Edicioni i dytë i Festivalit të Artit të Ndaluar në mbrëmjen e tij të tretë trajtoi gjerësisht historinë e muzikantit të pazakontë Gaspër Çurçia. Një artist virtuoz, instrumentist, dirigjent, kompozitor, orkestrues, me ulje ngritje të pashembullta ne karrierën e tij gjate viteve të diktaturës, ai u dënua nga regjimi me pushkatim për faj në dukje ordiner.
Por çfarë fshihej në marrëdhënien e tij të paqëndrueshme me levat drejtuese të regjimit? Si rrjedh historia e tij nga rrënjët e familjes tek përpjekjet e tij për të shkëlqyer në muzikë?
Në një bisedë të moderatorit Bledi Strakosha me poetin Sadik Bejko, mik i afërt i muzikantit, në skenën e “BUNK’Art”, u zbuluan shumë dimensione thuajse të panjohura nga jeta dhe karriera e këtij muzikanti. Po në këtë mbrëmje në formë homazhi për Gasper Çurçinë u interpretuan edhe disa pjesë muzikore frymëzuar prej muzikës së këtij artisti virtuoz nga Gent Rrushi dhe banda e tij.
[gallery]20493[/gallery]
Cili ka qenë ky autor kaq i famshëm, i cili për fat të keq u pushkatua? Ju si e keni njohur, në ç’rrethana? Ka qenë një miqësi fëmijërie, një miqësi profesionale?
Unë e kam pasur mik Gaspër Çurçinë dhe njohja jonë ka qenë thjesht profesionale. Unë jam nga jugu i Shqipërisë, ai ishte qytetar shkodran, nga familje e vjetër qytetare shkodrane katolike dhe jemi njohur në punë kur unë jam emëruar redaktor për poezinë në Radio Tirana. Ishte redaksia e quajtur e krijimtarisë muzikore. Aty prodhohej muzikë. Gjithçka që prodhohej si muzikë e re në të gjithë Shqipërinë kalonte nëpërmjet kësaj redaksie. Edhe muzika e filmave aty bëhej. Gaspër Çurçia ishte i emëruar në televizion në fillim si trombist i orkestrës simfonike. Timbri i Gasprit nuk ishte timbri i muzikës klasike, timbër simfonik, por ishte timbër i muzikës së xhazit dhe ka një dallim shumë të madh për ata që janë specialistë. Megjithatë për nevojat e kohës, ai shërbeu për disa kohë si trombë, ndërsa në jetën e tij personale Gaspri kishte shkëlqyer që në rininë e vet si amator, s’kishte asnjë lloj shkollimi muzikor, me profesion ishte elektricist i specializuar goxha në këtë fushë. Këtë profesion e ushtroi për pak kohë kur e hoqën nga jeta artistike. Edhe në rininë e tij e kishte ushtruar. Gaspri kishte shkëlqyer sepse ishte muzikant i orkestrave të famshme të hoteleve dhe të lulishteve që funksiononin në plazhin e Durrësit në periudhën kur vinin turistët çekë, polakë, gjermanë në Shqipëri, rreth viteve 50-60-të. Ata lloj turistësh që quheshin marksistë-leninistë. Gaspri ishte nga ata tipa që, megjithëse s’kishte shkollim, kishte mësuar dhe mund të luante p.sh. këngën e fundit që ishte luajtur një natë më parë në Sanremo ose një këngë që ishte luajtur në Eurovision. Ai njihte shumë mirë të gjithë ata që ishin trombistët më të mëdhenj të kohës. Gaspri ishte me timbër brilant. Ai mund të mbante gjithë natën me trombën e vet. Ai ishte tipi i muzikantit dhe instrumentistit të lindur, i cili kalonte lehtësisht në notat më të larta, kalonte në delir. Tromba ka një tingull shumë të gëzuar, përgjithësisht drithërues dhe me dritë. Dhe Gaspri ishte vetë me dritë si natyrë, ishte njeri shumë i gëzuar, shumë ekspresiv. Ishte nga ata që e çojnë gëzimin atje në skaje. Kjo natyrë me këtë lloj instrumenti e bënte atë njeri shumë të dashur. Ka luajtur në “Dajti”, para se të vinte në televizion. Por edhe kur ishte në televizion, ai kur kishte mundësi dhe ftesa të veçanta që i vinin nga drejtori të caktuara të shtetit që përgatisnin pritjet, ishte i pranishëm. Në sajë të këtyre cilësive të tij, ardhja e tij në televizion nuk kërkonte vetëm njeriun e talentuar, amatorin e shkëlqyer. Duhej që të përputheshin dy prirje, se këtu kërkohej profesionisti, i cili duhej të dinte që të orkestronte muzikën, duhej të dinte të drejtonte muzikën. Shumë shpejt, duke pasur pasionin dhe këmbënguljen që ta jep talenti, Gaspri, duke qenë në rrethin e muzikantëve më të mirë të kohës, sepse Radiotelevizioni dhe Opera i kishin muzikantët më të mirë të kohës, duke njohur personalisht personalitete të cilët që të gjithë i dërgonin këngët e tyre në Radiotelevizion, si Tonin Harapi, Tish Daija, kryemuzikanti Çesk Zadeja dhe shumë muzikantë të tjerë të Shqipërisë, Gaspri e pa veten e tij tashmë duke prishur, duke shkruar, duke mësuar. Pikërisht atë bashkëpunim që lind në punë, atë që ta kërkon nevoja, thonë që nuk e bëjnë dot 20 universitete. Gaspri menjëherë u bë i tillë saqë arriti që Çesk Zadeja, këtij amatori, këtij instrumentisti, t’i jepte këngët e veta për t’ia orkestruar. Kënga e Festivalit të 11-të që këndohen nga Dorian Nini dhe që është kompozuar nga Çesk Zadeja, është orkestruar nga Gaspër Çurçia. Pas kësaj, Gaspri kishte edhe aftësinë tjetër. Ashtu siç shikojmë sot nëpër filmat amerikanë, ai gjente një djalë që ishte diku p.sh. tornitor, por e dinte që ai ishte shumë i mirë në një vegël muzikore dhe Gaspri e merrte. E zbulonte si talent. Dhe krijonte orkestrën e tij me të talentuar që ishin të marrë nga rruga.
Muzika gjente shteg për të mos iu bindur politikës së asaj kohe apo jo...?
Dikush, ndoshta Bethoveni ka thënë që “tingujt janë të lirë, por fjala është në pranga”. Por atëherë, në fakt, jo vetëm fjala por edhe tingujt ishin në pranga. Në radhë të parë kishte një program pastaj vinte edhe dashakeqësia. P.sh. Gaspër Çurçia me trombën e tij të famshme, siç thamë që kishte momente kur vetë muzika të çonte në delir, dhe ti mund t’i biesh trombës vetëm duke e mbajtur lart. “Gaspër, po e ngrite lart atë trombën tënde mua më heqin nga kolltuku im dhe më çojnë drejt e në minierë, prandaj duhet t’i biesh trombës kokulur”. Si mund t’i biesh trombës kokulur, duke e mbajtur hinkën e saj poshtë? Ajo është një vegël e krenarisë, e gëzimit. Deri këtu arrinte puna. Tani, mënyra se si interpreton ishte ndryshe, sepse kishte disa gjëra si, këngëtari s’mund të ishte i lirshëm etj., sepse quheshin shfaqje të huaja.
Gaspri ishte fytyrëbardhë, me flokë kafe të çelur. Vinte pak i shëndoshë, por edhe pse me atë mbipeshë ishte një njeri që në skenë fluturonte. Kishte një temperament gati elektrik.
Një këngë e Krajkës “Djaloshi dhe shiu” që sot mund të bëjë përshtypje. Atëherë u këndua nga Besnik Taraneshi dhe nga Vaçe Zela. Vaçja përfitoi për arsye të tjera, ndërsa ai Taraneshi u hoq nga skena dhe s’këndoi më kurrë sepse ajo u quajt muzikë ritmike, xhaz. Realisht ashtu ishte. Edhe sot tingëllon moderne. Në këtë festival u dënuan shumë kompozitorë dhe këngëtarë. Duhet të dimë që kompozitorët dënoheshin por vinin prapë, ndërsa këngëtarët flakeshin përgjithmonë nga skena. Të tilla gjëra nuk mund t’i mendosh por kështu ka ndodhur. Siç thamë, muzika e mirë në Shqipëri dëgjohej nëpërmjet radios. Këtu mund të mos vinin librat më të fundit, të shek. XX, por frekuencat e radios nuk mund të ndaloheshin.
Çfarë e frymëzonte Gaspër Çurçinë, cili kompozitor, cili këngëtar?
Siç thashë, Gaspri ishte i muzikës së xhazit dhe ç’janë të mëdhenjtë e xhazit ai i njihte. Fotografinë e Lui Armstrongut e mbante me vete. Gaspri përgjithësisht i njihte skemat ritmike shumë mirë, të të gjithë muzikantëve më të shquar të kohës së vet. Atëherë duke menduar se rinia, koha kërkon një muzikë edhe të veglave frymore, u lejua një orkestër e këtyre veglave. Gaspër Çurçia, ngaqë ishte maturuar si muzikant u lejua të drejtonte këtë orkestër. Kjo ishte një iniciativë edhe e tij por sigurisht edhe me lejen e autoriteteve sepse atëherë s’kishte asnjë lloj mundësie të bëhej asnjë lloj orkestre pa marrë leje nga shteti. Pastaj mënyra se si interpretonte, se çfarë muzike futi Gaspri aty, aty u tregua talenti dhe veçantia e tij. Atëherë kur bëhej muzikë me vegla frymore quhej si muzikë xhaz, ndërsa kur bëhej me orkestrën e madhe simfonike pra edhe me vegla të tjera muzikore, ajo nuk quhej xhaz. Xhazi me vegla frymore ishte i ndaluar dhe quhej muzikë e gabuar.
Atij iu dha në fund dënimi kapital. Çfarë ndodhi me familjen për të cilën ai kishte merak të madh sidomos për fëmijët. Ka pasur tre djem apo jo?
Po. Kishte tre djem: Markun, Edin dhe Fredin. Ai donte që i vogli të studionte për muzikë. Dhe ai e mbaroi Liceun Artistik. Gruaja e Gasprit, Vasilika, ishte arsimtare. Ishte një grua shumë e mirë, nikoqire, fjalëmbël. Gaspri përtej natyrës së tij gazmore ishte familjar. Nëna e Gasprit, kroate, punonte si rrobaqepëse për të mbajtur familjen dhe fëmijët e saj. Gaspri ka një vëlla dhe një motër në Shkodër. Ajo ka jetuar me Gasprin këtu në Tiranë dhe këtu vdiq në vitin 1970. Gaspri ishte një prind siç ishin atëherë prindërit e kohës. Ne u bërtisnim fëmijëve, donim që si baballarë të ishim autoritarë. Gaspri edhe kishte edhe s’kishte kohë. Përgjithësisht jeta kryesore e tij ishte ajo e artit. Jeta artistike nuk ka orare. Sidomos pasditet janë të zëna sepse në atë kohë zhvillohen edhe aktivitetet muzikore. Siç thashë, ai ishte dirigjent i mirë, kishte një orkestër, ishte instrumentist nga më të mirët për trombën në kohën e vet, mos them më i miri në llojin e muzikës së xhazit me trimbrin e tij të veçantë, pastaj ishte edhe kompozitor. Orkestronte gjithashtu. Orkestrimi edhe sot është një gjë e jashtëzakonshme. Ka pasur disa orkestrues të mirë si Radoja, Prodani, Kareco, Gjon Simoni, Aleksandër Lalo, dhe midis këtyre orkestruesve që kishin studiuar në universitet ishte edhe Gaspër Çurçia, një amator, të cilit i besonin këngët e tyre kompozitorët më të mirë të vendit. Ai ishte edhe kompozitor. Ka kompozuar dhe incizuar disa këngë të muzikës së lehtë, disa pjesë orkestrale të shkëlqyera, gjithashtu kishte edhe muzikë për filma. Ka pasur një muzikë për një kinokomedi, një muzikë argëtuese.
Përse u dënua z. Çurçia? Përse me një vendim kapital?
Është një histori e gjatë për të vajtur deri atje. Ai ishte tipi i njeriut që në natyrën e vet ishte shumë i lirë. Ai kishte frikë si çdo njeri në atë kohë, por te miqtë që zgjidhte nuk kishte frikë. Gaspri fliste keq për diktatorin e asaj kohe. Gjithnjë fjalë të tilla të çonin në burg. Por Gaspri kur krijonte miqësi nuk kishte frikë. Nuk di se çfarë mund të ketë për atë njeri në dosjet e tij sepse ai ishte natyrë e lirë. Ishte një njeri këmbëngulës që gati-gati edhe murit i binte me kokë për të arritur atë që dëshironte. Natyrisht si muzikant i talentuar kishte edhe adhuruesit e tij. Pra, kishte edhe ai jetën e tij private, kuptohet aq sa mund të bëhej kjo gjë në komunizëm. Por Gaspri në natyrën e vet tentonte drejt kësaj sepse ishte një njeri shumë i lirë. Aq problem e kishin drejtuesit e tij direkt sa kur mbaronte p.sh. orkestrimin, mbaronte këngët, i kishte bërë gati, i thoshin që për nja dy ditë të mos shkonte në punë sepse këngët do t’i nënshtroheshin kontrollit. I bënin pyetje për pjesë të ndryshme të muzikës që kishte kompozuar apo orkestruar, pse duhet kjo vegël muzikore këtu, po ky saksi pse hyn këtu etj. Mirëpo Gaspri nuk dinte t’i përgjigjej në mënyrë zyrtare pyetjeve. Kompozitorët e tjerë dinin t’i flisnin me gjuhë profesioniste një zyrtari duke ia shpjeguar me qetësi. Ndërsa Gaspri nuk dinte ta bënte këtë, por i binte shkurt: “Ku merr vesh ti nga muzika, çfarë të duhet ty”. Mirëpo nuk mund t’i flasësh në këtë mënyrë një eprorit tënd. Pra Gaspri kishte natyrën jo të konformistit, në përgjithësi. Në jetën e përditshme ishte tipi i njeriut shend e verë. Edhe muzika e tij ishte e gëzuar, edhe natyra e tij ishte e gëzuar.
Megjithatë, besoj në një moment apo në një tjetër është dashur që të bëjë kompromis me kërkesat e kohës. Kishte ai ndonjë peng në krijimtarinë e tij, ndoshta për ndonjë tingull që nuk ishte sipas pasionit apo dëshirës së tij, që mund ta ketë diskutuar me ju?
Të flasim troç. Gaspër Çurçia e dinte shumë mirë dhe thoshte që “ne jemi si ata gaztorët në një oborr të rëndë tiranik. Ne mundohemi që aty të sjellim gazin, por edhe gazi ynë është i kontrolluar”. Thashë që Gaspri ishte antikonformist i lindur dhe i bindur për këtë gjë. Thoshte: “Shiko se si është puna. Ne po bëjmë një festival. Ky popull tani mund të mos ketë bukë të hajë por do të dëgjojë këngët e festivalit dhe do të jetë i gëzuar”. Gaspri e dinte mjaft mirë se çfarë ishte roli i një muzikanti në një vend ku s’ka bukë dhe liri. Këtu duhet të kesh shumë kujdes. Por duhet që këtij populli t’i japësh pak gaz, pak muzikë të bukur. Ai nuk ishte njeriu të cilit i jep një detyrë dhe ai e bën këtë detyrë. Gaspri ishte krijues dhe jo zbatues.
Për sa i përket Festivalit të 11-të, dua të ndalemi pak, sepse ka qenë festivali ndoshta më famëkeq. Shumë artistë u dënuan. Ne po marrim një shembull, atë të z. Çurçia, por ka pasur shumë raste të tjera fatkeqe që artistëve që janë ndëshkuar për shkak të artit.
Gjithmonë ka pasur raste edhe në radio kur diktatura hapej pak, zbutej pak. Pastaj papritur egërsohej.
Qëllimisht?
Jo. Si çdo kohë ka, si të thuash, që pas tensioneve të mëdha kërkon pak zbutje dhe Festivali i 11-të nuk është problemi vetëm i Radiotelevizionit. Atëherë u bë një ekspozitë shumë e bukur, ku morën pjesë disa piktorë të rinj si Edi Hila, Edison Gjergo etj. Madje Edison Gjergo vuajti në burg dhe pastaj vrau veten. Po ashtu Edi Hila u ndëshkua. U lejua që të kishte ngjyra e figura përparësi e jo përmbajtja. Po kështu në gazetën “Drita” u botuan poezi që gati-gati ishin surealiste. Ishin disa shkrimtarë të rinj që u lejuan të botonin. Në Teatrin Popullor po viheshin në skenë pjesë si “Orfeu zbret në ferr”, “Njollat e murrme” etj., me regjisorë Spahivoglin, Luarasin. “Njollave të murrme” iu dha flamuri në darkë dhe u dënua të nesërmen. Artistët në atë kohë e dinin që po bënin një punë pak si mbi mina, por ata ndiqnin, si të thuash, instinktin e tyre. Siç thamë artisti duhet të jetë më i miri në kohën e vet dhe kohës së vet duhet t’i japë diçka. Dhe festivali u lejua të bëhej i tillë. Por ama ku ishin këta njerëz që bënë këtë muzikë që edhe sot është e bukur. Ishin aty, d.m.th. u lejuan që ta bënin. Ishin të aftë ta bënin. Edhe mund të mos e bënin. Nuk do të ndodhte asgjë e keqe sikur të mos e bënin. Por ata e bënë sepse ata donin ta bënin këtë muzikë. Ata e donin këtë gjë. Ajo që u ndalua pastaj ishte tjetër gjë.
(Vijon neser)
Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com