Gati muzeu 'Gjethi',Bashkim Shehu:
 S’gjetëm dokumente të torturave

Gati muzeu 'Gjethi',Bashkim Shehu:<br /> S’gjetëm dokumente të torturave
Pas rehabilitimit të godinës Muzeu "Gjethi" ka kaluar në fazën e tretë të muzealizimit. Ministrja e Kulturës Mirela Kumbaro së bashku me grupin e punës të përbërë nga Bashkim Shehu, Gëzim Qendro, Artan Puto e Fabian Kati organizoi këtë të martë dëgjesën e parë publike për projektin e muzealimit të “Shtëpisë së gjetheve”.

Ministrja e Kulturës Mirela Kumbaro e vlerësoi muzeun “Gjethi” si një projekt për t’u përballur me të shkuarën e terrorit komunist. "Në të gjitha rastet, pavarësisht nga tipologjia, biem dakord që ky është një projekt që ka ngjallur interes interes, ka tërhequr vëmendjen e publikut dhe të medias për të gjithë historinë 40-vjeçare ose për atë copëz historie të 40 viteve diktaturë", ka thënë Kumbaro.

Bunk’art
Ministrja e Kulturës përmendi me këtë rast edhe arritjet e Bunkerit Bërthamor. "Ju kujtoj Bunkerin që vetë, dhe këtu flas edhe në emër të koleges së Ministrisë së Mbrojtjes, e zbuluam në mënyrë të befasishme, por që sot mund të themi pa asnjë hezitim se është kthyer një ndër pikat jo thjesht më të vizitueshme nga ana turistike, por është një pikë që tërheq shumë të rinjtë dhe të huajt", ka thënë ministrja.

Torturat
Kuratori Bashkim Shehu pasi foli për dokumentacionin dhe objektet për projektin e muzealizimit, pohoi se nuk gjen dokumente që rrëfejnë për torturat që bëheshin gjatë fazës së hetimeve nga Sigurimi i Shtetit. "Gjërat më të tmerrshme që ka bërë komunizmi, ata nuk i dokumentonin drejtpërdrejt, megjithatë fjala torturë del në ndonjë dokument. Por pjesa më e madhe e dëshmive të torturave vijnë nga viktimat", pohoi Shehu.
Përfaqësues të shoqatës të përndjekurve politikë dhe të Institutit të Studimit të Krimeve të Komunizmit si Bilal Kola, Çelo Hoxha, Simon Mirakaj kanë reaguar për mungesën e dokumenteve për viktimat e diktaturës. "Qasja për Shtëpinë e Gjetheve them që ose saktësisht nuk ka një përcaktim dhe nëse e ka nuk anon nga martirët apo nga viktimat", tha Bilal Kola.

Fiqrete Shehu
Më tej për Report TV, Bashkim Shehu Shehu këmbëngul se nuk ka gjetur asnjë dokument. Madje edhe për torturat që i janë bërë nënës së tij Fiqrete Shehu gjatë hetimeve. "Ka shumë dëshmitarë që flasin për torturat. Nuk kam dëshmi apo fakte për torturat ndaj nënës sime. Nuk merrem me gjëra personale është diçka që ka të bëjë me të gjithë shoqërinë shqiptare", nënvizoi Bashkim Shehu.
 
Redaksia Online
Al.N/Shqiptarja.com
 

  • Sondazhi i ditës:

    Ku po i kaloni pushimet e verës?



×

Lajmi i fundit

Humbi jetën pasi ra nga shtylla e tensionit në Patos, reagojnë Sindikatat për punëtorin egjiptian: Përgjegjësit të dalin para drejtësisë

Humbi jetën pasi ra nga shtylla e tensionit në Patos, reagojnë Sindikatat për punëtorin egjiptian: Përgjegjësit të dalin para drejtësisë