Kreu i grupit parlamentar të PD, Gazment Bardhi tha se Taulant Balla ka ndërhyrë te SPAK dhe Policia e Shtetit për të liruar pronat e babait të Suel Çelës. Bardhi ‘ngarkoi’ me detyrë kreun e SPAK, Klodian Brahon, për të vijuar punën me dosjen që ai përmend.

“Të flasë për ndarje pushtetesh njeriu që është kapur në përgjime të SPAK tek ndërhyn te prokurori i SPAK-ut dhe drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit për të liruar pronat e babait të Suel Çelës, ky është fundi i botës! Këtë e ka bërë parafolësi në këtë foltore! Është në përgjimet e Prokurorisë së Posaçme si njeri që ndërhyn te prokurori i SPAK dhe merr përsipër të ndërhyjë për të liruar pronat e sekuestruara të babait të Suel Çelës, kapos së bandës së Elbasanit. Është ai atje! Ky është drejtues i SPAK-ut, ka një detyrë, atë që dosje e mban të fshehur apo të fjetur duhet ta çojë përpara sepse shqiptarët duhet të dinë se kush vjen në këtë foltore dhe bën teatër me ndarjen e pushteteve. Këtë e ka bërë kryetari i grupit tuaj parlamentar”, tha Bardhi.