Qeveria shqiptare thotë se vendi i ka përmbushur të gjitha kushtet e ndërmjetme në procesin e negociatave dhe është duke pritur vlerësimin pozitiv nga vendet anëtare për të nisur më pas me mbylljen e negociatave. 

“Vijojmë punën edhe për kushtet e ndërmjetme, që janë një sërë masash apo reformash, kryesisht të lidhura me sigurinë dhe rendin ose luftën kundër krimit të organizuar, të lidhura me drejtësinë dhe të drejtat e njeriut. Shqipëria e mbylli këtë fazë në janar të këtij dhe vende anëtarë tashme po diskutojnë. Ne jemi të gatshëm të plotësojmë çdo kërkesë të veçantë që mund të vijë edhe nga vendet anëtare, në lidhje me reformat e sigurisë dhe drejtësisë”, tha Dhuka.

Në mbledhjen e qeverisë të kësaj të hënë, një pjesë e së cilës si rrallë herë u transmetua edhe për publikun, kryenegociatorja Majlinda Dhuka, tha se puna në 19 muaj e mbetur deri në fund të 2027-s për mbylljen e të gjithë kapitujve është vënë para.

“Shqipëria ecën pa asnjë ndërprerje me procesin e negociatave. Por shumë punë është për tu bërë përpara. Për 31 nga 33 kapitujt BE i ka dhënë Shqipërisë kushte. Deri tani Shqipëria ka marrë 101 kushte për mbylljen e negociatave pasi ka plotësuar 24 kushtet e ndërmjetme”, tha Dhuka.

Deri në fund të negociatave janë të domosdoshme mbi 630 nisma ligjore, ndërsa peshën më të madhe e kanë 2 ministri.

“Institucioni që mban peshën më të madhe mban Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit, por edhe Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë”, tha Dhuka.

Kapitulli me më shumë kërkesa dhe kushte është ai i mjedisit, i cili pasojat nga politikat rajonale, transporti dhe siguria ushqimore.

“Nga vlerësimi i Komisionit Evropian, nga 27 në 33 kapitujt Shqipëria konsiderohet e përgatitur mirë, apo e përgatitur në mënyrë të moderuar”, tha Dhuka.

Pas kryenegociatores Kryeministri Rama u kujdes ta nënvizonte se Shqipëria nuk ka ngecur me negociatat, të cilat i cilësoi si një proces historik që transformon shtetin shqiptar. Kryeministri u ndal edhe të fushat delikatet që duhet të kenë vëmendje të më shtuar.

“Prokurimi publik, nuk jemi ende në kornizën e progresit të mirë. 2027-a duhet të na gjejë më këtë objektiv të realizuar.  Kontrolli financiar i rëndësishëm, reforma e inspektimit duhet të vazhdojë. Ajo që ka filluar me AKU të shtrihet edhe me inspektoratet e tjera”, tha Rama.

Shqipëria synon që brenda 2026 të jetë gati për mbylljen e 16 kapitujve dhe në vitin pasardhës për 17 të mbeturit.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 12:35
Integrimi në BE/ Rama: Drejtësia të rrisë profesionalizmin, problem Prokurimi Publik dhe kontrolli financiar

Kryeministri Rama tha se institucionet e drejtësisë me fitimin e pavarësisë duhet të rrisin standardet dhe profesionalizmin. Rama tha se ka ende shumë punë për tu bërë në fushën e Prokurimit Publik, kontrollin financiar dhe sigurinë ushqimore.

“Ky proces konsolidon institucionet e drejtësisë, të cilat kanë kaluar në një fazë tjetër, pasi kanë pavarësinë që nuk e kanë pasur kurrë. Në procesin e konsolidimit duhet të rrisin profesionalizmin, paanshmërinë dhe cilësinë e shërbimeve. Ky proces siguron luftën kundër korrupsionit, jo thjesht si një luftë që zhvillohet në frontin midis institucioneve të drejtësisë, por edhe në frontin e modernizimit, të transformimit institucional dhe të realizimit të një kapaciteti të të gjithë shtetit për ta parandaluar që të zhvillohet në hapësira gri ose në mungesë të kanaleve të sigurta institucionale. Patjetër që barrën më të madhe në këtë proces e ka ekonomia, por pastaj barra bëhet e qartë në gjithë kompleksitetin e vet kur sheh sesi shtrihet te infrastruktura, energjia, financat, bujqësia e me radhë.

Dy gjëra më bien në sy në prezantimin që u bë: e para është domosdoshmëria për të kaluar nga një progres i kufizuar në raport me standardet e BE në një progres të mirë tek prokurimi publik, ku kemi bërë një progres të madh në raport me vetveten dhe rajonin, por nuk jemi ende në kornizën e progresit të mirë dhe plotësimin e këtij aspekti si pjesë e kushteve. Këtu e sjell në vëmendje se është shumë e rëndësishme që puna e nisur për modernizimin e prokurimit publik me AI duhet të vazhdojë intensivisht dhe të kurorëzohet për të na bërë një vend shembull. Viti 2017 duhet të na gjejë me këtë objektiv të realizuar. Tjetra është kontrolli financiar, ku edhe progresi është i kufizuar, ndërkohë që reforma për kontrollin financiar është e domosdoshme dhe kemi nisur paraprakisht. Duke e mbyllur me sfidën e sfidave, që është siguria ushqimore dhe mbrojtja e konsumatorit”, tha Rama.

Ora 12:28
Rruga drejt BE/ Rama: Proces historik, rrit kapacitetet institucionale të vendit

Kryeministri Edi Rama thotë se procesi i integrimit në BE është një proces historik dhe që rrit në mënyrë thelbësore kapacitetet institucionale të vendit. Rama tha se procesi ka shumë ngarkesë.

“E pamë të arsyeshme që këtë prezantim ta bënim të hapur, se është e rëndësishme që opinioni publik ta ketë një ide për kompleksitetin e kësaj përpjekje të madh e kombëtare për të realizuar me sukses negociatat e anëtarësimit. Çka flitet në publik, është shumë, shumë e reduktuar në gjëra ose shumë bazike, ose pa lidhje me këtë proces. Procesi ka shumë ngarkesë dhe është për tu përgëzuar e gjithë skuadra e negociatave, sikundër është për tu përgëzuar edhe puna e ministrave që janë më pranë këtij procesi. Jo më larg se pak ditë më parë, Lamallari, Gogu dhe Dhuka bën prezantim shterues në tryezën e ambasadorëve të vendeve anëtare ne Bruksel. Ministri i jashtëm është i koordinuar me dy ministret e shtetit, për ti dhënë dimensionin politik procesit në komunikimin tonë ndërkombëtar.

Ajo që vlen më shumë se të gjitha, përtej realizimit të një mase, apo kalimit të një reforme dhe pastaj miratimit të masës, ose reformës në Bruksel është se ky proces rrit në mënyrë thelbësore kapacitetet institucionale të vendit. Procesi ka një dobi të jashtëzakonshme dhe është i pazëvendësueshëm. Tendenca është që anëtarësimi të shihet në mënyrë sipërfaqësore dhe të mos kuptohet që ky proces është historik për faktin se transformon shtetin dhe u jep institucioneve një fuqi dhe një kapacitet për të vepruar që nuk e kanë pasur kurrë në historinë tonë. Rritja e kapaciteteve institucionale sjell edhe forcim të rendit ligjor në të gjitha aspektet”, tha Rama.

Ora 12:24
Kryenegociatorja Dhuka: 27 nga 33 kapituj janë të përgatitur mirë, brenda vitit të jemi gati teknikisht për mbylljen e negociatave për 16 kapituj

Kryenegociatorja e Shqipërisë Majlinda Dhuka tha se 27 nga 33 kapituj konsiderohen të përgatitur mirë.

“Në 27 nga 33 kapituj, Shqipëria konsiderohet e përgatitur mirë ose në mënyrë të moderuar. Rreth 27 prej tyre, kanë arritur në një shkallë maturimi që konsideron si të përgatitur në mënyrë të moderuar.

Gjatë këtij viti të jemi gati teknikisht për mbylljen e negociatave deri në 16 kapituj. Deri në qershor po përgatisim 7-8 kapituj. 3 të parët janë thuajse të maturuar, 30, 25, 26 përgëzime për negociatorët.

Po punojmë me 3 kapituj të tjerë,  6 shoqëria tregtare, 7 pronësia intelektuale, 32 menaxhimi financiar dhe 20 politika industriale, kapitulli 5 prokurimi publik për ti maturuar deri në qershor”, tha Dhuka.