Tartë e kripur me brokoli / sekretet e përgatitjes së brumit brisé
Përbërësit:
300 gr brokoli
1 kuti e vogël pana
60 gr djathë kaçkavall
2 kokrra vezë
100 gr pançetë
1 lgj gjalpë
Arrë moskat
Kripë, piper
Për brumin brize (brisée):
100 gr miell
50 gr gjalpë
Ujë i ftohtë
Kripë
Përgatitja:
Fillimisht përgatisim brumin brize duke përzier miellin me gjalpin e temperaturës së ambjentit. Shtojmë kripë dhe ujë të ftohtë dhe e punojmë brumin derisa të bëhet i fortë si për byrek. Hapim një petë me trashësi 0.5 cm, e shtrojmë në tavë të lyer me gjalpë, sipër i vendosim disa kokrra fasule të paziera (që brumi të mos ndryshojë formë gjatë pjekjes) dhe e pjekim.
Ndërkohë ziejmë brokolin e ndarë në lule të vogla dhe e vendosim bukur mbi brumin e pjekur. Presim pançetën në kubikë, e kaurdisim për 1-2 minuta dhe e shtojmë mbi brokolin.
Përziejmë panën me vezët, djathin kaçkavall të grirë, arrë moskat, kripë dhe piper. Këtë masë e hedhim mbi tartën me brokoli. E spërkasim në fund sipërfaqen me djathë kaçkavall dhe e vendosim në furrë të parangrohur në temperaturën 180 gradë Celsius derisa tarta të marrë ngjyrë të kuqerremtë në sipërfaqe.