TIRANE - Federata Shqiptare e Futbollit ka filluar që të lëvizë të gjithë mekanizmin për të zëvendësuar mungesat e rëndësishme në kombëtare për ndeshjen më të rëndësishme për këtë edicion të eleminatoreve për kampionatin botërorin.

Mungesa e fantazistit Alban Meha, pas dëmtimit që pësoi me Paterbornin, ka shtuar dhimbjen e kokës për trajnerin De Biasi, i cili duhet të mos llogarisë për Mehës edhe kapitenin Cana, Roshin dhe Lilën.

Ndërkohë, ekipit kuqezi për këtë sfidë mund t’i mungoj edhe Elis Bakaj me Debatik Currin duke e qelluar akoma më shumë krizën. Në këtë këndvështrim, duket i vështirë misioni i De Biasit për të hedhur në fushë ekipin më të mirë të mundshëm, kur dihet edhe rëndësia e kësaj përballje.

Më 7 qershor ndahet ‘shapi nga sheqeri’ për Shqipërinë dhe Norvegjinë, pasi kush humbet shuan ëndrrën për një kualifikim në botëror. Por, sipas gjitha gjasave, trajneri italian do të mundohet ta formoj një grup sa më të fortë për këtë ndeshje duke mos u dorëzuar përballë kushteve.

Nisur nga rrethanat, dëmtimi i Mehës, por edhe mungesa e të tjerëve, burime pranë Federatës Shqiptare të Futbollit bëjnë me dije se shumë shpejt do të pajisen me pasaportë tre futbollistë të rinj me kombësi shqiptare që luajnë në disa kampionate në Evropë.

Në radarin e De Biasit janë Vullnet Basha, Ilir Berisha dhe Loret Sadiku. Vullnet Basha, vëllai i Migjenit, i cili luan me kombëtaren, shihet si zëvendësuesi i Mehës në mesfushë, aq më tepër edhe me dëmtimin e Kukelit.

Ndërsa dy të tjerët janë mbrojtësi kosovar i skuadrës së Orebros, që garon në kategorinë e dytë të Suedisë, Ilir Berisha dhe Loret Sadiku një tjetër futbollist që po spikat kohët e fundit.

FSHF pas komunikimit me De Biasin ka intensifikuar procedurat që tre futbollistët të marrin sa më shpejt pasaportën për të qenë gati më 7 qershor. Presidenca mësohet se po i jep dorën e fundit procedurave për shtetësinë për tre futbollistët.

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 15.05.2013

Redaksi Online
(b.m/shqiptarja.com)