(Vijon nga dje)
Mund të ndalemi pak më gjerësisht te Festivali i 11-të, festivali më famëkeq. Pse u dënuan aq shumë artistë?
Festivali i 11-të ka shumë shpjegime, ka shumë të dhëna, tani për tani, thuhet që ajo ka qenë një farë gracke që të lejon ndonjëherë diktatura pastaj ajo merrte masa ndëshkimore. Nga viti 1972-1973 kur ndodhën këto dhe deri në vitin 1982 kur u pre koka e ministrit të Brendshëm dhe i gjithë stafi i Ministrisë së Brendshme u shkatërrua me Kadri Hazbiun, pastaj në mes pati 3-4 lloje grupesh të kulturës, të ekonomisë, të ushtrisë, të degës së brendshme, deri te vetëvrasja e Mehmet Shehut. Ka qenë një periudhë e gjatë që për fat të keq prologu i saj ishte pikërisht ky festival. Nuk është problemi se u ndëshkuan vetëm muzikantë, p.sh. Minush Jero, një dramaturg, shkoi në burg dhe u zhduk nga jeta artistike; Mihallaq Luarasi shkoi në burg dhe duhej të vinin vitet 90-të që të dilte nga harresa. Një tjetër si Kujtim Spahivogli, një regjisor i madh, shkoi diku dhe ai, punoi në prodhim e s’e ngriti kokën më etj., etj. Ajo ishte një sferë që kapi artistët në përgjithësi. Festivalin e 11-të mund ta quajmë një nga spektaklet më të bukura që janë bërë në diktaturë.
Nëse mund të shtoj diçka. Në momentin që i shikon ato regjistrime të duket gati sikur shikon Sanremon, sikur shikon një festival italian apo tipik perëndimor...
Po, ishte regjia, ishte muzika, ishte gjithçka, prezantimi. Në një farë mënyre ai festival u lejua të bëhej. Dhe këtu është një enigmë. Dikush mendon se Shqipëria mund të hapej nga Perëndimi dhe shkruan në një libër të Spartak Ngjelës “Përkulja dhe rënia e diktaturës shqiptare”, një libër voluminoz me tre vëllime, që paskan ardhur francezë në Shqipëri dhe ishte kërkuar nga Franca një hapje e diktaturës shqiptare. Që të bëhet i besueshëm dhe kjo u bë në kulturë. Atëherë Kina u hap ndaj Amerikës me takimin e famshëm Mao-Nikson. Presidenti francez Zhorzh Pompidu shkoi dhe bisedoi me Maon. Ishte një kohë ndryshimesh ndërkombëtare. Edhe Shqipërisë iu kërkua, pastaj kjo, siç thonë, nga presionet që pati, që të mos hapet Shqipëria, iu bënë ndoshta direkt Francës, ajo u mbyll. Dhe kjo mbyllje pastaj pati ato pasoja që pati. Ishte një ngjarje që preku deri figurat më të larta të Komitetit Qendror si Fadil Paçramin, Todi Lubonjën dhe familjet e tyre që u shkatërruan. Pastaj Gaspër Çurçia doli nga skena, Sherif Merdani shkoi për disa vite të tëra në burg, këngëtarë të tjerë si Justina Aliaj etj., nuk dolën më në skenë, d.m.th. muzikantë, poetë etj. Ajo ishte një periudhë ku u bë një goditje në kulturë, me shfaqjet e huaja, Plenumi i 4-t, dhe kjo pati pasoja shumë të rënda sepse muzika pas këtyre goditjeve mezi e mori veten sepse u ndje një tkurrje, një ngjethje në të gjithë artin në përgjithësi. U shtri deri te djemtë e rinj që vishnin pantallona kauboj apo kishin lënë favorite. Kishin bërë edhe një këngë: “Porsa dola nga shtëpia, më arrestoi policia, pantallonat kauboj, favoritet gjer në gojë”. Deri te çunat e periferive të lagjeve. Dhe kjo këngë lejohej që të këndohej, që të kishte frikë rinia. Pra, nuk ishte vetëm muzika, ishte e gjithë jeta e këtyre çunave me pantallona kauboj e favorite e deri jeta e anëtarëve të Komitetit Qendror ishte një prerje.
Si e përjetoi Gasper Çurçia daljen nga skena?
Gaspër Çurçia daljen e tij nga skena sigurisht që e përjetoi. Edhe miqtë. Unë shkova në minierë në Memaliaj rreth 6 vjet për të nxjerrë qymyr. Gasprit i thanë të shkonte diku në një vend në veri, por Gaspri mori një librezë pune dhe një emërtesë që nuk ishte në organikë si kuadër. Kuadër atëherë quheshe kur kishe mbaruar shkollën e lartë, ndërsa Gaspri thoshte: “Unë kam ardhur elektricist. Më jep librezën dhe unë po shkoj elektricist”. Në fillim e çuan elektricist diku nga kodrat e Liqenit, të hapte e të mbyllte portat që janë te Liqeni Artificial. Pastaj e çuan në Ndërmarrjen e Librit Shkollor “Hamit Shijaku”. Atje prodhoheshin vegla muzikore, mjete mësimore. Gaspri që i binte trombës, dhe i binte si amator. Trombës i bihet me diafragmë, ata që janë profesionistë ushtrohen. Por ai ishte amator dhe kishte marrë edhe një farë dëmtimi të lehtë në mushkëri, çarje të vogla. Miq e shokë kishte dhe me këtë arsyetim mori një raport mjekësor. Gaspri pastaj filloi të punonte si roje ose bënte punë nga më të rëndomtat nëpër këto ndërmarrje. E merrnin disa ndërmarrje dhe i kërkonin që të orkestronte për to, të drejtonte grupe muzikore. Por emri kurrë nuk i dilte. Për një artist që të punojë në një mënyrë të tillë, si skllav, ishte një vuajtje shumë e madhe. Siç thamë, edhe natyra e Gasprit, që ishte natyrë shumë e lirë, kjo mbyllje, ky largim nga njerëzit, për të ishte asfiksi, vrastare.
Në këtë periudhë e realizoi atë shpikjen me veglat muzikore?
Po, për të dalë nga kjo situatë Gaspër Çurçia provoi diçka tjetër. Njihet, p.sh. në Greqi ekzistojnë familje muzikore të buzukut, d.m.th. ka vegla muzikore që është buzuk, buzuk-tenor, buzuk-bas, ka vegla muzikore sipas zhanreve të tyre. Mund të ketë 10-15 vegla muzikore që krijojnë një familje të tërë. Gaspri mendoi që të bëjë familje të tilla me vegla popullore të temperuara, të cilat t’i përgjigjeshin muzikës moderne. Kjo është një punë për institut dhe ai e arriti këtë gjë. Gaspri nga familja e tij kishte shtëpi pushimi në Razëm, kishte shtëpi në Koplik, ai kishte qenë në Firence, ai dinte shumë mirë frëngjisht, italisht dhe serbo-kroatisht. Duke lexuar një libër italisht “Fizika e tingujve” shpiku mënyrën se si me tela të temperuara, me vegla të tilla që ishin familja e çiftelive, familja e lahutave, familja e mandolinave, dhe arriti që t’i bëjë këto vegla muzikore të cilat u vlerësuan përsëri nga specialistët Ramadan Sokoli, Çesk Zadeja, shkuan deri në Ministrinë e Arsimit, u lejua që të bëhej një koncert me këto. Gaspri orkestroi, përgatiti muzikantët. Këto ishin vegla që një anglezi, Loid, që vinte për muzikën dhe festivalet e Gjirokastrës, iu dukën një mrekulli sepse ishte një evoluim i veglave nga tradicionale të popullit në vegla të përshtatshme për muzikën e kohës. Ky ishte një sukses dhe Gaspri u gjallërua. Mendoi se po dilte nga harrimi. Mirëpo, siç i ndodhte gjithmonë, ai ka pasur një demon të keq me vete dhe prapë e ndërprenë. U dha urdhri që të mos dilte më në skenë. Veglat u mbyllën diku, në një bodrum të ish-kinema “Partizanit” dhe aty pastaj ato filluan të myken e të prishen. Iku dëm gjithë ajo punë. Gaspri shkroi një monografi ku tregonte të gjithë procedurën që kishte ndjekur për të arritur tek ato vegla. Megjithatë, gjithçka mori fund. Erdhi dhe dalja në pension. Pastaj Gaspri pati edhe një dramë personale në këtë kohë. Kaloi shumë dhimbje në këto kohë.
E tërhoqi një grua. Për familjet shqiptare ishte dramatike, sepse edhe burri edhe gruaja do të ndaheshin nga familjet e tyre. Do ti çonin diku, në ndonjë një fermë. Ishte një tmerr i vërtetë. Unë isha miku i tij dhe erdha me vrap për ta takuar. Më tha se ishte i dashuruar. Mirëpo në atë kohë një burrë në pension, 50 e ca vjeç, konsiderohej i plakur e që s’mund të dashurohej, s’mund të shkatërronte familjen. “Janë ligjet e zemrës, - thoshte, - se zemra ka ligjet e veta, s’mjafton vetëm logjika. Ju na shkatërruat vetëm me logjikën e ftohtë”. Ky ishte Gaspri dhe kjo e dëshpëroi përsëri. Ai nuk mund ta merrte një vendim të tillë. Ne ishim miqtë e tij dhe ngulmuan që ai të mos e bënte këtë gjë. Për atë kohë, kjo ishte vdekjeprurëse për familjen e tij, për atë vetë, për atë gruan tjetër, për dy familje shqiptare. Ishte më tepër se sa një ndarje. Gjithmonë ndarjet janë dramatike, por atëherë ishte tmerr. Në këto kushte, Gaspri që ishte pensionist por që veten e konsideronte ende të ri e me energji, që i ishte prerë jeta disa herë, bëri atë që mund të bëjë një njeri i dëshpëruar, vetëvrasje.
Çdoni të thoni me vetëvrasje?
Ai që kishte një mendje shpikëse, që gjithnjë kishte shpikur mënyra, kishte bërë orkestra, vegla muzikore, kishte nxjerrë muzikantë, shpiku një tjetër gjë por tani së prapthi, një vegël me të cilën falsifikonte biletat. Kur e kapën ai deklaroi se e priste që ta kapnin, e dinte që ashtu do të ndodhte. Pra, bëri një vetëvrasje. Ishte një protestë. Ishte si një njeri që i thotë jetës: “Shko tutje, nuk të dua më sepse ma keni marrë jetën e tani nuk e dua më”. Kjo ishte ajo që ne na dëshpëroi shumë se ne ishim miqtë e tij, të një muzikanti të shkëlqyer. E kishim mik shumë të mirë. Tani ne duhet të mbyllnim gojën që këtë njeri e vranë në këtë mënyrë. Po them e vranë Gaspër Çurçinë në këtë mënyrë sepse mirë ai e bëri këtë gabim, e dënuan për 20 mijë lekë, po fëmijët e tij ç’kusur kishin. Në qoftë se ky ishte një faj ordiner, jo politik, përse fëmijët e tij, të tre djemtë dhe gruaja e tij merren nga Tirana me të gjitha plaçkat e shtëpisë dhe çohen në rrëzë të malit të Tomorit. Atje ku mbaron banimi. Më lart s’ka, fillon ariu. Atje shkuan djemtë e Gaspër Çurçisë. Çfarë kishin bërë? Njërin e hoqën nga viti i fundit i studimeve në Liceun Artistik. Mirë Gaspër Çurçia ishte një falsifikator, po fëmijët çfarë bënë? Siç duket shteti kishte një inat tjetër me Gasprin, një inat të madh me këtë njeri, të cilit gjithnjë ia shtypnin kokën dhe ai dinte ta merrte veten e të ngrihej përsëri. Dhe erdhi një ditë që jo vetëm e vranë, por i ndëshkuan edhe familjen. Për ne ishte shumë e rëndë sepse nuk mund të flisnim për këtë njeri. Sot unë e them me plot gojën dhe jam i bindur që ajo është tragjedia e një artisti shqiptar në diktaturë.
Një minibiografi e Gasper Çurçisë
Gasper Çurçia lindi në Shkodër në vitin 1934 në një familje të kamur tregtarësh. Gjyshi dhe i ati i tij ishin përfaqësues të Kompanisë Ford për Shqipërinë. Gasperi i vogël filloi të marrë mësime muzike nga pianistja Ida Melgushi në Shkodër. Përveç pianos ai mësoi të luante në kitarë, fizarmonikë, harmonikë, por vegla e tij e preferuar u bë tromba. Me gjithë mësimet e marra, mund të thuhet se ai qe autodidakt.
Pasi kryen shërbimin ushtarak në moshën 20 vjeçare vjen ën tiranë dhe fillimisht punon si instrumentist nëpër lokale. Me krijimin e Estradës së Shtetit fillon për herë të parë një punë më serioze, në orkestër dhe kontribuon në shumë harmonizime dhe orkestrime së bashku me Alqi Karecon. Gjatë këtyre viteve ai kompozon muzikë të lehtë si dhe një muzikë për film, por kryesisht orkestronte.
Aktiviteti i Gasperit nuk u kufizua vetëm në muzikën e lehtë. Ai arriti të studiojë, projektojë dhe prodhojë instrumente të muzikës popullore si dhe të kompozojë për këtë orkestër. Por mbi të gjitha ai ishte një magjistar, një Lui Armstrong shqiptar, ishte një trombë në një gjysmë vajtim – shprehen kolegët e tij.
Në vitin 1962, ai u bë pjesëtar i orkestrës së radios për festivalet e këngës. Ai ishte orkestruesi i këngëve dhe dirigjenti i të parës orkestër xhazi në skenë. Kjo ka qenë arritja më e madhe e tij. Edhe me mjetet e sotme është vështirë të arrihen orkestrime të atij niveli. Mjafton të përmendim aranxhimin në xhaz të këngës “Natën Vonë” që tingëllon aq i kohës sot e kësaj dite. Pas festivalti të 11 edhe si shumë artistë të tjerë u dënua nga regjimi. Fillimisht u e dërguan të punonte si punëtor në Ndërmarrjen “Migjeni”.
Pas disa vitesh edhe aty filloi pas orarit, punën e muzikantit në lëvizjen amatore, duke organizuar një grup xhazi vetëm me femra. Më 1978 punon në një ndërmarrje tjetër, i angazhuar me prodhimin e instrumenteve popullorë, që i projekton dhe ndërton me pajisje të ideuara nga ai vetë.
Mendja e tij nuk rresht së krijuari deri sa më 1984 akuzohet për një krijim të një lloji të veçantë, sikur kishte fallsifikuar bileta treni, një akuzë që çoi deri në pushkatim.
Gjithë veprimtaria e tij artistike u ndalua rreptësisht dhe u asgjësua. Më 11 Prill 1984 muzikanti Gasper Çurçia ekzekutohet.
Fjalët e tij të fundit ishin: “Të kini mëshirë për fëmijët e mi, po më pushkatoni për njëzet mijë lekë”.
Lajmi i pushkatimit të Gasper Çurçisë, megjithëse i pashpallur, u përhap fshehurazi në botën artistike të Tiranës. Qe një zi në heshtje. Ndërsa familja e tij nisi kalvarin e gjatë të vuajtjeve dhe persekutimit…
[gallery]20493[/gallery]
dy.b/shqiptarja.com