Kreu i grupit parlamentar të PD, Gazment Bardhi, thotë se procesi i negociatave me BE ka ngecur pasi kryeministri Rama mbron korrupsionin. Ai thotë se vendet anëtare nuk kanë miratuar ecurinë e reformave përmes ndonjë vendimi dhe kjo do të thotë që nuk mbyllet dot asnjë kapitull.

Ndërsa ka dy pyetje për Ramën, Bardhi nënvizon se mbrojtja ndaj Belinda Ballukut e ka nxjerrë zbuluar kryeministrin pasi “zgjodhi të mbronte veten.” Sipas Bardhit, kryeministri është problemi i vërtetë i Shqipërisë dhe jo Europa.

“E vërteta që Edi Rama fsheh për negociatat

Edi Rama dhe kryenegociatorja folën sot gjatë për negociatat, por nuk përmendën askund të vërtetën e madhe: negociatat kanë ngecur, sepse Edi Rama ka zgjedhur të mbrojë korrupsionin.

Nga vendet anëtare akoma nuk ka asnjë vendim që të miratojë ecurinë e deritanishme të reformave dhe, pa këtë miratim, ne nuk mbyllim dot asnjë kapitull dhe jo më të realizojmë ambicien për t’u anëtarësuar brenda 4 viteve të ardhshme, siç ka premtuar Kryeministri.

Sot Edi Ramës nuk i takonte të sillej si drejtor drejtorie i Ministrisë së Bujqësisë. As të fshihej pas punës teknike të kryenegociatores. Apo akoma më keq, të linte përgjegjësinë e “sqarimit” të vendeve anëtare tek tre ministra të tij.

Edi Rama duhej të sillej si kryeministër dhe t’u thoshte shqiptarëve pse Mali i Zi po përparon shpejt me negociatat e anëtarësimit, ndërsa Shqipëria ka mbetur në vendnumëro.

Edi Rama duhet t’u japë përgjigje dy pyetjeve të thjeshta:

A ka lidhje ngecja e negociatave me mbrojtjen personale që Edi Rama i bëri Belinda Ballukut, duke zvarritur dhe duke penguar drejtësinë të hetojë korrupsionin në paradhomën e tij?

A ka lidhje ngecja e negociatave me presionin e kryeministrit ndaj drejtësisë dhe nismat e tij antidemokratike për të ndaluar drejtësinë të shkojë deri tek kryeministri?

Anëtarësimi në BE nuk është çështje procedurash teknike. Nuk është çështje reformash në letër. Është çështje e zbatimit të reformave dhe e besimit mes palëve. E sigurt është se besimi nuk ndërtohet duke penguar hetimin e korrupsionit me votën e mazhorancës në Parlament.

Rasti i Belinda Ballukut e ka nxjerrë krejt zbuluar Edi Ramën. Kur ai duhet të zgjidhte Europën, kryeministri nën shantazh zgjodhi të mbrojë veten!

Nëse nesër do të dëgjoni nga Edi Rama ose vartësit e tij se problemi është Europa, mos u besoni!

Problemi i vërtetë i Shqipërisë është Edi Rama!”, shkruan Bardhi.

Shqipëria synon që brenda 2026 të jetë gati për mbylljen e 16 kapitujve dhe në vitin pasardhës për 17 të mbeturit.

P.J/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës: 27 Mars, 08:12

    Rritja e çmimit të ushqimeve, a duhet të marrë masa qeveria për të mbrojtur konsumatorët?