/ATSH/ - Shoqata e Gazetarëve të Kosovës do të organizojë sot një aktivitet në shenjë solidarizimi me viktimat e sulmit terrorist në revistën satirike franceze "Charlie Hebdo" në Paris.

Në këtë ngjarje në sheshin "Zahir Pajaziti" në Prishtinë, me fillim prej orës 13:00, janë ftuar të gjithë gazetarët, përfaqësuesit e mediave dhe qytetarët.
Në një reagim, Shoqata e Gazetarëve të Kosovës shpreh indinjatën e thellë ndaj vrasjes makabre të gazetarëve francezë, të revistës satirike "Charlie Hebdo", në Paris.
Lajmi për vrasjen e 12 personave dhe plagosjen e 20 të tjerëve, e ka tronditur komunitetin e gazetarëve kosovarë dhe mbarë opinionin në Kosovë, duke dhënë alarmin për përmasat globale të rrezikut nga terrorizmi.

Shoqata e Gazetarëve të Kosovës konsideron se sulmi terrorist ndaj gazetarëve, përveç si akt i shëmuar, është edhe një përpjekje qyqare dhe e dështuar, për ta cënuar lirinë e shprehjes dhe të drejtës për të qenë i informuar.

Në këto momente pikëllimi, Shoqata e Gazetarëve të Kosovës ndan dhimbjen me familjarët e viktimave.

Shtypi i sotëm në Prishtinë në faqet kryesore thekson se Kosova dënon sulmin terrorist dhe solidarizohet me popullin francez.