Gennaro Gattuso ka folur hapur për emocionet, përgjegjësinë dhe objektivat e tij si trajner i kombëtares italiane, në një intervistë të gjatë për “Vivo Azzurro TV”. Pas gjashtë muajsh në krye të të kaltërve, tekniku italian e ka të qartë misionin; kualifikimin në Kupën e Botës 2026.
“Kur më kërkuan të bëhesha trajner i Italisë, thashë menjëherë po, pa menduar për pro apo kundër. Jam krenar që përfaqësoj vendin tim, ndihem i privilegjuar dhe shumë me fat”, u shpreh Gattuso, duke theksuar peshën e madhe të fanellës. “Miliona njerëz do të donin të ishin në vendin tim. Kam jetuar gjithmonë me presion dhe shpresoj t’i jap Italisë gëzim bashkë me lojtarët e mi”.
Bilanci i parë i Gattusos është pozitiv, gjashtë ndeshje, pesë fitore dhe një humbje. Ai mori drejtimin e një skuadre të tronditur pas humbjes së rëndë në Oslo ndaj Norvegjisë, por sipas tij, grupi ka reaguar me karakter dhe identitet të fortë.
“Pashë një mentalitet pozitiv, ndjenjë përkatësie dhe lojtarë që japin gjithçka në fushë. Kjo është shumë e rëndësishme”, theksoi trajneri.
Tashmë vëmendja është përqendruar te ndeshjet eliminatore play-off të marsit, fillimisht gjysmëfinalja kundër Irlandës së Veriut dhe më pas fituesi i çiftit Uells–Bosnjë. Gattuso paralajmëron edhe për rreziqet e mundshme.
“Nuk duhet të përsërisim gabimin e bërë katër vite më parë kundër Maqedonisë së Veriut. Në futbollin modern nuk ka ndeshje të lehta. Duhet të dimë të reagojmë, të jemi të fortë për 90 minuta dhe të mos dorëzohemi përballë vështirësive. I gjithë kombi na pret dhe ne duhet të shkojmë atje me mentalitetin e duhur dhe dashurinë për këtë fanellë”, shtoi ai.
Në fund, Gattuso nuk e fshehu objektivin madhor.
"Fiksimi ynë është Kupa e Botës 2026. Italia mungon që nga viti 2014 dhe duhet të kthehemi aty ku kemi qenë për shumë vite, madje edhe si protagonistë. Duhet ta duam këtë objektiv me çdo kusht", tha Rino Gattuso.
Komente









