Në afërsi të tunelit të Kalimashit, që nga fillimi i muajit shtator të këtij viti, sipërmarrësit koncesionarë të Rrugës së Kombit po intensifikojnë punën për ndërtimin e terminalit të pagesave për taksën e kësaj rruge. Automjete e makineri të rënda janë në proces të sheshimit të kodrave në afërsi të tunelit të Kalimashit, ndërkohë që brenda dhjetorit pritet që ky terminal të jetë gati dhe në të do të nisë pagesa prej pese eurosh për makinat e vogla.

Por, pavarësisht nga pagesa, gjendja e sigurisë rrugore në segmentin Kukës – Morin lë për të dëshiruar. Në këtë segment, që ka shtatë ura, ato janë të aksesueshme vetëm me nga një korsi dhe mosdublimi i tyre që nga përurimi i rrugës, në vitin 2009, ka sjellë mjaft pasoja, duke shënuar një numër të lartë aksidentesh rrugore dhe jetë të humbura. Pika të rezikshme ka edhe në segmentin nga Tuneli i Kalimashit deri në Kukës.

Ndërkohë, sapo kalon kufirin me Kosovën, përballesh me një pamje tërësisht ndryshe nga Rruga e Kombit në pjesën shqiptare. Autostrada ”Ibrahim Rugova” është e  përfunduar tërësisht, me të gjithë elementët. Edhe për pagesën e taksës, nga ana e autoriteteve kosorave është menduar që në ndërtimin e saj, por ende nuk ka ndonjë zhvillim. Madje, veç terminalit ku mund të vilet taksa, në afërsi të Prizrenit, që në fillim është vendosur edhe sinjalistika për pagesën. Në një farë mënyre, kosovarët e kanë ditur ditur prej kohësh që dikur kjo autostradë do të jetë me pagesë, por qeveria e Prishtinës, deri më tani, nuk e ka vendosur ende një gjë të tillë.  

Ndërkohë, po ndodhi kjo, qytetarët e Kosovës, ndryshe nga qytetarët e Shqipërisë, kanë të gatshme rrugët dytësore, që mund t’i përdorë ai që nuk dëshiron të përdorë autostradën. Kjo infrastrukturë nga ana e Shqipërisë mungon.

Arbri
Dje u publikua zyrtarisht vendimi i autoritetit kontraktor se Gjoka Konstruksion ka qenë kompania, që kishte plotësuar kushtet e dokumentacionit tekniko-ligjor, si dhe një ofertë financiare për ndërtimin e Rrugës së Arbrit. Në njoftimin zyrtar pranë Agjencisë së Prokurimit Publik bëhet me dije se oferta e bërë nga Gjoka Konstuksion është me vlerë 33.6 miliardë lekë, një shifër e lakuar edhe më herët, por e zyrtarizuar tashmë me vendimin.

Në njoftim Ministria bën me dije arsyet e skualifikimit të dy operatorëve të tjerë: “Arsyet e skualifikimit: Operatori Ekonomik “Adem Pojani” nuk plotëson asnjë nga kriteret e kualifikimit, si dhe nuk ka paraqitur ofertë financiare; Arsyet e skualifikimit: Operatori Ekonomik “Alb-Star” sh.p.k. nuk plotëson kriteret e kualifikimit, si dhe nuk ka paraqitur ofertë financiare” thuhet në njoftim.

Gjoka Konstruksion që është shpallur edhe si oferta fituese duhet që, brenda datës 20 nëntor, të paraqesë dokumentet e kërkuara për të vijuar më pas me procedurat e tjera të negocimit dhe nënshkrimit të kontratës.

d.c./shqiptarja.com