Fatos, ju e keni pasur hallë Nexhmije Zaimin. Ne nuk e njohim fare. Mund të na thuash se kush ishte Nexhmije Zaimi, gazetarja me famë botërore?
Nexhmija ka lindur në Prevezë në vitin 1917, por të gjithë bashkë si familje erdhën në Shqipëri kur Prevezen e pushtuan grekët dhe u vendosën në qytetin e Vlorës të gjithë. I ati i Nexhmijes, pra gjyshi im ka qenë funksionar i lartë i qeverisë Osmane. Më pas Nexhmija qëndroi në Tiranë bashkë me të vëllanë, ku vazhdoi edhe studimet. Në moshën 16 vjeçare Nexhmijen e martuan, por martesa nuk pati sukses. I shoqi do ikte në Amerikë, dhe ajo iku bashkë me të. Sa shkoi në SHBA u nda nga i shoqi. Atje, përfundoi me sukses dy fakultete, atë të letërsisë dhe shkencave politike.
Po pas ikjes në Amerikë, ka ardhur ndonjëherë në Shqipëri? Për të takuar vëllezrit dhe të atin? Aq më tepër që bëhej fjalë për vitet e diktaturës...
Ajo ka ikur në vitin 1931 dhe u kthye në vitin 1936 për herë të parë. Qëndroi në Shqipëri vetëm dy vite, dhe më pas iku sërish në Amerikë. Por është kthyer vetë edhe njëherë, për të parë familjarët e saj këtu, në vitin 1980, në kulmin e diktaturës. (Ne foto gazetarja Nexhmije Zaimi)
Ka ardhur në 80? Po si e lejuan të vinte? Ku qëndroi?
Ka qëndruar në shtëpinë time. Ne ndërkohë ishim shpallur armiq të popullit, të persekutuar. Kur na çoi letër se do të vinte, unë shkova në degën e brendshme. U thashë atyre se do të më vijë halla nga Amerika dhe nëse do të mund të dilja ta prisja në aeroport. Ata më thanë se nuk kanë punë me të, se partia nuk e donte atë, dhe s'e unë mund të bëja ç'të doja. Atëherë u thashë punonjësve të degës së brendshme, nuk po dal ta pres. Nuk dua të rrezikoj. Por vetëm gjysëm ore përpara se të mbërrinte avioni me të cilin po vinte edhe halla ime, disa punonjës të degës së brendshme më erdhën në shtëpi. Dhe më thanë se mund të dilja dhe ta prisja. U nisa për atje, dhe gjatë gjithë kohës e kam shoqëruar unë.
Ku qëndroi?
Tek e motra qëndroi disa ditë. Pastaj në të shumtën e kohës, ajo qëndroi në Shqipëri për një muaj, qëndroi në shtëpinë time.
Po nuk pati asnjë kontakt me zyrtarët e shtetit të asaj kohe?
Po, po, bëri një takim me shefat e sigurimit se donin ta bënin agjente të tyren në Amerikë. E shoqërova unë deri te 15 katëshi. Mua më lanë nëpër korridore, dhe vetë u futën në një zyrë. Ka qenë në shumë siklet për aq kohë sa zgjati takimi, sepse kur zbriti më pyeti ku është banja, aq shumë e kishin sikletosur. "Çfarë nuk më kanë punuar", mbaj mend se më tha.
Flisnit në atë kohë, çfarë thoshte për regjimin?
Ajo mundohej shumë të mos fliste. Dy herë që kam dalë te dera, kur ajo ishte brenda shtëpisë sonë, kam parë njerëz që siç dukej përgjonin. Madje, ku e dinim ne se ç'mund të na kishin vendosur edhe brenda në shtëpi? Gjithçka bëhej në konspiracion të plotë, shumë shpesh edhe me gjeste e shenja pa folur. Kur u kthye në Amerikë, ajo shkroi një artikull për Shqipërinë, por që ishte shumë i papëlqyer për autoritetet këtu brenda.
Pas këtij artikulli, ju patët pasoja? Dmth ju persekutuan?
Ne si familje e persekutuar kemi qenë që në vitin 1947. Janë dhënë dy herë edhe urdhëra dëbimi, por që anuloheshin. Unë psh, edhe pse kisha shkollën e lartë kam punuar në tulla e llaç gjithë jetën. Ndërkohë që babai ka qenë në burg. Ai doli prej andej në 1951 dhe punoi si magazinier.
Po pse e akuzuan?
Po çfarë nuk i thanë agjent i CIA, jugosllavëve, lloj lloj agjenti. Dhe të mendosh ishte një gjyq që u bë pa asnjë dëshmitar, një ndër të rrallat gjyqe të tilla.
Po vetë Nexhmia çfarë tha për burgosjen e vëllait të saj?
Jua thashë, ajo nuk fliste fare, nuk donte të na vinte në pozitë. Nuk e shau asnjëherë regjimin kur ishte këtu në Shqipëri.
Ju dërgonte letra?
Letra kam sa të duash në shtëpi. Një mal me letra. Na shkruante çdo muaj. Por kishte raste që nuk na vinin letrat për gjashtë muaj. Kuptohej, i hapnin më parë në zyrat e sigurimit. Në pjesën më të madhe flitej për gjëra familjare.
Po pako me rroba? Ka qenë diçka e madhe tju vinin rrobat nga Amerika?
Gjatë kohës që ishte babai në burg, halla na ka ndihmuar dhe me para, por edhe me pako me ushqime dhe me rroba. Sillte katër pako në muaj për tim atë, që ishte në burg, me ushqime dhe rroba. Ne ia conim atij atje, por sigurisht jo të gjitha mbërrinin. Shumë prej tyre i merrnin gardianët e burgut.
Shkuat nga Tirana në Vlorë?
Po, shkuam në Vlorë, në shtëpinë ku kishte ndenjur, por edhe në Libohovë. Ishte shumë e mallëngjyer. Më pas e cuam edhe në një vizitë në Krujë.
Sot mori një titull shumë të lartë nga Presidenti i Republikës. E prisnit?
Nuk e prisja me thënë të drejtën. Ose më saktë e prisja sa ishte gjallë para disa vitesh dhe ajo vetë mund të kënaqej. Por gjithsesi, ky titull edhe pas vdekjes vlen shumë. I them falemnderit presidentit të Republikës.
(sg/shqiptarja.com)