Gazeta  gjermane “Tageszeitung” nëpërmjet një artikulli të botuar në numrin e sotëm, analizon krizën politike në Kosovë, ku edhe pse kanë kaluar 2 muaj që prej zgjedhjeve parlamentare, ende nuk është krijuar qeveria që do të drejtojë vendin për katër vitet e ardhshme.

Sipas të përditshmes gjermane, e cila citon disa vëzhgues të situatës politike në Kosovë, për shkak se kuvendi nuk arriti të konstituohej, vendi mund të shkojë sërish drejt kutive të votimit.

Vëmendje të veçantë gazeta i kushton edhe takimit të së mërkurës mes forcave politike në  Kosovë, ku do të diskutohen edhe rrugët e daljes nga kriza.

Gjithashtu në shkrim theksohet edhe mungesa e paralajmëruar e lëvizjes Vetëvendosja në këtë takim.

“Vetëvendosje është ajo që do të përfitonte më shumë nga përsëritja e zgjedhjeve”, shkruan “Tageszeitung”, e cila e cilëson Albin Kurtin si liderin e dëshiruar nga moshat e reja në Kosovë, por i konsideruar nga ndërkombëtarët si pengesë në marrëdhëniet Kosovë- Serbi.

“Vërtet që edhe institucionet ndërkombëtare po ndërrojnë mendim për Kurtin, duke e mos etiketuar më si nacionalist, por në rast fitoreje të tij strategjia ndërkombëtare duhet të konsiderohet e dështuar”, shkruan gazeta gjermane.

Një tjetër temë e përfshirë në shkrim është edhe plani i Bashkimit Evropian për  krijimin e Asociacionit të Komunave Serbe, me parlamentin dhe kryetarin e tyre.
Albin Kurit është një nga kundërshtarët e Asociacionit, të cilin e barazon me ndarjen e Bosnjës.

“Dhe Serbia dhe serbët e Kosovës janë gati të mbështesin personat e etiketuar si “kriminelë lufte të UÇK-së” vetëm për të realizuar krijimin e Asociacionit”, shkruan e përditshmja. 

Redaksia Online
D.T/Shqiptarja.com