Kryeministri Edi Rama thotë se procesi i integrimit në BE është një proces historik dhe që rrit në mënyrë thelbësore kapacitetet institucionale të vendit. Rama tha se procesi ka shumë ngarkesë.

“E pamë të arsyeshme që këtë prezantim ta bënim të hapur, se është e rëndësishme që opinioni publik ta ketë një ide për kompleksitetin e kësaj përpjekje të madh e kombëtare për të realizuar me sukses negociatat e anëtarësimit. Çka flitet në publik, është shumë, shumë e reduktuar në gjëra ose shumë bazike, ose pa lidhje me këtë proces. Procesi ka shumë ngarkesë dhe është për tu përgëzuar e gjithë skuadra e negociatave, sikundër është për tu përgëzuar edhe puna e ministrave që janë më pranë këtij procesi. Jo më larg se pak ditë më parë, Lamallari, Gogu dhe Dhuka bën prezantim shterues në tryezën e ambasadorëve të vendeve anëtare ne Bruksel. Ministri i jashtëm është i koordinuar me dy ministret e shtetit, për ti dhënë dimensionin politik procesit në komunikimin tonë ndërkombëtar.

Ajo që vlen më shumë se të gjitha, përtej realizimit të një mase, apo kalimit të një reforme dhe pastaj miratimit të masës, ose reformës në Bruksel është se ky proces rrit në mënyrë thelbësore kapacitetet institucionale të vendit. Procesi ka një dobi të jashtëzakonshme dhe është i pazëvendësueshëm. Tendenca është që anëtarësimi të shihet në mënyrë sipërfaqësore dhe të mos kuptohet që ky proces është historik për faktin se transformon shtetin dhe u jep institucioneve një fuqi dhe një kapacitet për të vepruar që nuk e kanë pasur kurrë në historinë tonë. Rritja e kapaciteteve institucionale sjell edhe forcim të rendit ligjor në të gjitha aspektet”, tha Rama.


Lajmi kryesor:

Anëtarësimi i Shqipërisë në BE/ Dhuka: Kemi plotësuar kushtet e ndërmjetme! Rama: Më shumë punë te prokurimi publik dhe inspektimet