Ministria e Financave ka hartuar draftin për faljen e detyrimeve deri dhjetor të vitit 2010, faljen e gjobave dhe kamatvonesave për periudhën nga 2011-2014, me kusht që të paguhen detyrimet, si dhe faljen e gjobave të llogaritura automatikisht nga sistemi për deklarim të vonuar të punonjësve.

Falen gjithashtu të gjitha detyrimet e gjobat për bizneset e çregjistruara, si dhe gjobat për dorëzim të vonuar të vendimit për destinimin e rezultatit dhe dorëzim me vonesë të pasqyrave financiare të aplikuara sipas Ligjit “Për tatimin mbi të ardhurat”, të llogaritura deri në datën 31 dhjetor 2016. Po kështu, edhe gjobat për mosdeklarim në afat, për deklarata të padorëzuara, me kusht që çdo deklaratë e padorëzuar të dorëzohet deri në datën 30.06.2017.

Edhe subjektet që kanë tepricë kreditore të TVSH-së ose të një tatimi tjetër, përfitojnë nga fshirja e detyrimeve tatimore, por pas kompensimit (zvogëlimit) të tepricës deri në masën e tatimit të papaguar.
 
Detyrimet që fshihen 100%
Sipas draftit, do të fshihen detyrimet tatimore të papaguara që u përkasin periudhave tatimore dhjetor 2010 e më parë dhe që rezultojnë të regjistruara në llogarinë e subjektit, përveç kontributit të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, si dhe rasteve kur parashikohet ndryshe në këtë ligj. Përfitojnë nga fshirja edhe detyrimet e papaguara të përcaktuara sipas ligjit “Për Taksat Vendore”, që u përkasin periudhave tatimore dhjetor 2010 e më parë.

Po kështu, fshihen gjobat dhe kamatëvonesat për sigurimet shoqërore dhe shëndetësore, që u përkasin periudhave tatimore dhjetor 2010 e më parë, që rezultojnë të regjistruara në llogarinë e subjektit.
 
Ndërkohë, partashikohet të fshihen gjobat dhe kamatëvonesat që rezultojnë të papaguara në datën e hyrjes në fuqi të këtij ligji, të regjistruara në llogarinë e subjektit, me kushtin që brenda 6 muajve të paguhet i plotë tatimi/taksa/kontributi, për: detyrimet tatimore që u përkasin periudhave tatimore janar 2011 deri dhjetor 2014; kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore që u përkasin periudhave tatimore janar 2011 deri dhjetor 2014 dhe taksat vendore të papaguara, që u përkasin periudhave tatimore janar 2011 deri dhjetor 2014
 
Falja e gjobave
Janë gjithashtu objekt i fshirjes sipas këtij ligji, detyrimet tatimore të mëposhtme, pavarësisht periudhës tatimore që i përkasin: detyrimet tatimore përfshirë tatimin/kontributin/taksën, kamatëvonesën dhe gjobën për subjektet persona fizikë ose juridike, të cilët rezultojnë të çregjistruar në QKB, me vendim gjykate, ose që janë të çregjistruar në administratën tatimore deri në datën e hyrjes në fuqi të këtij ligji; gjobat tatimore të llogaritura automatikisht nga sistemi për deklarim të vonuar deri më 31.12.2016, përfshirë edhe dënimet që lidhen me afatin e deklarimit të të punësuarve; gjobat për dorëzim të vonuar të vendimit për destinimin e rezultatit dhe dorëzim me vonesë të pasqyrave financiare, të llogaritura deri në datën 31.12.2016; gjobat për mosdeklarim në afat, për deklarata të padorëzuara, me kusht që çdo deklaratë e padorëzuar të dorëzohet deri në datën 30.06.2017.

Po kështu, falen gjobat si rezultat i aplikimit të dispozitave të ligjit nr.99/2015 “Për disa shtesa dhe ndryshime ne ligjin për procedurat tatimore në RSh”, por që janë shfuqizuar nga Gjykata Kushtetuese.

Subjektet që kanë tepricë kreditore të TVSH-së ose të një tatimi tjetër përfitojnë nga fshirja e detyrimeve tatimore, pas kompensimit (zvogëlimit) të tepricës deri në masën e tatimit të papaguar. Në rastet kur, teprica nuk mbulon vlerën e plotë të tatimit dhe kamatëvonesës së papaguar, atëherë duhet të kryhet pagesa për pjesën e mbetur dhe më pas bëhet fshirja dënimeve administrative.

Sa më sipër zbatohet automatikisht, pa kontroll, përveç rasteve kur subjekti heq dorë nga ankimi administrativ ose nga e drejta e padisë/ankimit/rekursit në çdo fazë dhe shkallë të gjykimit pranë gjykatës kompetente.

Por kompensimit nuk i nënshtrohen detyrimet për kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore.
 
Sipas draftit, fshihen nga regjistrat detyrimet e pagueshme në doganë të papaguara ndaj administratës doganore dhe të evidentuara nëpërmjet vendimeve të kësaj administrate deri në datën 31 dhjetor 2010. Ndërkhë, fshihen nga regjistrat detyrimet e pagueshme në doganë të papaguara ndaj administratës doganore dhe të evidentuara për individët lidhur me produktet e duhanit, nëpërmjet vendimeve të kësaj administrate deri në datën 31 dhjetor 2016.
 
Detyrimet e pagueshme në doganë, të evidentuara nëpërmjet vendimeve të kësaj administrate nga 1 janari 2011 deri 31 dhjetor 2014, fshihen,  me kusht që  brenda 6 muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji të paguhet i plotë detyrimi  i pagueshëm në doganë, pa përfshirë gjobat, kamatëvonesat dhe interesat kompensuese.

Ndërsa detyrimet e pagueshme në doganë, të evidentuara për shkelje të regjimit të lejimit të përkohshëm për automjetet, nëpërmjet vendimeve të kësaj administrate nga 1 janari 2011 deri 31 dhjetor 2016, fshihen, me kusht që  brenda 6 muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji të paguhet i plotë detyrimi  i pagueshëm në doganë, por pa përfshirë gjobat, kamatëvonesat./Monitor

Redaksia Online
Al.N/Shqiptarja.com