Negociatorët amerikanë kanë përjashtuar privatisht dërgimin e trupave dhe ngritjen e bazave ushtarake në Ukrainën e pasluftës, si pjesë e garancive të sigurisë. Qëndrimi i Uashingtonit ka shkaktuar shqetësim në Kiev, ku presidenti Volodymyr Zelensky kërkon angazhime konkrete dhe të shkruara për të parandaluar një tjetër sulm rus.

“Nuk është ende e qartë, sepse ende nuk kemi një përgjigje të qartë, një përgjigje të plotë, se çfarë do të ishte ky grup kolektiv, si do të na mbronte dhe nëse ky grup do të ishte i gatshëm të zmbrapste agresorin”, deklaroi presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky për Kyiv Independent.

Ndërkohë në një postim në X Zelensky ka deklaruar se forcat e Kievit do të vijojnë sulmet ndaj Moskës dhe aeroplanët dhe anijet e Rusisë do të jenë objektiva legjitime.

“Ne do të vazhdojmë të kundërsulmojmë. Avionët rusë, anijet luftarake ruse dhe anijet që transportojnë armë ruse janë objektiva krejtësisht legjitime për ne”, tha Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky në X.

Mosmarrëveshja lidhet me garancitë e sigurisë që SHBA-ja dhe aleatët perëndimorë mund t'i ofrojnë Ukrainës pas përfundimit të luftës. Sipas raportimit, negociatorët amerikanë kanë përjashtuar praninë e trupave të huaja dhe ngritjen e bazave ushtarake amerikane në territorin ukrainas.

Gjatë takimit të 19 nëntorit në Berlin, të dërguarit amerikanë Jared Kushner dhe Steve Witkoff diskutuan me zyrtarët ukrainas dhe evropianë një paketë garancish të modeluar sipas Nenit 5 të NATO-s. Presidenti Donald Trump, sipas Kushner, është i gatshëm të shqyrtojë një marrëveshje të tillë.

Megjithatë, një garanci e ngjashme me Nenin 5 nuk është e barabartë me anëtarësimin në NATO dhe nuk përcakton automatikisht se cilat shtete do të ndërhynin ushtarakisht në rast të një sulmi të ri rus.

Zelensky kërkon që detyrimet e partnerëve të përcaktohen qartë dhe të jenë të shkruara përpara arritjes së një marrëveshjeje paqeje.

“Kjo duhet të jetë në letër. Deri më tani, nuk kam parë ndonjë hap të tillë në letër”, theksoi presidenti ukrainas.

Nga ana tjetër, një zyrtar amerikan i njohur me negociatat tha se Uashingtoni dëshiron që garancitë të përfshihen në marrëveshjen përfundimtare të paqes. Sipas tij, paketa mund të përmbajë mbështetje dhe masa të tjera për të garantuar sigurinë e Ukrainës.

Rusia vazhdon të kundërshtojë praninë e forcave të huaja në Ukrainë. Kjo mbetet një nga pengesat kryesore në negociata, pasi Kievi kërkon garanci që do të pengonin një tjetër pushtim, ndërsa Uashingtoni dhe aleatët evropianë ende nuk kanë përcaktuar se deri ku janë të gatshëm të shkojnë.

Ndërsa Franca shpreh gatishmërinë për të dërguar një përfaqësues në Moskë për negociata mbi përfundimin e luftës në Ukrainë, duke kërkuar pjesëmarrjen e plotë të Evropës, tensionet diplomatike me Rusinë vijojnë.

Presidenti bjellorus Alexander Lukashenko i ka propozuar Zelenskyt ta shoqërojë në Moskë për një takim me Putinin, por presidenti ukrainas e ka refuzuar ofertën, duke sugjeruar që ata të udhëtojnë së bashku drejt Kievit.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 22:55
Zelensky: Do të vazhdojmë sulmet, aeroplanët dhe anijet e Moskës janë objektiva legjitime

1794772404_volodymyrzelensky.webp

Foto: Volodymyr Zelensky

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka deklaruar se forcat e Kievit do të vijojnë sulmet ndaj Moskës dhe aeroplanët dhe anijet e Rusisë do të jenë objektiva legjitime.

“Ne do të vazhdojmë të luftojmë. Avionët rusë, anijet luftarake ruse dhe anijet që transportojnë armë ruse janë objektiva krejtësisht legjitime për ne”, tha Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky në X.

Ora 15:26
Putini kërkon dialog me Evropën, Franca i përgjigjet me një kusht të prerë: Duam vend të plotë në tryezën e negociatave për Ukrainën

1795617295_macron.JPG

Franca është shprehur e gatshme të dërgojë një përfaqësues në Moskë për bisedime të drejtpërdrejta me Rusinë për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë, por kërkon si kusht pjesëmarrjen e plotë të Evropës në negociatat për një marrëveshje të mundshme paqeje.

Sipas një përfaqësuesi të ambasadës franceze në Rusi, Parisi e mirëpret ftesën e presidentit rus Vladimir Putin drejtuar zyrtarëve evropianë, por kërkon garanci se vendet evropiane nuk do të kenë një rol dytësor në procesin negociator.

“Ne duhet të marrim konfirmim se Evropa do të ketë një vend të plotë në tryezën e negociatave për të zgjidhur çështjen ukrainase”, tha diplomati francez, duke përsëritur kushtin e vendosur më parë nga Pallati Elize.

Qëndrimi i Francës vjen në një kohë kur vendet evropiane po kërkojnë të rivendosin kanalet e drejtpërdrejta të komunikimit me Moskën dhe të sigurojnë një rol në vendimet që do të përcaktojnë të ardhmen e Ukrainës dhe sigurinë e kontinentit pas luftës.

Më 19 nëntor, gjatë samitit të Bashkëpunimit Ekonomik Azi-Paqësor (APEC) në Kinë, Vladimir Putin ftoi publikisht zyrtarët evropianë të vizitonin Moskën për të diskutuar çështje që lidhen me sigurinë në rajon.

Presidenti rus deklaroi se Kremlini dëshiron fillimisht të dëgjojë se çfarë mund të kontribuojë Evropa në negociatat e paqes, përpara se të vendosë se në çfarë forme do të vazhdojë dialogu për Ukrainën.

“Ne nuk jemi kundër pjesëmarrjes evropiane, por duhet të kuptojmë se çfarë do të sjellë Evropa në këto bisedime”, kishte thënë Putin.

Ora 13:05
'Çfarë jam unë, një valixhe?'/ Zelensky refuzon propozimin e Lukashenkos për ta shoqëruar në Moskë: Merre Putinin dhe hajdeni në Kiev

1795246550_volodymyrzelensky.jpg

Presidenti i Bjellorusisë, Alexander Lukashenko, i ka propozuar homologut të tij ukrainas, Volodymyr Zelensky, që ta shoqërojë personalisht në Moskë për të zhvilluar negociata me presidentin rus, Vladimir Putin, duke i garantuar sigurinë gjatë udhëtimit dhe qëndrimit në kryeqytetin rus.

Por propozimi është hedhur poshtë nga Zelensky, i cili iu përgjigj me ironi, duke vënë në pikëpyetje seriozitetin e kësaj oferte. Sipas presidentit ukrainas, për sa kohë lufta vazhdon, një takim mes tij dhe Putinit nuk mund të zhvillohet as në Moskë dhe as në Kiev.

“Propozon të më marrë me vete. Çfarë jam unë për të, një valixhe? Të më fusë në një avion dhe të fluturojmë? Kjo nuk është një bisedë serioze”, deklaroi ai.

Madje, presidenti ukrainas i propozoi me ironi Lukashenkos që të shoqëronte presidentin rus në Kiev, duke garantuar se edhe pala ukrainase mund të siguronte mbrojtjen e tyre.

“Ai mund ta marrë Putinin dhe të fluturojnë së bashku drejt Kievit. Edhe ne do t’ua garantojmë sigurinë këtu”, u shpreh ai.

“Jemi në luftë. Nuk mund të takohemi në Moskë apo në Kiev. Të gjithë e kuptojmë shumë mirë këtë. Kur dikush thotë diçka të tillë, thjesht nuk bëhet fjalë për një bisedë serioze. Ky person nuk na afron drejt përfundimit të luftës”, shtoi Zelensky.

Ora 12:51
'Rusia kërkon më shumë se Ukrainën', Merz paralajmëron për rrezikun në Evropë: Do të vendosim kufij për Moskën

1795607578_friederich.JPG

Kancelari gjerman, Friedrich Merz, ka paralajmëruar se Rusia synon shumë më tepër sesa vetëm pushtimin e Ukrainës dhe se po i përshkallëzon tensionet në shkallë të gjerë në disa rajone.

Gjatë fjalimit të tij për buxhetin, më 25 nëntor, Merz deklaroi se Moska ka objektiva më të gjera sesa lufta kundër Ukrainës.

“Rusia e di saktësisht se çfarë dëshiron dhe ajo dëshiron më shumë se Ukrainën. Kushdo që nuk arrin ta kuptojë këtë, ose nuk e kupton botën ashtu siç është, ose po ndjek një agjendë krejtësisht tjetër – një agjendë që bie ndesh me lirinë, hapjen dhe vlerat liberale të vendit tonë”, tha ai.

Merz shtoi se Gjermania për një kohë të gjatë i kishte lënë pas dore çështjet themelore në fushën e mbrojtjes, infrastrukturës, ndryshimeve demografike dhe ekonomisë. Sipas tij, këto sfida duhet të trajtohen me urgjencë.

Ai paralajmëroi gjithashtu se Rusia po i përshkallëzon tensionet në rajonin e Baltikut, në Poloni, në Detin e Zi dhe madje edhe në hapësirën e jashtme.

“Përshkallëzimi po ndodh në një shkallë masive, përfshirë edhe brenda kufijve tanë, madje duke marrë edhe jetë njerëzish. Kjo është situata, zonja dhe zotërinj. Prandaj, ne si evropianë duhet – dhe do të vendosim – kufij të qartë për Rusinë”, përfundoi Merz.