletit. Sigurisht do të interpretohen valse, sepse është atmosferë festash dhe mbrëmja do të mbyllet me qershinë mbi tortë “Arrëthyesin”, që është edhe simbol i Krishtlindjeve”, zbulon solistja e parë e Baletit në TKOB, Adela Muçollari.

Musical, kontemporane, klasike, një larmishmëri ngjyrash artistike që sjellin në tri tablo krahas atmosferës së festës, një udhëtim simbolik, në jetën e dy balerinëve të talentuar.

“Kemi të ftuar sopranon Ardita Meni, e cila do të këndojë edhe kolonën zanore të filmit ‘The greatest showman’. Do të jetë Ardita Bufaj që do të interpretojë në piano dhe tenori Denis Skura, që sërish do të interpretojë vepra kushtuar Vitit të Ri, klasikes dhe pasdiskutim një show të vërtetë.

“Kjo mbrëmje gala do të ketë edhe një moment shumë magjik, diçka shumë e veçantë që lidh Adelën, karrierën e Adelës dhe të Anxhelos, dhe gjithë historinë tonë familjare”, rrëfen më tej balerina.

Shumëçka ka ndryshuar në jetën e dy të rinjve, prej të parit recital tri vite më parë, krahas sukseseve skenike të njëpasnjëshme.

Ardhja në jetë e Lukasit, për Adelën tanimë nënë, historia e dashurisë së Anxhelos me balerinën Sabina Maklekaj, janë ngjarje që po ashtu do të jenë pjesë e galasë...

“Në këtë recital kam dy dama tashmë, jo vetëm një dhe të dyja janë për mua një mbështetje shumë e madhe”, shprehet më tej Anxhelo.

Përmes gjuhës skenike, artit të mbartur me emocione reale, Adela “Rishkruan yjet” për përrallën e Sabinës me Anxhelon, e i dedikon edhe krijimit të fëmijës një pjesë të veçantë.

“Për mua është shumë e ngrohtë si pjesë sepse të performosh me të afërmit e tu, me të dashurit e tu është diçka intime, shumë më ndryshe”, rrëfen Muçollari.

Fluturimi i tyre skenik ka prekur kulminacione, por pas tyre numërohen një sërë sakrificash, pengesash të kapërcyera, duke ruajtur thjeshtësinë. E gjitha me një figurë të pranishme vazhdimisht, që është nëna e tyre, me mbështetjen e pakursyer.

“Pa diskutim që të gjithë karrierën time dhe kjo që jam unë, i dedikohet nënës sime!”, shprehet Adela.

Galaja e Adelës, Anxhelos dhe miqve të tyre, vjen si një akt sa simbolik edhe artistik, si vendosja e yllit në pemën e Krishtlindjeve, duke përhapur përmes baletit qetësinë, argëtimin, rilindjen artistike, deri në udhëtimin e radhës. 

“Është fundvit, do të jetë një mbrëmje plot dimensione! Me kërcime, muzikë shumë të bukur, një mbrëmje e larmishme ku ka për të gjithë! Aq më tepër që janë edhe datat 23, 24 dhe 25 dhjetor dhe ku ka më bukur se Krishtlindjet t’i festojmë me muzikë”, shprehet Muçollari.

SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Kurbin/ Humb kontrollin e mjetit dhe del nga rruga, humb jetën 65 vjecari

Kurbin/ Humb kontrollin e mjetit dhe del nga rruga, humb jetën 65 vjecari