Atletja Luiza Gega ka shkëlqyer sërish në garat ndërkombëtare. Suksesi i fundit i saj është rregjistruar në Francë në garat e ‘Meeting de Miramas’ ku u rendit e para. Në garën e 3000 metrave me pengesa atletja e ndali kohën në 8 minuta e 50 sekonda e 08 të qindtat.
Ky rezultat është rekord edhe për pistën e Miramas.
Koha mund të kishte qenë edhe më e mirë, por Luiza krijoi një shkëputje të madhe nga rivalet dhe bëri një garë thuajse e vetme. Por nuk mbaron këtu, pasi paraqitja e atletes së Tiranës u shpall si “best performance” e të gjithë eventit, në një turne ku merrnin pjesë sportistë elitarë dhe medalistë olimpikë.
Ndalesa e radhës për kampionen e atletikës shqiptare është më 5 mars në Ballkaniadë, kompeticion që do të shërbejë si testues për finlen e Botërorit të sallave të mbyllura që do të mbahet më 18 mars në Beograd, aty ku Gega do të kërkojë historinë duke synuar një vend në top-5.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj ka përshëndetur arritjen e sportistes Luiza Gega e cila ka shkëlqyer sërish, duke “rrëmbyer” vendin e parë në garën e 3000 metrave me pengës në ‘Meeting de Miramas’ në Francë.
“Bravo Luiza Gega, goca jone e KS TIRANA që na bënë krenarë” , shkruan Veliaj.
Kryebashkiaku i Tiranës, gjeti sërish rastin të “thumboi” për shkeljet dhe korrupsionin 20 vjeçar në Federatën Shqiptare të Futbollit Armand Dukën, duke thënë se ky është rezultati kur ka votime të ndershme, dhe se kur federata si ajo e atletikës mbështet sportistët e jo presidentin, e kur ka transparencë e fondet shkojnë tek talentet.
Erion Veliaj në cilësinë e aksionerit e klubit të Tiranës, ka denoncuar hapur manipulimin e zgjedhjeve për kreun e FSHF-së nga ana e Armand Dukës. Kjo çështje ka shkruar deri në dyert e drejtësisë.
"Ja rezultati kur sporti hapet, kur ka votime të ndershme, kur federata - si ajo e atletikës - mbështet sportistet e jo presidentin, e kur ka transparencë e fondet shkojnë tek talentet. Bravo Luiza Gega, goca jonë e KS TIRANA që na bënë krenarë", shkruan Veliaj.