Gazeta austriake “Der Standard” ka kritikuar ashpër qëndrimin e Bashkimit Europian për reagimin ndaj tensioneve në Veri të Kosovës. Duke u fokusuar në një reagim të kryediplomatit të BE-së, Josep Borrell, “Der Standard” shkruan se postimet e tij janë tronditëse sa duket sikur ia shkruan Beogradi.
“Përballë këtyre përpjekjeve të koordinuara për destabilizim BE nuk reagoi me vërejtje të qarta, por e përkeqësoi situatën edhe më shumë. Kryediplomati i BE-së Josep Borrell nuk e përkrahu shtetin ligjor kosovar, por kritikoi policinë kosovare për shkak të ‘masave të pakoordinuara’. Me sa duket atij po ia shkruan Beogradi postimet në Twitter dhe po beson se na qenkësh kompetent për të mbrojtur kriminelët”, shkruan “Der Standard”.
Ajo shkruan se në aksionin e Policisë së Kosovës kundër kontrabandës "vetëm njëri nga të arrestuarit ishte serb. Megjithatë, serbët e Kosovës sulmuan policinë dhe Beogradi u soll sikur në Kosovë po përndiqen serbët. Vuçiç tha shumë gënjeshtra mbi dhunën që gjasme po ushtronin autoritetet kosovare”.
Deklaratat e Josep Borrell, i cili në thirrjen e tij për ndaljen e akteve të dhunshme në veri të Kosovës, u shpreh edhe mbi "veprimet e një anshme dhe të pakoordinuara që vënë në rrezik stabilitetin janë të papranueshme”.
"Incidentet e dhunshme në veri të ndalen menjëherë. Veprimet e njëanshme dhe të pakoordinuara që vënë në rrezik stabilitetin janë të papranueshme. Të gjitha çështjet e hapura duhet të adresohen përmes dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja. Ne jemi në kontakt me Prishtinën dhe Beogradin”, shkroi Josep Borrell në Tëitter.
Kjo deklaratë ngjalli reagime të shumta jo vetëm në Prishtinë, por edhe te një pjesë e komunitetit ndërkombëtar. Kjo deklaratë nga autoritetet e Prishtinës u interpretua si një kritikë e Borrellit, për aksionin e policisë së Kosovës kundër kontrabandës me mallra në veri të Kosovës.
"Përballë këtyre përpjekjeve të koordinuara për destabilizim, BE nuk po përgjigjet me refuzim të qartë, por po e përkeqëson situatën edhe më keq", shkruan “Der Standard”.
Tensionet mes Kosovës dhe Serbisë janë rritur gjatë javëve të fudnit, ku fillimisht, vendimi për vendosjen e masës së reciprocitetit të targave nga Serbia, nxiti banorët serb në veri të Kosovës të bllokojnë rrugët. Po ashtu, me protesta dhe bllokada në dy komuna në veri të Kosovës u prit edhe një aksion i Policisë dhe Doganave të Kosovës kundër kontrabandës së mallrave, që u shtri edhe në komunat e banuara me serbë. Ky aksion u shoqërua nga një rezistencë e ashpër e serbëve lokalë, ku si pasojë 8 policë dhe 10 qytetarë u lënduan, pati shkrepje armësh zjarri në drejtim të policisë, u përdor gazi lotsjellës dhe u sulmuan edhe mediet që raportonin nga vendi i ngjarjes.