Garda braktis ish-presidentin
Topi, ushtarët hiqen natën

Garda braktis ish-presidentin<br />Topi, ushtarët hiqen natën
TIRANE - Vetëm pak orë pasi Bamir Topi dorëzonte detyrën e kreut të shtetit, Garda e Republikës nxitoi që të hiqte masat e sigurisë që kishin shoqëruar vilën e ish-presidentit te “Kodra e Priftit”.

Operacioni është kryer rreth orës 22:00 të 24 korrikut, ndërsa ish-presidenti i shoqëruar nga bashkëshortja, po darkonte me miqtë te nje restorant pranë Fakultetit Histori-Filologji.

Nga nëntë kabina që ishin vënë prej 5 vitesh rrotull vilës presidenciale, dje në mëngjes kishin mbetur vetëm dy të tilla dhe vetëm te njëra ishte një punonjës i gardës, që siguronte hyrjen e banesës. Mëngjesi i djeshëm ishte i qetë përreth vilës ETNA, emër i vënë nga bashkimi i emrave të vajzave të tij, Nada dhe Etida. Mbrëmjen e së martës, ishin “korrur” edhe kabinat e tjera ku qëndronte Garda e Republikës e cila ruante objektin dhe Presidentin.

Sipas një VKM-je banesat e personaliteteve të larta shtetërore ruhen 3 vjet pas lirimit nga funksioni për disa kategori. Këtu futet Presidenti i Republikës, Kryetari i Kuvendit, Kryeministri. Janë rreth 100 punonjës të Gardës së Republikës së Shqipërisë që kujdesen për mbrojtjen e personaliteteve të larta.

RREFIMI I FQINJIT
Ish-ushtaraku Lek Lleshaj, banon shumë afër Vilës ETNA të ish-Presidentit Topi. Pran banesës ka hapur edhe një biznes privat, një ushqimore te vogël, ku shërben edhe kafe me dy tavolina. Ai nuk e fsheh ndjenjën e boshllëkut që i jep fakti që fqinji i tij nuk është me kreu i shtetit dhe nuk e fsheh indinjatën, se si natën, vetëm pak orë pas dorëzimit të detyrës, familjes Topi iu hoq siguria fizike.

Presidenti u zgjodh në 2007, në këtë lagje ka qenë që në fillim?
Ka qenë në këtë lagje dhe ka bërë shumë për këtë lagje.

Pa u zgjedhur president, apo kur u zgjodh ka kontribuar në këtë vend?
Që përpara. Madje koha që ai është zgjedhur president ai ka qenë më i kufizuar për të bërë me tepër nga çfarë ka bërë.

Në momentin që u zgjodh si u ndjetë?
Unë jam shprehur kështu, për detyrën e Presidentit, i cili përfaqëson dhe duhet të ofrojë unitetin e kombit, garantuesin e Kushtetutës, njeriun që mbart vlerat më të larta të kombit shqiptar. Për mua ka qenë gjetja më e duhur. Për mua zoti Bamir Topi në aspektin politik ka qenë gjithmonë vizionar, njeri që ka pasur ecuri të suksesshme, një personalitet që ka qëndruar gjithmonë larg konfliktit, një tiranas shumë i dashur, me shumë e shumë vlera. Nuk kam parë asnjëherë tek ky njeri ambicie që të ishte larg vlerave njerëzore, jo vetëm të një politikani, por dhe të një njeriu fare të thjeshtë. Është larg konfliktit dhe më pëlqen jashtë mase.
Njerëzit kur vishen me pushtet vishen dhe me një lloj mendjemadhësie. E keni vënë re këtë gjë?
Ju falenderoj për pyetjen që më prek e më mallëngjen. Me Presidentin është e vështirë të ulesh, por në momentin që ulesh me të ai heq petkun e funksionit sado i lartë që të jetë dhe ke përballë një qytetar shumë të nderuar e të respektuar. Për mua është nder që e njoh e që kam pasur mundësi të komunikoj me të. Ai ka bërë shumë mirë komunitetit ku jeton dhe Shqipërisë. Është një njeri që rrezaton larg.

Ka pasur investime të reja në lagje pas bërjes së Topit President?
Duke qenë se Presidenti nuk përgjigjet për zhvillimin ekonomik të vendit, por ka atë kornizën ligjore të përcaktuar nuk kemi parë ndonjë zhvillim, madje më shumë ka ndikuar në kohën që nuk ishte president. Ka ofruar gjthë mundësitë që ofron korniza ligjore, duke shfaqur dhe aftësitë e tij individuale brenda ligjit, sepse nuk kam parë asnjëherë që ai të jetë një njeri që kërkon për veten e tij.

Ju ka shqetësuar në këto 5 vite prania e Gardës?
Garda nuk ka ka shqetësuar. Lagjia është ndjerë më e sigurt dhe më e qetë. Çdo njeri kënaqet kur shikon një uniformë sado afër që të jetë.

Duket se sot mungojnë totalisht punonjësit e Gardës….
Edhe unë sot ndihem shumë keq! Ne ishim mësuar këtu me një lloj gjallërie, nuk e kishim fare problem. Prania fizike e Gardës na jepte edhe siguri...

Zakonisht në çfarë ore dilte Presidenti Topi?
Zakonisht Presidenti dilte në mëngjes në orën 9 pa 15 minuta, dhe kthehej pasdite nga ora 16:45.

U kthye ndonjëherë te kafja juaj?
Jo, sepse është edhe protokolli që e ndalon. Ndërsa kur është zgjedhur President, në ditën e parë ka dalë nga makina dhe na ka dhënë dorën.

Sot aty paska shumë muzikë në vilë. Ndodh shpeshherë kështu?
Bamir Topi dallohet për dashurinë e madhe që ka për artin dhe muzikën, ashtu sikurse edhe për sportin. Janë dy këngëtarë që unë i kam idhuj dhe janë Kastriot Tusha dhe Artiola Toska, që për mua janë idhuj. Unë jam kënaqur duke dëgjuar zërin e tyre nga vila e zotit Topi. Shpesh herë këta këngëtarë vinin kur ka pasur festa familjare.

Si u ndjetë mbrëmjen e 24 korrikut kur zoti Topi la zyrtarisht detyrën?
Zoti Topi edhe duke dorëzuar detyrën, me heshtjen e tij ka folur shumë. Unë dje prita që të kishte një fjalë përshëndetëse të zotit Topi, gjë që nuk e pashë. Sinqerisht që jam ndjerë keq. Ndoshta s'ka qenë dëshira e tij për të heshtur, por e kanë kushtëzuar. Unë jam ndjerë i prekur kur ka përshendetur me dorë të pranishmit dhe është larguar. Edhe tani që po flas me ju unë jam i prekur, ndoshta nuk do të shkonte, por ja që e ndjej... Bashkëshortja ime ka qarë dje. Topi ka qenë një person që i ka kaluar problemet duke zgjedhur gjakftohtësinë, duke shmangur brutalitetin, madje duke vënë në funksion edhe heshtjen. Njeri që qëndron larg konfliktit. Unë atë e shoh si një njëri model, vizionar edhe për politikën e ardhshme. Ai ka qenë ekulibruesi më i mirë.

Ju keni qenë ushtarak. Mendoni se Garda duhet ta braktiste kështu ish-presidentin?
Garda e Republikës zbaton ligjin. Jam i sigurt që Topi ka marrë atë që i takon me ligj. Megjithëse na la një shije të keqe me këtë zbrazëti dhe që dje në darkë kanë ardhur rreth orës 22:00 dhe kanë hequr kabinat ku qëndronin punonjësit e Gardës. Nuk është e hijshme, më ka bërë shumë përshtypje.

Sa kabina ka pasur?
Besoj 9 kabina, dy i kanë lënë për vitet që ligji ja garanton Presidentit.

Presidenti merrte pjesë në raste gëzimesh apo vdekje?
Po sa herë ka pasur, presidenti Topi ka ngushëlluar familjen privatisht.

Si e shikoni Bamir Topin në FRD?
Tashmë janë bërë publikë disa emra dhe janë shumë të spikatur, si Oketa, Biberaj dhe Mustafaj. Mendoj se do të jetë një parti që do të ketë një shtrirje popullore. Është një ekip shumë vizionar.

Ju do votoni për FRD?
Unë po e deklaroj hapur, edhe pse vota është e fshehtë. Do të votoj për Topin.
(Shkrimi u botua sot ne gazetën Shqiptarja.com)
sg/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Censi 2023, popullsia u tkurr me 419 mijë në 12 vite, cili është shkaku?



×

Lajmi i fundit

Euro 2024/ Spanja kundër surprizës Gjeorgji, formacionet e sfidës së Këlnit

Euro 2024/ Spanja kundër surprizës Gjeorgji, formacionet e sfidës së Këlnit