“Një informator i cili u fsheh në Austri për shkak të kërcënimeve me vdekje rëndon pozitën e kreut të shtetit të Shqipërisë. Një rol të rëndësishëm në këtë histori luan edhe ceremonia e inaugurimit të Donald Trump.”

Me këto fjalë nis denoncimin e saj gazeta më e madhe e Austrisë “Kronen Zeitung”, e cila zbulon një histori korruptive që sipas saj “mund të trondisë politikën shqiptare” dhe të “rrëzojë presidentin e Republikës së Shqipërisë”.

Historia e një denoncuesi që kërkon mbrojtje në Austri nga kërcënimet me vdekje që ai ka marrë, pasi zbuloi një aferë të Presidentit Shqiptar, Ilir Meta.

Sipas gazetës austriake, Meta pagoi 700,000 mijë dollarë për lobim përmes një kompanie qipriote guaskë, që të siguronte një foto në ceremoninë e inagurimit të Presidentit Amerikan Donald Trump.

“Sipas dokumenteve gjyqësore amerikane, 700,000 dollarë kanë kaluar përmes kompanisë offshore Dorelita Limited nga një avokat i afërt me Metën”, shkruan Kronen Zeitung.

Gazeta e njohur denoncon edhe shpenzimet e tjera për lobim të çiftit presidencial, madje edhe ndërhyrjet e çuditshme estetike dhe të shtrenjta të Zonjës së Parë, Monika Kryemadhi:

“Në listën e tyre të dyshimtë të shpenzimeve: 50 mijë euro në muaj për takime me senatorë amerikanë, darkë, udhëtime dhe me sa duket edhe operacione estetike për zonjën Meta, Monika Kryemadhi, e cila mori kryesinë e LSI-së nga bashkëshorti i saj”, shkruhet në artikull.

Artikulli i plotë:

Lotët rrjedhin nëpër faqe, duart dridhen, zëri meket. Frika e një denoncuesi ndaj autoriteteve shqiptare është e dukshme gjatë një takimi me “Krone” në një vend sekret.

Çfarë ka ndodhur? Denoncuesi iku në Austri për shkak të akuzave dhe frikës së një atentati. Aty ku tani duhet të kishte marrë statusin e mbrojtjes. Ai mund të trondisë mjedisin politik shqiptar.

Ajo që tregon denoncuesi në prani të avokatëve të njohur të Vienës ju bën të uleni dhe të dëgjoni me vëmendje. Provat mund të tronditin peizazhin politik të Shqipërisë dhe të rrëzojnë askënd tjetër veç presidentit të Shqipërisë.

Ilir Meta (53 vjeç) ka mbajtur jo pak poste në karrierën e tij. Ai themeloi partinë Lëvizja Socialiste për Integrim, të cilën e drejtoi deri në vitin 2017. Ai ka qenë kryetar i Parlamentit për disa vite dhe është President i Republikës që nga viti 2017. Që nga ajo kohë erdhën flukse parash, që dëshmitari kryesor i përshkroi si “thellësisht të korruptuara”.

Është e paqartë se kush e ka paguar udhëtimin në Uashington, sepse më 20 janar 2017, Meta ndau një foto të tij dhe një kolegu në inaugurimin e Donald Trump përballë Kapitolit në Uashington.

Ilir Meta dhe Petrit Vasili në ceremoninë e inaugurimit të Trump në 2017
 

 

Për të fituar akses në inaugurimin dhe zyrtarët republikanë, ata thuhet se lobuan me zell përmes një kompanie guaskë qipriote. Kostoja: 700,000 dollarë. Deri më sot, është e paqartë se kush ka paguar në të vërtetë për të. Vetë Meta pretendon se është ftuar nga republikanët. Sipas dokumenteve gjyqësore amerikane, 700,000 dollarë kanë kaluar përmes kompanisë offshore Dorelita Limited nga një avokat i afërt me Metën.

Pak javë para inaugurimit është lidhur një kontratë mes palës së LSI-së dhe avokatit, për pjesëmarrjen në inaugurim. Menjëherë pas kësaj, Meta u bë edhe president.

Operacione estetike të dyshimta për Zonjën e Parë:

Duke qenë se lobimi me pagesë është i vështirë për t’u pranuar në pozicionin e tij si President, kontrata u ndërpre, për të lidhur menjëherë një kontratë të re për “Dorelitën”, e cila nuk ka asnjë aktivitet biznesi. Në listën e tyre të dyshimtë të shpenzimeve: 50 mijë euro në muaj për takime me senatorë amerikanë, darkë, udhëtime dhe me sa duket edhe operacione estetike për zonjën Meta, Monika Kryemadhi, e cila mori kryesinë e LSI-së nga bashkëshorti i saj.

Në çdo rast, akuzat rëndojnë dhe prezumimi i pafajësisë vlen për çiftin politik.

Artikulli i botuar në gazetën austriake për presidentin Meta

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 15:24
Media austriake publikon skandalin e Metës, Kryemadhi: Grupi i Vjenës dhe pronarët e inceneratorëve rrojnë me shpresën se do t’i shpëtojnë drejtësisë

Për kryetaren e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi, ka një grup që ajo e quan ‘grupi i Vjenës’ që bashkë me pronarët e inceneratorëve kërkojnë të marrin azil në Vjenë.  

“Me këtë foto të serave mbi inceneratorin e Tiranës, financuar nga fondet e BE, po përshëndes grupin e Vjenës dhe pronarët e inceneratorëve, që po rrojnë me shpresën se do t’i shpëtojnë drejtësisë, duke fituar azil në Vjenë të Austrisë. Tik-Tak, ora po afron.  P.S: Kryeministri që ulërit për evazionin fiskal, le të merret me evazionin fiskal të inceneratorit të Tiranës, ku firma me dy punonjës kanë faturuar tek firmat e skemës së koncesionit korruptiv vlera deri në 9 milion dollarë. Të shohë KM krimin shtetëror të kolegëve dhe miqve të tij, pastaj të merret me rrogat minimale të qytetarëve shqiptarëve”, ka shkruar Kryemadhi, edhe si një reagim ndaj shkrimit të publikuar sot gazetën më të madhe austriake e cila e konsideroi një histori korruptive që sipas saj “mund të trondisë politikën shqiptare” dhe të “rrëzojë presidentin e Republikës së Shqipërisë”.

Ora 12:20
Denoncimi i skandalit me Metën në median austriake, reagon Presidenca: Shpifje dhe gënjeshtra të fabrikuara

1652460418_konferenca9mars.jpg

Akuzat e publikuara sot në gazetën më të madhe të Austrisë për Ilir Metën, Presidenca i konsideron si shpifje dhe gënjeshtra të fabrikuara. Reagimin e ka bërë në Facebook, zëdhënësi i Metës Tedi Blushi.

“Presidenti i Republikës, Ilir Meta është njohur sot me një shkrim pa autor të publikuar në gazetën austriake “Kronen Zeitung”, artikull që përmban veçse shpifje dhe gënjeshtra, të hershme dhe të konsumuara prej vitesh. Këto shpifje, mjerisht të fabrikuara dhe të hedhura në tregun mediatik edhe kohë më parë, e kanë marrë përgjigjen shumë të qartë dhe në mënyrë asgjësuese, që në prill të vitit 2018. Edhe kjo përpjekje e radhës, e rifabrikuar në mënyrë qesharake dhe vulgare, do të marrë përgjigje përpara drejtësisë austriake. Presidenti i Republikës, ka autorizuar stafin dhe mbrojtësit ligjorë, që të përgatisin menjëherë padinë “Për përhapjen e të dhënave të pavërteta”, “Shpifje”, “Cenim të imazhit publik”, që në këtë rast cenon rëndë edhe interesat e larta shtetërore”, shkruan Blushi.

Ora 10:16
Kjo është kompania offshore ‘Dorelita Limited’ për të cilën u akuzua Meta se e ka përdorur për lobim duke paguar 700.000 dollarë

Dëshmitari i intervistuar nga gazeta austriake "Krone" përmendi emrin e një shoqërie offshore qipriote që akuzohet se ka paguar për llogari të Ilir Metës 700 mijë dollarë për lobim në SHBA. Emri i dëshmitarit ruhet anonim nga ana e gazetës, por nga një verifikim bërë nga Shqiptarja.com, zbulohet se shoqëria offshore ekziston me të vërtetë: ‘Dorelita Limited’, është kompania offshore nëpërmjet të cilës, Ilir Meta, sipas denoncimit të gazetës austriake, ka paguar 700.000 dollarë për lobim. Kompania rezulton me zyra në Qirpo, ndërsa data kur ka filluar aktivitetin e saj është 14 nëntor 2013. Sipas të dhënave të publikuar në faqen Open Corporates, aktivitetin e fundit kompania e ka pasur në prill të vitit 2021. Pikërisht në vitin 2017, vit në të cilin është bërë pagesa, rezulton që Dorelita Limited ka pasur një ndryshim të aksionerëve. Sekreti me të cilat autoritetet qipriote mbrojnë shoqëritë offshore, nuk lejon deri më tani të njihet identiteti i këtyre aksionerëve. Natyrisht një investigim dhe qartësim i situatës do të ishte më i lehtë për autoritete gjyqësore si SPAK.