Gaqo Peci,tragji-komedia komuniste
që përpiu jetën e gjuhëtarit korça

Gaqo Peci,tragji-komedia komuniste<br />që përpiu jetën e gjuhëtarit korça
40 vjet më parë, në qytetin e Korçës, luhej një nga tragji-komeditë më të errëta të kohës së Diktaturës. Gjykoheshin për veprimtari kundër pushtetit popullor dhe dënoheshin me dënime të rënda piktori Vangjush Tushi, gjuhëtari Gaqo Peci, muzikanti Kiço Venetiku dhe motra e tij Krisanthi. Të tre të parët intelektualë të klasit më të lartë. Të tre kishte kohë që i kishin kaluar të pesëdhjetat.

Gaqo Peci ishte një nga njerëzit më të nderuar në qytet. Gjuhëtar dhe mësues i frëngjishtes, i gjuhës dhe letërsisë, gëzonte respektin jo vetëm të nxënësve, por edhe të gjithë njerëzve të arsimit dhe të kulturës. Ishte një burrë i pashëm, i shtruar , me një ballë të madh, që dëshmonte urtësi. Në fytyrë i dallohej edhe një nishan i madh, që të ndihmonte të mos e harroje portretin e tij të veçantë.

Respektohej për gjithshka që kishte arritur vetë edhe pse ishte djali i madh i njërit prej patriotëve më të shquar shqiptarë, Sotir Pecit. Nuk shoqërohej me këdo dhe nuk ishte i ngutur në të folur. Nuk kishte dëshirë të rrinte tribunave dhe partiakëve, kur e kalonin masën ja u tregonte vendin. I ndershëm dhe plot dinjitet, Gaqo Peci, edhe pasi doli në pension studionte dhe shkruante rreth gjuhës shqipe dhe sigurisht , që vuante kur shihte se si ishte Shqipëria, për të cilën kishte shkrirë jetën i jati dhe kishte luftuar edhe vetë.

E patën arresuar për të shtuar terrorin dhe për t’ju treguar të gjithëve, që asnjë nuk mund t’i shpëtonte “tehut të mprehtë të shpatës së Diktaturës së Proletariatit”, as mësuesi i shquar gati 60-vjeçar, pjesëmarrës në luftën e dytë në anën e fituesve, pasardhësi i atyre, që kishin bërë Shqipërinë.

Korça e atyre viteve ishte nën terror, pas një vale të madhe arrestimesh dhe internimesh. Njerzit nuk dinin më kujt t’i besonin dhe me kë mund të flisnin qoftë edhe për të komentuar një libër apo një film të huaj. Arrestimi i këtyre intelektualëve të nderuar i kishte bërë të ndjeheshin të gjithë të trembur. Njerëzit prisnin me ankth gjyqin e tyre.
Muzikantin Venetiku(bashkë me të motrën e moshuar) e kishin mbajtur nën tortura për një vit e gjysëm, piktorin Tushi nuk e kishin kursyer edhe pse shumë i sëmurë, ndërsa gjuhëtari Peci kishte arritur ta përballte më mirë hetuesinë edhe pse si dëshmon në librin e tij “Në panxhat e Sigurimit”, kishte tentuar të vriste veten në qeli.

Farsa e gjyqit ishte kurdisur në një bashkëpunim të Sigurimit me Komitetin e Partisë, ku veç dëshmitarëve(njerëz të degjeneruar ose nën presionin e Sigurimit), ishin detyruar të komentonin në fund edhe njerëz të artit e të kulturës, për të demaskuar idetë liberale të të pandehurve dhe për të mbrojtur “metodën e realizmit socialist”. Ideja ishte e partiakut më të pamoralshëm që ka njohur Korça, Enver Halilit, e sinkronizuar me sigurimin e shokut të tij të ngushtë, Feçor Shehut.

Aq absurd ishte teatri i kurdisur nga këta “fëlliqësira amatore” të asaj kohe, sa një nga të pranishmit, aktori dhe poeti Aleko Skali, nuk duroi dot po u ngrit dhe tha , që “qytetari luajal Gaqo Peci nuk e ka vendin në bankën e të akuzuarve!”

Të katër të akuzuarit morën dënime të rënda dhe vetëm Gaqoja doli i gjallë nga burgu.

Dëshmia që kushtëzoi dënimin e tij, ishte një nga letrat, që i kishte dërguar Nasho Jorgaqit, ku fliste me përçmim për gjendjen e letërsisë shqiptare dhe metodën e Realizmit Socialist. Kishte besuar tek studiuesi Jorgaqi, i cili i kërkonte vazhdimisht materiale nga kontaktet dhe letërkëmbimet e Sotir Pecit me Nolin. Besimin e tepruar e pa në formën e “provës së shkruar” në tavolinën e trupit gjykues. Megjithatë nuk pranoi asnjë nga akuzat dhe u mbrojt edhe për ato që kishte shkruar kundër Realizmit Socialist në letrën drejtuar Jorgaqit.

Gaqo Peci ka vite, që është larguar nga Korça dhe më pas edhe nga jeta. Sa vijnë dhe rrallohen ata, që e kujtojnë me respekt, dhimbje dhe dashuri.
Duket, që edhe nëse nuk përndiqet më e kanë dënuar me harrim, atë dhe dhjetra studime mbi gjuhën, kumtesa dhe referate mbi arsimin në Korçë, analiza dhe kritika të letërsisë shqipe dhe të huaj.

Asnjë gjurmë të tij nuk ka në Universitetin Fan Noli të Korçës, edhe pse veç kontributit në lëmin e gjuhës, ai ka ndihmuar në zbulimin e plotë të figurës së Nolit të madh.
Për ironi të fatit, Universiteti i Korçës, i dha disa muaj më parë, çmimin “Honoris Causa”, atij që e “dërgoi “ në burg duke depozituar në hetuesi letrën e tij, studiuesit Nasho Jorgaqi.

Ndoshta trashëgimtarët e atyre, që e dërguan në Spaç, po mundohen tani të vrasin edhe kujtesën tonë për të nderuarin Gaqo Peci.
Korça i detyrohet shumë njërit nga të fundmit intelektualë patriotë dhe njerëz me dinjitet të patundur.

gaqo

Redaksia Online
Al.N/Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    28 Nëntor, 09:20

    A e keni të qartë pse opozita organizon mosbindje civile?



×

Lajmi i fundit

Raporti për klimën i Bankës Botërore: Diversifikimi dhe potenciali i erës do të bënin TEC Vlorën jo ekonomik përtej 2030

Raporti për klimën i Bankës Botërore: Diversifikimi dhe potenciali i erës do të bënin TEC Vlorën jo ekonomik përtej 2030