Për Sali Berishën, zgjedhjet e 23 majit për kryetarin e Partisë Demookratike, duket se do të jenë pa asnjë rival. Ndërsa të enjten në orën 12:00 skadon afati për dorëzimin e kandidaturave, selia blu përmes një udhëzimi të mbajtur sekret, ka parashikuar se kandidimi i ndalohet personave të dënuar me vendim të formës së prerë. Një referencë që qartazi duket se është përfshirë për të penguar Ervin Salianjin. Por, burime për Report Tv konfirmojnë se ish deputeti do ta bëjë përpjekjen e fundit dhe do të dorëzojë pranë selisë së PD dokumentacionet e kandidimit.

***

Udhëzimi i hartuar nga Partia Demokratike për rregullat e zgjedhjeve për kryetarin, më 23 maj, mban datën 18 mars. Udhëzimi, i cili u përcakton çdo rivali të Sali Berishës të enjten, më 30 maj, ora 12:00, si afat për të dorëzuar dokumentet e kandidimit përballë tij, u bë publik as 24 orë nga skadimi i kohës.

Berisha e ka konfirmuar kandidimin përpara se të fluturonte drejt Zagrebit në një samit të partive të djathta. Por terrenin për të lënë jashtë garës emrin më të përfolur për të qenë rivali i tij, Ervin Salianjin, e kishte përgatitur prej kohësh.

I qartë se deklarimet për vetëpërjashtimin e Salianjit nuk kishin asnjë bazë statutore, ai zgjodhi një tjetër truk. Në udhëzimin e PD, ku janë përcaktuar kriteret që duhet të ketë kandidati për kreun e PD, krahas kontributit politik, bie në sy edhe referenca ndaj të ashtuquajturit ligji i dekriminalizimit, që ndalon kandidimin e personave që kanë mbi supe një vendim të formës së prerë. Një kriter i qepur si kostum për ta lënë Salianjin pas derës.

Atë që dikur lidershipi demokrat e quante si dënim politik, tashmë po e përdor si kartën më të fortë kundër kandidimit të Salianjit.

“Kriteret për kandidatët për Kryetar të PDSH-së janë:
Anëtar i Partisë Demokratike, figurë me profil shumë të lartë publik dhe politik, me angazhim politik dhe elektoral të paktën 10-vjeçar në Partinë Demokratike;
Të ketë eksperiencë drejtuese në nivel kombëtar/rajonal në betejat politike të Partisë Demokratike, për kauza qytetare dhe politike;
Të plotësojë kriteret e zgjedhshmërisë sipas ligjit nr. 138/2015 ‘Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike’.”

Por, pavarësisht shanseve thuajse zero për t’u legjitimuar në garë, Report Tv ka mësuar se Salianji do të dorëzojë nesër në selinë e PD dokumentet e kandidimit.

Ndërkohë, PD ka afruar edhe datën e organizimit të Kuvendit Kombëtar. Vetëm një javë pas zgjedhjeve për kryetar, Kuvendi do të zgjedhë Këshillin e ri Kombëtar dhe do të miratojë ndryshime në statutin e PD.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 20:33
Nesër afati i fundit për kandidaturat për kreun e PD, Kokalari: Publikimi i kritereve 24 orë para, vendim absurd dhe i qëllimshëm nga Shkëlzen Berisha dhe babai i tij

1774983072_evikokalari.jpg

Evi Kokalari ka reaguar pasi PD publikoi kriteret që do të duhet të përmbushin kandidatët që do të garojnë për kryetar të kësaj force politike, 24 orë para përfundimit të afatit për dorëzimin e kërkesës për kandidim.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Kokalari ka akuzuar drejtpërdrejt Shkëlzen Berishën për këtë vendimmarrje, duke thënë se kriteret janë firmosur që në 18 mars, por qëllimisht janë bërë publike kaq vonë.

Kokalari tha se me diferencën 6 orëshe me SHBA-në, ku edhe ajo ndodhet, kjo përkthehet në një afat absurd dhe që sipas saj ka si qëllim lënien jashtë garës të kandidatëve të tjerë, që duan të jenë përballë Sali Berishës.

Ajo paralajmëroi gjithashtus se së shpejti, përveç SHBA-së, luftën kundër Berishës, Albana Vokshit dhe Gazment Bardhit do ta çonte edhe në BE. Sipas saj, EPP do të mësojë shumë shpejt kush është Albana Vokshi dhe si ka vjedhur dhe manipuluar votat në PD për dekada me radhë.

Reagimi i Kokalarit:

Pra, Shkelzen Berisha, kriteret për aplikim publikohen në mesditë dhe afati është të nesërmen në 12:00 — ndërkohë që janë firmosur që më 18 mars, përpara se kërkesa ime t’ju vinte zyrtarisht.

Me diferencën 6-orëshe me SHBA-në, kjo përkthehet në një afat absurd dhe të qëllimshëm.

Sidoqoftë, do ta dorëzoj kandidaturën sipas “kritereve” që keni ndryshuar ti, babai yt, Albana Vokshi — e cila nuk është zgjedhur asnjëherë me votë dhe do të penalizohet në të ardhmen për manipulimin e pastër të votave dhe bashkëpunimin me ju për marrjen peng të PD-së — si dhe Gaz Bardhi, i cili është në një pozicion shumë më të keq se Vokshi dhe nuk ka qenë pjesë e Rithemelimit që mundësoi marrjen e PD-së. Madje, së bashku me Babalën, helmuan demokratët dhe blinduan selinë për të dëmtuar misionin tonë.

Dhe tashmë, ata janë në krye, ndërsa ne, që ishim arsyeja pse e morët atë parti, po luftohemi.

Gjithsesi, nesër do ta dorëzoj kandidaturën siç duhet dhe jeni të paralajmëruar — I knoë exactly ëhat you're doing, and so do others.

Së shpejti, përveç SHBA-së, luftën kundër jush do ta çoj edhe në BE, dhe EPP do të mësojë shumë shpejt kush është Albana Vokshi dhe si ka vjedhur dhe manipuluar votat në PD për dekada me radhë. I njëjti prezantim do t’i bëhet edhe Sali Berishës.