Galeria Kombëtare zbulon
“thesaret” e shekullit të 15-të

Galeria Kombëtare zbulon<br />“thesaret” e shekullit të 15-të
TIRANE- Galeria Kombëtare e Arteve ka lajmëruar dje pasdite çeljen e një ekspozite në javën e ardhshme, ditën e enjte më 24 Prill 2014, ora 19.00. Sipas lajmërimit të këtij institucioni: “Ekspozita do të paraqesë për publikun 41 vepra në pikturë. Ndër to bëjnë pjesë vepra të realizuara nga piktorë europianë të shekullit XIX si Francesco Malacrea, Giuseppe Mantessi, Alfredo Müller, Antal Peczely, Umberto Zini, Guido Cadorin, si dhe vepra anonime, piktura të stileve dhe shkollave të njohura të pikturës europiane të shekujve XV dhe XVIII, që mbajnë emra të tillë si Tiziano Vecellio, Petter Paul Rubens, Guido Reni dhe Hyacinthe Rigaud.

Gjurmë të stileve të tyre gjenden në disa piktura anonime të koleksionit të gjerë të piktorëve të huaj të fondit të  Galerisë Kombëtare të Arteve”. Ekspozita për të cilën bëhet fjalë vjen menjëherë pas një debati të hapur pas një shkrimi të botuar në gazetën “Shqiptarja.com”, të datës 11 prill 2014 që titullohej “një Ticiano dhe një Rubens në Tiranë, 2 piktura vlerë miliona euro”. Shkrimi i gazetares Admirina Peçi i pati burimet nga Arkiva e Shtetit, ku vite më parë një komision i ngritur nga Odhise Paskali, Foto Stamo e Vilson Kilica kërkonin verifikimin e 19 veprave të artit “tepër të rëndësishme”, që ruheshin në Pallatin e Brigadave që nga koha e arredimit të tij në vitin 1941-1942, kur në këtë pallat u vendos për të jetuar familja Francesco Jacomoni, mëkëmbësit të mbretit Viktor Emanuel.

Tre autorët e relacionit vinin në dukje se ato vepra të kujtojnë shkollën e piktorit italian Pietro da Kortona, mjeshtrin Tiziano Vecellio, Correggio-n apo Paul Rubens... por edhe vepra të tjera të vyera autorësia e të cilëve mbetej anonime.

Gazeta “Shqiptarja.com” ka zbuluar nga arkivat edhe dhjetëra dokumente të tjera që theksojnë se kishte një vëmendje të madhe ndaj këtyre pikturave në mesin e shekullit të kaluar, jo vetëm nga institucionet shqiptare, por edhe atyre italiane, të cilat kanë insistuar me një kërkesë të Ministrisë së Jashtme Italiane për Mëkëmbësinë e Përgjithshme në Tiranë, ku i kërkohet kësaj të fundit me urgjencë “fatura e inventarit të tablove të vejushës Gaudenzi” të sistemuara në Mëkëmbësinë e Përgjithshme.

Dokumentet e zbuluara nga gazetarja Admirina Peçi tregojnë se në vitin 1941, në fillim të tetorit kishin mbërritur në Pallatin Mbretëror, në Tiranë 7 tablo, mes të cilave edhe “Adami dhe Eva” e Ticianit. Shkrimi ngjalli debate mes studiuesve të artit, sepse ende dyshohet për autorësinë e pikturës, ndërkohë që në fondin e GKA-së piktura  Eva dhe Adami mban shënimin se është vepër e Ticianit. Drejtori i Galerisë Kombëtare ka pohuar në intervistën për “Shqiptarja.com” se “ne kemi një fond në Galerinë Kombëtare të Arteve dhe brenda këtij fondi kemi vepra specifike, që flasin për një vlerë historike, por edhe të autorëve shumë të rëndësishëm.

Flasim për autorë të nivelit botëror si Ticiano apo Rubens, por edhe autorë shqiptarë, të cilët kanë stigmatizuar tashmë në karrierën e tyre jo vepra, por kryevepra”. Me rastin e kësaj interviste, drejtori i Artan Shabani, i cili e nisi punën në Galerinë Kombëatre duke insistuar në kërkimin e veprave të humbura të koleksionit të saj, ka premtuar se “Në kalendarin e ekspozitave, një ndër prioritetet tona është fondi i artë i galerisë, ose artistët e huaj që ndodhen në fondin e GKA-së që nga Eduard Lear, Rubens, Ticiano, e shkolla të ndryshme shumë të njohura.

Do të krijohet mundësia që në një muaj të caktuar do të ekspozohen sërish për publikun e gjerë”. Ndërsa ekspozita pritet të hapet më 24 prill, kohëzgjatja e ekspozitës ende nuk është konfirmuar nga Galeria Kombëtare e Arteve.   
pikturat ekspozita tiziano rubens shkrimi


Shkrimi u publikua sot (19.04.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)  

  • Sondazhi i ditës:

    Si do e drejtojë Kuvendin Elisa Spiropali krahasuar me Lindita Nikollën?



×

Lajmi i fundit

Shkëmbim të burgosurish mes Rusisë dhe SHBA-së! Pritet të lirohen gazetari Evan Gershkovic dhe ish marinsi Paul Whelan

Shkëmbim të burgosurish mes Rusisë dhe SHBA-së! Pritet të lirohen gazetari Evan Gershkovic dhe ish marinsi Paul Whelan