Gazi lotsjellës në parlament, urdhër
arrest për katër deputetët e VV

Gazi lotsjellës në parlament, urdhër<br />arrest për katër deputetët e VV<br>
Ka dështuar sërish seanca gjyqësore për hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvend të Kosovës, ndaj katër deputetëve të VV-së, Albin Kurti, Donika Kadaj-Bujupi, Faton Topalli dhe Albulena Haxhiu. Kjo pasi Kurti, Kadaj-Bujupi dhe Haxhiu nuk u paraqitën në Gjykatë. Trupi gjykues ka urdhëruar arrestimin e tre të akuzuarve pasi të njëjtit janë kërkuar para seance në shtëpitë e tyre nga Policia, por nuk janë gjetur.

Deputetët Albin Kurti, Donika Kadaj-Bujupi dhe Albulena Haxhiu sërish nuk janë paraqitur në Gjykatën Themelore të Prishtinës, të mërkurën, për gjykim për hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës.

Dy deputetët e VV-së, Kurti e Kadaj-Bujupi, janë kërkuar në shtëpitë e tyre, pasi trupi gjykues qysh në seancën e kaluar ka urdhëruar sjelljen e tyre me Polici në gjykatë, pasi as atëherë nuk ishin paraqitur.

Por të njëjtit nuk janë gjetur në adresat e tyre të banimit. Kështu ka bërë të ditur gjyqtari Beqir Kalludra, derisa anuloi seancën e të mërkurës deri në një afat të pacaktuar.

Kalludra urdhëroi edhe arrestimin e deputetëve të akuzuar Albin Kurti e Donika Kadaj-Bujupi, dhe gjithashtu të Albulena Haxhiut. Madje u caktoi ndaj tyre edhe paraburgim.

“Të akuzuarit kanë qenë të ftuar në mënyrë të rregullt dhe mungesën nuk e kanë arsyetuar”, ka thënë gjyqtari në fillim të seancës.

“Për të akuzuarit Albin Kurti dhe Donika Kadaj-Bujupi, gjykata ka lëshuar urdhëresë për sjelljen me dhunë nga Policia e Kosovës, dhe sipas informatave të këtyre stacioneve, të njëjtit nuk janë gjetur në adresat e vendbanimit. Meqenëse të njëjtit nuk iu janë përgjigjur këtyre ftesave, trupi gjykues merr aktvendim kundër të akuzuarve Albin Kurti, Albulena Haxhiu dhe Donika Kadaj-Bujupi që të lëshojë urdhëresë për ndalim/arrestim dhe dërgim në qendër të paraburgimit, dhe gjithashtu të njëjtëve do t'u përcaktohet paraburgimi”, ka dhënë njoftimin për urdhërimin e arrestimit dhe paraburgosjes së të akuzuarve.

Në seancën në të cilën erdhi vetëm Faton Topalli si i akuzuar, nuk u paraqitën as dy deputetët e PDK-së, Flora Brovina dhe Blerta Deliu-Kodra, të thirrura si palë të dëmtuara në këtë rast. Njësoj ka vepruar edhe deputeti tjetër i PDK-së, Bekim Haxhiu, i thirrur si dëshmitar.

“Në mungesë të palëve shqyrtimi i sotëm nuk mund të vazhdojë. Seanca shtyhet në afat të pacaktuar”, tha gjyqtari.

Për rastin ka njoftuar edhe Policia e Kosovës. Sipas tyre, referuar në urdhëresën e Gjykatës Themelore të Prishtinës, të datës 13 tetor 2017, policia të mërkurën ka dërguar njësinë patrulluese në adresat e dhëna nga gjykata për të kontaktuar me deputetët Kurti e Kadaj-Bujupi, por të njëjtit nuk janë gjetur në adresat e tyre, si dhe nuk ka qenë e mundur të kontaktohen.

“Përkitazi me këtë, Policia ka njoftuar Gjykatën Themelore për veprimet e saj dhe mosgjetjen e personave në adresat e tyre përpara fillimit të seancës”, thuhet në njoftimin e PK-së.

Ndryshe, në dhjetor të vitit 2015, Prokuroria Themelore e Prishtinës ka ngritur aktakuzë ndaj katër deputetëve Lëvizjes Vetëvendosjes. Ata akuzohen se secili veç e veç kanë kryer veprat penale “përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm” dhe “pengim i personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrës zyrtare”.

Trupi gjykues i këtij rasti është i njëjti me atë që para më pak se një jave dënoi më 21 vite e gjysmë burgim, katër aktivistë të VV-së, njeri prej tyre deputeti Frashër Krasniqi, për sulmin terrorist me granatë ndaj objektit të Kuvendit të Kosovës, 4 gushtin e vitit të shkuar./GazetaExpress

Er.K/Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Si po përballohet situata e krijuar nga zjarret në vend?



×

Lajmi i fundit

SHBA-ja dhe Britania e Madhe vendosin sanksione të reja ndaj Bjellorusisë

SHBA-ja dhe Britania e Madhe vendosin sanksione të reja ndaj Bjellorusisë