Gazprom, 258 mln euro për Ballkanin
Filialja serbe gati ofertë për Albpetrolin

Gazprom, 258 mln euro për Ballkanin<br />Filialja serbe gati ofertë për Albpetrolin
Rusët e Gazpromit, të interesuar për privatizimin e kompanisë shqiptare shtetërore të naftës Albpetrol, kanë thithur tashmë rreth 258 milionë euro financime nga disa banka, të destinuara për të fuqizuar filialen e tyre serbe, që operon nëpërmjet rafinerisë së produkteve të naftës NIS të Beogradit. Kjo e fundit ka tërhequr tashmë dokumentat e tenderit të privatizimit të Albpetrolit në Shqipëri dhe, bashkë me një kompani kineze, kanë qenë dy subjektet ofruese, që kanë kërkuar dhe arritur shtyrjen për në muajin shtator të afatit të paraqitjes se ofertave për blerjen e 100% të aksioneve të kompanisë shqiptare. Sipas njoftimit zyrtar nga Moska, kredia është tërhequr për të fuqizuar teknologjikisht filialen e saj në Serbi dhe është marrë nga bankat HSBC, Ceska Sporitelna dhe Komercni Banka. Ky njoftim është bërë i ditur përmes portalit shqiptar të energjetikës energjia.al ditën e djeshme dhe i referohet informacionit të datës 10 gusht të kompanisë Gazprom. Tashmë kredia ka marrë miratimin e bordit të drejtorëve të kompanisë ruse dhe është më e madhja e marrë këtë vit nga subjekte ruse, të mbuluara nga një agjenci e financimit të eksporteve. NIS është një ndër ndërmarrjet më të mëdha të Evropës Juglindore, që merret me zbulimin, prodhimin dhe rafinimin e naftës e gazit. Ajo zotërohet nga rusët dhe ka një strategji tejet ekspansive për të kapur një pozitë dominuese në Ballkan dhe Evropën Lindore. Në këtë kuadër, drejtuesit e saj kanë qenë një ndër 14 subjektet, që kërkuan dhe morën dokumentat e tenderit të shpallura nga ministria shqiptare e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës për privatizimin e kompanisë së vetme shqiptare të naftës, ende të mbetur në zotërim të shtetit. Dorëzimi i ofertave duhej të kishte përfunduar në muajin korrik, por, me kërkesë edhe të filiales serbe të Gazpromit rus, u pranua nja shtyrje afati nga ana e autoriteteve shqiptare për dy muaj, deri në shtator, për t’u dhënë kohë ofertuesve të përgatiteshin më mirë. Synimet ruse për të depërtuar në sektorin shqiptar të naftës u dukën qartë që në vitin 2008, me rastin e privatizimit të ARMO-s, ku ata kërkuan të blinin 85% të aksioneve të saj, por fitues u shpall një konsorcium me tri firma, që doli se ishin mbulim për biznemenin shqiptar Rezart Taçi.

Shkrimi u botua sot ne gazeten Shqiptarja.com
sg/shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    25 Nëntor, 08:30

    Takimet jashtë, mendoni se diaspora do marrë pjesë masivisht në votime?



×

Lajmi i fundit

Nis puna për ndërtimin e Parkut Urban në Spitallë të Durrësit, Rama: Hapësirë rekreative, gjelbërim, pistë biçikletash dhe terrene sportive për fëmijë

Nis puna për ndërtimin e Parkut Urban në Spitallë të Durrësit, Rama: Hapësirë rekreative, gjelbërim, pistë biçikletash dhe terrene sportive për fëmijë