Nga pala shqiptare marrëveshja që përcakton bashkëpunimin mes 3 shteteve (Greqi-Shqipëri-Itali) për projektin TAP u firmos nga zëvendëskryeministri dhe ministrit të Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës zoti Edmond Haxhinasto. Për Greqinë firmosi ministri i Jashtëm grek, Dimitris Avramopoulos ndërsa pala italiane u përfaqësua nga Corrado Passera, ministri i Ekonomisë dhe i Zhillimit në Itali.
Nga Tirana gjatë mbledhjes së qeverisë Kryeministri Berisha vlerësoi se "firmosja e marrëveshjes në Athinë të projektit TAP është me rëndësi të jashtëzakonshme, e para mes tre vendeve të rajonit".
”Marrëveshja mundëson bashkëpunimin ndërmjet tre vendeve për zbatimin e projektit të TAP, si një projekt me rëndësi strategjike për kontributin ekonomik e zhvillimor për të tre vendet, rajonin dhe më gjerë në Europë.
Ky projekt veçanërisht për Shqipërinë paraqet mundësi për diversifikimin e burimeve të energjisë, përmes gazifikimit të vendit. Gazsjellësi Trans Adriatik do të sjellë gazin natyror nga fusha e Shah Deniz 2 në detin Kaspik, në Europën Perëndimore.
Kryeministri Berisha firmosi dje publikisht vendimin e qeverisë për miratimin në parim të marrëveshjes ndërmjet Republikës së Shqipërisë, Republikës së Greqisë dhe Republikës së Italisë për projektin për gazsjellësin Trans Adriatik (TAP).
NABUCCO dhe TAP, janë dy konkurrentët mbetur që po luftojnë për të fituar kontratën për transportin e gazit të Kaspikut në Europë. Por dy projektet kanë gjurmë të ndryshme. I pari, e lë Shqipërinë jashtë rrjetit ndërkombëtar të gazit. Ai nis në Turqi dhe kalon përmes Bullgarisë, Rumanisë dhe Hungarisë për të përfunduar në Austri. Ndërsa projekti TAP, që mbështet Qeveria shqiptare kalon në Turqi, Greqi dhe përmes Shqipërisë përfundon në Itali.
Për Shqipërinë, projekti TAP garanton 2 miliardë dollarë investime dhe 20 mijë vende të reja pune.
BERISHA DJE NE FACEBOOK: MARREVESHJA, NJE MOMENT I VECANTE
Pas bërjes publike të firmosjes së vendimit të qeverisë për marrëveshjen e bashkëpunimit mes Shqipërisë, Greqisë e Italisë, Berisha ka publikuar në rrjetin social Facebook një foto ku duket momenti i firmosje së vendimit. “Duke firmosur vendimin e qeverisë për marrëveshjen e bashkëpunimit midis Shqipërisë, Greqisë dhe Italisë për ndërtimin e projektit rajonal të gazsjellësit TAP, që firmoset nesër në Athinë. Një moment i veçantë, të cilin zgjodha ta ndaj me ju. sb”, shkruan Kryeministri në Facebook.
(Foto e publikuar nga Kryeminsitri Berisha në Facebook)
ATHINA ZYRTARE KONFIRMON FIRMEN NE MARREVESHJE
Sipas këtij projekti gazi do të transportohet nga Kaspia e Azerbajxhanit deri në Taranto të Italisë, duke kaluar nëpërmjet Turqisë, Greqisë, Shqipërisë dhe në vijim me një gazsjellës nënujor deri në Itali. Gazetari ynë në Athinë, Ardi Stefa sqaron se Athina kishte presione të forta nga Britania e Madhe, si edhe nga SHBA, të cilat këmbëngulnin që të kalonte nëpërmjet Greqisë gazi natyror nga Azerbajxhani, në mënyrë që të thyhej monopoli i Rusisë në tregun evropian, por edhe t’i bëhej një embargo Iranit në këtë fushë të energjetikës.
(sg/Gre.M/Shqiptarja.com)