Gazeta serbe: Autonomi financiare
për veriun e Kosovës

Gazeta serbe: Autonomi financiare<br />për veriun e Kosovës
BEOGRAD- Decentralizimi për veriun e Kosovës do të jetë i tillë që komunat në mënyrë autonome do t’i grumbullonin tatimet e taksat dhe do të dispononin lirshëm me ato para, ndërsa si kompensim përfaqësuesit e serbëve lokal do të marrin pjesë në punën e qeverisë dhe parlamentit të Kosovës, kjo është një nga zgjidhjet e mundshme të cilën e mbështet Gjermania, mëson gazeta “Danas” e Beogradit, në Ministrinë e Jashtme në Berlin.

Sikurse shkruan gazeta “Danas”, autoritetet në Prishtinë dhe vetë Kryeministri Hashim Thaçi nuk pajtohen me këtë plan të një lloji të autonomisë financiare për veriun e Kosovës, por do të detyrohen ta pranojnë dhe Gjermania është e gatshme që këtë t’ua sqarojë kur të vijë koha. Natyrisht, edhe kjo zgjidhje nënkupton që veriu të jetë pjesë e Kosovës së pavarur dhe çdo ndarje nuk vjen në konsiderim.

Sa i përket zgjidhjes së përgjithshme të problemit ndërmjet Beogradit e Prishtinës, bashkëbiseduesit e gazetës në fjalë ripërsërisin se autoritetet në Berlin nuk do të kishin asgjë kundër që të zbatohet modeli i dy Gjermanive, e ku të dy palët do të bashkëpunonin, por nuk do ta njihnin (zyrtarisht) shtetësinë e tjetrit.

Njohja e Kosovës nuk është kusht që Serbia të bëhet anëtare e BE.

Zyrtarët në Beograd vazhdimisht flasin se njohja e pavarësisë së Kosovës është kushti aktual ose i mundshëm që po shtrohet para Serbisë, çka po largohen nga shumë çështje më të rëndësishme të cilat i interesojnë Gjermanisë dhe BE-së, sqarojnë për gazetën burime nga Ministria e Jashtme gjermane.

Sikurse vihet në pah, shtatë kërkesat e grupit parlamentar CDU-CSU në Bundestag, midis të cilave edhe ai që Beogradi e Prishtina duhet të nënshkruajnë deklaratën me shkrim mbi raportet e mira fqinjësore janë shumë të afërta me atë që përfaqësuesja e lartë e BE-së për politikën e jashtme, Chatherine Ashton ua ka rekomanduar disa herë radhazi autoriteteve serbe, të vjetra e të reja, përfshirë edhe kryeministrin aktual Ivica Daçiç.  Befasitë e autoriteteve serbe se nuk kanë ditur asgjë mbi qëndrimet e CDU-CSU janë të pavërteta, tërheqin vërejtje në Berlin.

Burimet e gazetës “Danas” nga ministria e Guido Westerwelle, vënë në dukje se Serbia me siguri të plotë nuk do ta marrë datën e fillimit të negociatave mbi anëtarësimin në BE në dhjetor dhe nëse autoritetet serbe do ta zvarrisin zgjidhjen e problemeve dhe zbatimin e reformave nuk do ta marrin as në mars, as në qershor të vitit të ardhshem. Kjo do të ishte edhe më keq për Beogradin zyrtar, sepse Gjermania në pranverë do t’i kthehet tërësisht fushatës për zgjedhjet parlamentare që do të mbahen në shtator të vitit 2013 dhe asnjë politikan gjerman në atë periudhë nuk do të punojë në shtrirjen e BE.
(eç/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Tuneli i Llogarasë

Tuneli i Llogarasë