Tiranë, 6 Dhjetor / ATSH - Galeria Kombëtare e Kosovës ka vendosur që koleksionin e publikimeve të ekspozitave personale, retrospektive, grupore dhe publikime të tjera, ta bëjë publik për të gjithë nxënësit dhe studentët e fushave të artit.
Me anën e një komunikate për mediat, GKK ka njoftuar se prej ditës së hënës date 8 dhjetor 2014, në hapësirat e Galerisë Kombëtare të Kosovës, Studentët e Fakultetit të Arteve të Bukura të Universitetit të Prishtinës, Shkollës së Mesme të Arteve Aplikative në Pejë "Odhise Paskali" dhe shkollës së artit pamor në Gjilan, mund të vijnë të marrin publikimet e ndryshme të GKK-së gjatë viteve të fundit.
Koleksioni i publikimeve përbëhet nga katalogë të ekspozitave personale apo retrospektive të artistëve të ndryshëm kosovar, katalogë të ekspozitave grupore ndërkombëtare dhe publikime dhe libërtha të ndryshme të Galerisë Kombëtare të Kosovës ndër vite.
"Studentët mund të vijnë të marrin publikimet nga data 8 - 12 dhjetor në Galerinë Kombëtare të Kosovës, ndërsa për të pasur qasje ata duhet të jenë në posedim të një letërnjoftimi si dëshmi se janë student të këtyre shkollave dhe fakulteteve" shkruhet në deklartën për shtyp publikuar nga GKK. /k.m/./a.g/